Ju nuk jeni heronjtë e mi

 

Nga Hamdi Nuhiju    

Nuk e paskam ditur se aq shumë njohës të mirë të rrethanave politike dhe shoqërore në Kumanovë paskan qenë disa njerëz nga cepi më i fundit i Shqipërisë për Lagjen e trimave ku i bëra kaq vjet dhe nuk po di kaq shumë gjëra si ato.

Aq shumë teori dolën në pah saqë njeriu turbullohet dhe hutohet, mos po jeton në ndonjë kontinent tjetër e jo këtu. T`i ke lindur dhe je rritur në Lagjen e trimave, dhe habitesh kur lexon e dëgjon teori të ndryshme.

Habitesh se si është e mundur që nga ky rast i nëntë majit nxirren tradhtar dhe heronj. Ajo që më detyroi t`i shkruaj këto rreshta është kjo pjesa e dytë e fjalisë, heronj.

Me nëntë maj, datë të cilën e kam përjetuar së bashku me familjen time, nuk dinim gjë. Deri para asaj date gjithçka ishte në rregull me jetën dhe hallet tona të përditshme. As që kishim problem me dikë e as që na pengonte dikush në jetën tonë të përditshme.

Prej datës nëntë maj e këndej, gjithçka ndryshoi në jetën time dhe të familjes time. Asgjë nuk është më si më parë. Qetësia, harmonia dhe ajo copë lumturie që ekzistonte në familjen time, e ka kapluar frika, ankthi dhe paniku. Secila ditë na duket më e frikshme se tjetra, edhe pse tashmë po e shohim se realiteti nuk është si ajo i datës nëntë maj.

Planifikimet tona për të ardhmen familjare kanë ndryshuar katërcipësh. Edhe pse ende po qëndrojmë aty ku kemi qenë, shpesh herë na sillet ndërmend ideja e ikjes prej Lagjes së trimave në ndonjë vend perëndimor.

Ky është realiteti i familjes time, ndërsa realitete të këtilla mund të rrëfejnë shumë familje të Lagjes së trimave të cilët e kanë përjetuar 9 majin edhe ato si ne.

Ajo që na frikësonte më së shumti në atë datë, ishte se nuk dihej fati i jonë. Nuk dihej se kush me kë po lufton, por vetëm dëgjoheshin krisma, djegie shtëpish, granatime, të cilat na lëkundën nga baza e qetësisë dhe mirëqenies familjare.

Shqiptarët e Lagjes së trimave pas datës dhjetë maj u zgjuan nga gjumi me një lagje të rrënuar. Nuk e besoj se edhe të tjerët e dinë saktë se pse janë djegur shtëpitë e tyre të cilat me vite të tëra kanë punuar për t`i ndërtuar. Nuk e besoj se ata njerëz gjejnë përgjigjen e saktë, se pse duhej që të ndodhte kjo gjë në Lagjen e tyre, në kulmin e tyre të cilën me mish e me shpirt e kanë ruajtur.

Pas datës dhjetë maj e këndej, në punën e përditshme detyrohem që të përgatis lajme, përkthej, e lexoj opinione të ndryshme. Unë nga lajmet kam kuptuar se në Kumanovë paskan luftuar disa komandant të UCK-së të cilët kanë marr pjesë në luftën e Kosovës, Luginës së Preshevës dhe atë të 2001 në Maqedoni.

Mirë që kanë marr pjesë në ato luftëra, kontributin e tyre atje nuk ia kontestoj as unë dhe asnjë shqiptar i Lagjes së trimave. Ato ishin momente historike kur populli i Kosovës u mobilizua për pavarësi të plotë prej Jugosllavisë. Po ashtu moment historik ishte edhe lufta në Luginën e Preshevës dhe atë të vitit 2001 në Maqedoni. Popullata e thjeshtë edhe pse ishte paralajmëruar që ta lëshoj terrenin pasi që do të kishte luftime në Komunën e Likovës dhe në Maqedoni, ato nuk e lëshuan. Por, qëndruan me bijtë më të mirë të popullit për të arritur deri te një qëllim fisnik e mbarëkombëtar.

Historinë e lëmë anash duke mos e prekur. Po kthehemi të realiteti i tanishëm.

9 maj 2015 në Lagjen e trimave në Kumanovë, lagje e banuar tërësisht me shqiptar, popullatë e painformuar prej askujt për të liruar vendet e tyre pasi që do të ketë luftë, nisin luftime këto komandant pa asnjë qëllim të qartë e që do të ishte në dobi, së pari të banorëve të Lagjes së trimave, e pastaj edhe të tërë shqiptarëve të Maqedonisë?!

Ju u vratë në Kumanovë ose në burg, por më falni ju nuk jeni heronjtë e mi. Keni ardhur në Lagjen time, e keni shkatërruar tërësisht, na keni prishur ëndrrat dhe rehatinë familjare.

Heronjtë e mi nuk traumatizojnë gra, fëmijë e pleq shqiptar si dhe nuk prishin pronat e shqiptarëve. Ata bëjnë çmos për t`i mbrojtur ato, shumuar dhe orientuar drejt një ideali.

Shkrimi origjinal u botua në Zhurnal.mk. Autori është gazetar nga Kumanova.

SHKARKO APP