Jugosllavia stërviti 5 mijë shqiptarë kundër Enver Hoxhës

Shërbimi sekret amerikan (CIA) ka nxjerrë të tjera fakte sa i takon rolit që ka pasur gjatë Shqipërisë komuniste. Në një dokument të vitit 1952, i deklasifikuar, jepen detaje mbi një sërë operacionesh që CIA kishte zhvilluar për të futur agjentë sekretë në Shqipëri, por dhe për të marrë informacione mbi situatën në vend. Në pjesën e parë të dokumentit që po publikon gazeta, tregohet se gjatë disa viteve janë përdorur 8 operacione për të futur agjentë, por dhe për të marrë informacione të ndryshme. CIA ka bashkëpunuar me UDB dhe me shërbimet italiane e greke, të cilat e kanë ndihmuar në disa operacione. Aty thuhet po ashtu se shërbimet e huaja përdornin refugjatë për të marrë informacione, teksa përmendte dhe një emër që ka bashkëpunuar me ta.

Situata aktuale dhe mundësitë e objektivave

Shqipëria është një shtet satelit sovjetik me dalje në detin Mesdhe. Është e ndarë nga toka e Italisë, nga rreth 50 milje det. Ajo ka një regjim të ashpër komunist, por natyra luftuese dhe e pavarur e popullit të saj tregon për një potencial të madh të mundshëm anti-komunist. Për këto arsye, duket se ky vend ka marrë shumë vëmendje nga fuqitë e mëdha këto pesë vitet e fundit, ndoshta më shumë se gjatë gjithë historisë së saj dhe mendohet se është kthyer në një objektiv të agjencive të inteligjencës. Por nuk është krejtësisht kështu sepse komentet që vijojnë na tregojnë se kjo zonë është relativisht e parëndësishme dhe ne duhet t’i kushtojmë  vetëm përpjekje minimale për t’u informuar mbi ndonjë ngritje të rëndësisë së saj strategjike. Arsyet fillestare të interesit të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë në Shqipëri vinin prej izolimit gjeografik të vendit. I izoluar nga komunikimi me vendet evropiane, Shqipëria u bë objekt spekulimesh dhe temë bisede për fabrikuesit profesionistë në lidhje me një bazë të madhe nëndetësesh sovjetike në Saseno dhe një platformë raketash balistike në Vlorë, të cilat ishin të vështira për t’u hedhur poshtë nga mungesa e informacionit. Të rëndësishme ishin gjithashtu raportimet për rezistencën e profanizuar ndaj regjimit në rajonet e saj malore, bazuar në situatën e viteve 1945 e 1946 dhe jo në vitet 1947-1948 kur lajmet ishin shpërndarë. Më në fund, pas ndarjes me Cominform (Byroja e informacionit e vendeve komuniste lindore) dhe ndarjen me Jugosllavinë, nuk ishte e sigurt deri në çfarë mase sovjetikët po merrnin kontrollin. Raportimet ishin kontradiktore, disa prej të cilave tregonin një grumbullim të shpejtë të armatimeve sovjetike duke e kthyer në një bastion, teksa të tjera tregonin për një kontroll të anti-komunistëve në disa rajone të vendit.

Synimet e agjentëve sekretë

Si rezultat i kësaj, grupe agjentësh u dërguan në vend, nën ombrellën e mbrojtjes së agjencive amerikane, britanike, greke, italiane e jugosllave. Informacionet e mbledhura nga këto grupe, bashkuar me ato të dhëna nga grupet e diasporës anti-komuniste, si dhe misionet nga deti e ajri, krijuan një kuadër të përgjithshëm të situatës. Ekzistonte një farë rezistence, por anti-komunistët ishin të paorganizuar, pa burime të ardhurash, pa ushqim, armë dhe objekt i ndjekjeve të vazhdueshme. Sa i përket bazave të supozuara të nëndetëseve sovjetike dhe instalacionet e tjera ushtarake, ato rezultuan inekzistente, kurse misioni i gjerë sovjetik në vend ushtronte kontroll të gjerë e të fortë në aspektet ushtarake dhe civile të jetës socialiste në vend. Motivi parësor i dërgimit të misioneve të agjentëve në Shqipëri nuk ishte mbledhja e inteligjencës. Grekët po avanconin me pretendimet e tyre territoriale, kurse italianët po përpiqeshin të rivendosnin sferën e tyre të influencës. Edhe jugosllavët po përpiqeshin të gjenin shenja të afrimit mes vendit dhe qeverisë së Titos, duke u përpjekur të krijojnë një qeveri miqësore në Tiranë. Por përpjekja kryesore nisi nga amerikanët dhe anglezët, të cilët operojnë prapa fasadës së Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Duke përdorur propagandë dhe një numër të madh agjentësh, iniciativa u përpoq të organizonte një lëvizje të gjerë mbarëkombëtare të rezistencës, që më vonë të shërbente si shembull edhe për vende të tjera komuniste. Duket se rezultati neto i përpjekjeve të koordinuara duket se ka qenë vetëm dobësimi i potencialit anti-komunist dhe forcimi i kontrollit sovjetik. Një numër i madh anti-komunistësh të cilët u kapën duke ndihmuar agjentët e huaj u burgosën, u arratisën  ose u ekzekutuan. Të tjerë anti-komunistë ose aspirantë për anti-komunistë, u zhgënjyen nga përpjekjet e fuqive të mëdha, dhe premtimet e grupeve të diasporës për çlirimin e shpejtë të vendit. Më tej, një numër agjentësh të huaj, të kapur e të gjykuar nga komunistët, nuk arritën të siguronin popullatën.

