Ju lutem mos u ktheni më Berlukson!
A thua do të kthehet Berlusconi në politikë? Pas vendimit të fundit të gjykatës, kjo është e mundur. Por kjo do të ishte humbje e madhe për Italinë edhe për Evropën, mendon Bernd Riegert.
Ai sërish ia doli! Falë një vendimi të dyshimtë por përfundimtar të gjykatës, partyt bunga – bunga të Silvio Berlusconit me prostituta minorene mbeten të padënuara. Prej më shumë se 20 vitesh ka probleme ish-kryeministri i Italisë me gjykata të ndryshme, por gjithmonë shpallet i pafajshëm. Ai mund të gëzohet sepse procesi i fundit për partyt e 78-vjeçarit ka qenë më i rrezikshmi. Ka mundur të ndodhë që vërtetë, për herë të parë, të dënohet me heqje lirie. Politikisht Berlusconi nuk ka qenë kurrë i vdekur totalisht, por kësaj radhe ka qenë bukur i izoluar. Tani ai mund të provojë edhe comeback në politikë dhe të cënojë atë pak stabilitet dhe shpresë që i ka sjellë Italisë kryeministri socialdemokrat, Matteo Renzi.
Renzi ka bërë pakt me Berlusconin, kur iu desh të votohej një ligj i ri elektoral. Berlusconi komandon me partinë "Forza Italia". Me votat e tij vendos në senatin italian, njërën nga dhomat e parlamentit. Matteo Renzi ka bërë marrëveshje me Berlusconin, për të mundësuar zbatimin e një pjese të reformave.
Raporti i tyre ka qenë i mirë, derisa Renzi në shkurt mundësoi zgjedhjen e një politikani për president, i cili e refuzon në mënyrë strikte Berlusconin. Presidenti Sergio Mattarella ka qenë gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që Silvio Berlusconi mendon se gjyqtarët janë një grup "terroristësh", apo "talebanësh", të cilët janë betuar kundër tij, miliarderit selfmade. Berlusconi ka paralajmëruar rezistencë ndaj qëllimeve të tjera të Renzit dhe papritur ka paralajmëruar tërheqjen e mbështetjes së reformave të miratuara në senat.
Duke marrë krahë prej vendimit të gjykatës për partyt bunga-bunga, Silvio Berlusconi do të mund të përpiqej të rimarrë frymë politike. Për shkak të abuzimeve fiskale, ai nuk guxon të ushtrojë zyrtarisht asnjë post politik deri në vitin 2019. Por personi me një taktikë të tillë me siguri që do të gjejë ndonjë zgjidhje. Me Renzin ai ka bërë tregti në fund të vitit të kaluar që të zbutet dënimi kundër tij për abuzime fiskale. Berluconi ia ka dalë që me lojëra të ndryshme të miratohet ligji me efekt retroaktiv dhe ta zbusë dënimin e tij.
Italia nuk e ka merituar këtë
Po, por ai nuk do të fitojë më asnjë votë, do të mendonte dikush jashtë Italisë. Ka sondazhe ku thuhet se Berlusconi mund të fitojë deri në 20% të votave në Itali. Madje edhe më shumë, në qoftë se arrin të bashkojë opozitën e djathtë të përçarë. Silvio Berlusconi ka gjithmonë tifozë, mbase jo në mesin e femrave, sepse në vitin 2011 me mijëra prej tyre kanë protestuar kundër tij. As në Evropë ai nuk ka mbështetje. Në vjeshtën e vitit 2011, liderët e partive konservatore në Gjermani dhe Francë, Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy, e rritën presionin ndaj Berlusconit, për shkak të politikës së tij në kohën e krizës së euros. Pas rënies së qeverisë, ai është tërhequr. Ndërkohë që fajtorë për gjendjen gjithmonë janë shpallur të tjerët, në radhë të parë Gjermania.
Italia dhe Evropa nuk do t'i gëzoheshin kthimit politik të Berlusconit. Italia mund të rrëshqasë në krizë dhe kaos, ndërsa Evropa do të kishte në qafë një politikan, të cilin presidenti i Rusisë Vlladimir Putin e llogarit ndër miqtë personal. Disa vëzhgues thonë se jo vetëm fytyra e Berlusconit është mpirë prej operacioneve të shumta, por edhe intelekti i tij. Maço 78 – vjeçar do të duhej të dilte në pension, të gjej ndonjë hobby dhe të organizojë party në Milano.