Si dështuan dhjetëra tentativa

Përgjegjësia për këto rezultate të pakënaqshme nuk mund të vihet mbi ndonjë prej grupeve apo fuqive të huaja. Përveç kontradiktave për politikat, edhe vetë natyra e vendit ka punuar kundër suksesit të këtyre operacioneve. Shqipëria është një vend i vogël dhe mbahet me punë dhe ekonomi bujqësore, ajo prej shekujsh ka qenë e pandryshuar. Prandaj është e vështirë që edhe një agjent i dokumentuar mirë të lëvizë në vend, pasi edhe para regjimit aktual arsyet kanë qenë shumë të pakta që një njeri të largohet nga komuniteti i tij. Meqenëse në përgjithësi të gjithë anëtarët e komuniteteve njihen me njëri-tjetrin dhe identifikohen me anë të veçantive të pamjes, veshjes apo dialekteve, është e vështirë që të huajt mes tyre të mos dallohen. Kështu, prezenca e një agjenti inteligjence, përveç rasteve të rralla, dallohet nga numër i madh personash, dhe mbijetesa e tij varet nga unanimiteti i ndjenjës pro apo anti-komuniste të komunitetit. Këto duket se janë edhe arsyet e kontradiktave mes grupeve të diasporës dhe liderëve të emigracionit me sponsorët e huaj. E vetmja fuqi e madhe që ka fituar disi terren në mes të këtij konfuzioni është Jugosllavia. Kjo sepse ata jo vetëm kanë një kufi të gjerë me rajonet luftuese shqiptare të Veriut, por edhe kanë fleksibilitetin ideologjik për të llogaritur se përpjekjet e tyre për krijimin e një grupi nacionalist apo Tito-ist brenda Shqipërisë ishin të pamjaftueshme për të mundur armikun nga brenda strokës së tij. Prandaj, ata po përqendrohen në krijimin e një lëvizjeje kryesisht jo-politike që kërkon një “Shqipëri të lirë, të pavarur dhe vërtet demokratike”, dhe janë hapur ndaj grupimeve të djathta të emigracionit, ata që pak më herët i kishin quajtur “kriminelë lufte, tradhtarë dhe kolaboracionistë”. Është e paqartë sesa seriozisht merren këto slogane nga anti-komunistët shqiptarë, por fakti është se Jugosllavia po strehon dhe stërvit një grup të shkëlqyeshëm prej rreth 5000 shqiptarësh veriorë, që kërkojnë me zell të veprojnë kundër regjimit të Hoxhës. Situata e përshkruar më sipër ka kufizuar seriozisht aftësitë e agjentëve për të kryer operacione inteligjence në Shqipëri.

Mjetet dhe mbulimi

1. Nuk ka aktualisht një pikë zyrtare mbulimi në Shqipëri dhe nuk pritet të ketë një të tillë brenda kufizimeve aktuale të planit.

2. Në vend nuk ka grupe zyrtare të fshehura pas një fasade tjetër pasi udhëtimi në zonat jashtë kontrollit të komunistëve është i pamundur.

3. Analizat e agjentëve dhe të burimeve mund të bëhen në mënyrë logjike në tre mënyra:

Ndërlidhja

Nga shërbimet e ndërlidhjes deri tani më produktivi ka qenë ai me grekët dhe italianët. Informacionet e shërbimeve greke kanë ardhur kryesisht nga refugjatët që kanë kaluar kufirin dhe gjithashtu nga disa operacione greke në Shqipëri. Shërbimet italiane nga ana tjetër, kanë kontribuar me një volum të madh informacioni prej operacioneve italiane, kryesisht me anë të inteligjencës detare dhe vendosjes së agjentëve në anijet që ndalojnë në portet shqiptare dhe që raportojnë mbi trafikun e kombeve të tjera që vizitojnë Shqipërinë. Informacionet e tyre vijnë nga mbikëqyrja e kalimeve në ngushticën e Otrantos. Por ndoshta më e rëndësishme se lidhjet me shërbimet greke e italiane është lidhja jonë e re me shërbimet jugosllave të UDB. Këto shërbime kanë kryer operacione të konsiderueshme në Shqipëri prej rajoneve të Malit të Zi dhe agjentëve në Veri, si dhe nga kufiri maqedonas në Lindje. Operacionet e tyre kanë përdorur refugjatët që kanë kërkuar azil në Jugosllavi, dhe megjithëse dimë ende pak nga rezultatet e kërkimeve të tyre, besohet se ata janë njohës të mirë të çështjeve shqiptare me interes. (Në lidhje me këtë theksojmë se në krye të përpjekjeve jugosllave është Dushan Mugosha, i cili ka qenë më parë emisari i Titos në Shqipëri në vitin 1943 dhe që besohet se është një prej arkitektëve të partisë komuniste Shqiptare.) Në përpjekje për të stimuluar këmbimin e informacionit mes nesh dhe UDB, kohët e fundit i kemi kaluar palës jugosllave një raport të gjerë mbi Shqipërinë dhe  liderët e saj, që është nxjerrë kryesisht nga marrja në pyetje e një dezertori të rangut të lartë shqiptar në vitin 1949. Ende asnjë informacion mbi Shqipërinë nuk na është dhënë në këmbim, por UDB na ka premtuar një vlerësim të situatës në fjalë. Shpresojmë që në kohën e duhur të jemi në pozitë për t’i kërkuar atyre produktet e punës ndër-kufitare. Kemi menduar të kërkojmë pjesëmarrje në operacionet e UDB-së në Shqipëri, pasi ata e konsiderojnë vendin me rëndësi parësore.

b. operacionet e përbashkëta: një tjetër kategori është përdorimi i lidhjeve tona për operacione të përbashkëta, nën mbikëqyrjen tonë dhe me kontrollin që vjen prej sponsorizimi jonë. Në raste të tilla, ne do të përdorim ambientet e ofruara nga shërbimet mike të ndërlidhjes që do të na japin mbrojtje policore dhe na aftësojnë për të kontaktuar me njerëz me mundësi operacionale. Ata do të punojnë për ne dhe do të mbulojnë faktin e pjesëmarrjes amerikane.

Operacionet e pavarura

Ka operacione të zhvilluara dhe të kryera nga vetë agjentë pa ndihmën e shërbimeve të tjera, ose me ndihmë të vogël që nuk mund të merret në konsideratë. Një shembull i kësaj është përdorimi aktual i një hetuesi që po merr në pyetje disa refugjatë shqiptarë në Veri të Greqisë. Ky operacion u konceptua si një projekt i marrjes në pyetje sipas linjave të interesit të agjentëve dhe klientëve të saj, duke mos qenë në mëshirë dhe kontroll të palës greke për probleme që ne nuk na interesojnë.

PLANET E CIA-s

Plani “Bamirësia”

Ky plan (i kryer për nga ana buxhetore si pjesë e planit të gjerë të ndërlidhjes me shërbimet italiane) fillimisht përfshin përdorimin e agjentëve të rekrutuar nga radhët e BKI (Blloku Kombëtar Indepindent), grupi shqiptar i të emigruarve që kanë një farë kredibiliteti në veri të vendit. Operacioni është në kulmin e tij dhe ka tre rrethe aktive, por nisi të bëhej inaktiv në gusht 1951, kur disa agjentë u larguan drejt Jugosllavisë. Megjithëse ne i kemi reduktuar shumë shpenzimet e operacionit, kemi vazhduar të mbajmë lidhje dhe sponsorizime pasi e konsiderojmë grupin BKI si një aset i vlefshëm afat-gjatë, të cilët janë të besuar në zonat veriore anti-komuniste të Shqipërisë më shumë se çdo grup tjetër. Ne kishim shpresuar që një tjetër grup të nisej në Shqipëri kësaj pranvere në bashkëpunim me OPC, për të krijuar kontakte me grupet e rezistencës. Por kjo rezultoi e parealizueshme pasi OPC nuk arriti të vendoste një marrëdhënie të kënaqshme pune mes BKI dhe grupeve të tjera të emigracionit të përfaqësuara në NCFA (Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë). Në mungesë të një marrëdhënieje të tillë, BKI nuk mund të përdoret në mënyrë rezultateve pasi fuqitë e tij të mbledhjes së inteligjencës janë të lidhura me kontaktet e rezistencës. Por është qëllimi ynë të reduktojmë edhe më shumë shpenzimet e operacionit duke vazhduar vetëm shpenzimet për rrjedhjen e informacioneve pozitive të grupit, apo të operacioneve jugosllave në Shqipëri.

Plani “Throttler’

Ky operacion përdor një grup prej tre njerëzish me bazë në Greqi, në një operacion të kalimit të kufirit drejt rajonit bregdetar të vendit. Grupi u dërgua fillimisht në gusht 1951 dhe qëndroi në vend për katër muaj, kohë në të cilën arriti të krijojë kontakte afatgjata për operacionet tona. Informacionet e tyre gjatë periudhës fillestare ishin të rangut smA17; ndërsa qëllimi i operacionit ishte depërtimi në shërbimet ushtarake dhe të sigurimit shqiptar. Lideri i tij demonstroi një kuptim të plotë të misionit të ngarkuar dhe gjendet tani në Greqi duke u stërvitur për rikthimin në Shqipëri së shpejti për misionin e vendosjes së komunikimeve nga brenda vendit.

Plani “Observant”

Ky operacion përdor një informator shqiptar për të marrë në pyetje refugjatët shqiptarë që kalojnë kufirin grek.

Projekti treshja

Ky kriptonim i referohet një operacioni shqiptar të veprimit direkt, që nuk u formalizua kurrë, pasi shpenzimet e vogla aktuale kanë shkuar për operacionin LABEFACTION, i cili mbulon aktivitetet me shërbimet italiane të ndërlidhjes. Agjenti në fjalë erdhi në Greqi në gusht 1950, i cili është vënë nën kontroll nga shqiptari me anë të vëllait të tij, të cilit iu anulua dënimi me vdekje me kusht bashkëpunimin me GAÇESS. Pak pas arritjes së tij në Greqi, me mision për të shkuar në Itali, agjenti u quajt prej nesh GAÇESS dhe nisën përpjekjet për të marrë pranimin e tij në Itali nga autoritetet vendase. Pas shumë kundërshtimesh e shtyrjesh nga italianët, kjo u arrit në janar 1952. Deri tani baza nuk është kontaktuar nga agjenti shqiptar, pasi ardhja e tij në Itali u shty shumë dhe nuk duhen pritur zhvillime të shpejta. Nëse ai nuk kontaktohet së shpejti, do të provojë të kontaktojë me Skënder Konicën, kreu shqiptar në Itali i cili ka shërbyer më parë si agjent edhe në Shqipëri.

PlaniOBI4TO”

Projekti përbëhet nga 25 agjentë që janë përdorur për kalime të kufirit nga shërbimet greke. Ne shpresojmë që të sjellim këta njerëz nën kontrollin e SHBQ dhe 6 tentativa janë kryer për të marrë një bashkëpunim produktiv. Përdorimi i tyre për qëllime inteligjence mund të shpresohen në mënyrë indirekte prej shërbimeve greke, me qëllime kryesisht  të riorganizimit të rezistencës dhe jo të marrjes së inteligjencës, për arsye të mungesës së kualifikimeve teknike.

Plani “Shpresa”

Ky operacion i kryer në koordinim me forcat ajrore dhe të inteligjencës italiane, përfshin përdorimin e avionit P-38 për foto rekonesance në Shqipëri. Që prej vitit 1949, 18 misione njohjeje kanë fluturuar mbi Shqipëri dhe kanë fotografuar fushat ajrore dhe zonën Saseno-Vlorë, ku raportohet të ketë nisur ndërtimi i nëndetëseve. Misioni më i fundit u krye në prill 1942.

Plani “Thornapple”

Një avion ndjekës F-51 na është dhënë kohët e fundit nga forcat ajrore greke për misionet fotografike të njohjes mbi Bullgari dhe Rumani. Por ka raportime se Greqia kërkon të kufizojë aktivitetin e mjetit vetëm për misionet mbi Shqipëri si një test për mundësinë e fluturimeve mbi vendet satelite sovjetike.

Plani “Lavou”

Ky projekt nuk do të aktivizohet për arsye të politikave tona të mosveprimit në rast të aktiviteteve që dëmtojnë marrëdhëniet tona me UDB. Projekti kishte si qëllim operacione jugosllave në Shqipëri, në një përshkallëzim të politikës, ende të padeklaruar, të Jugosllavisë për Shqipërinë.

Punuan: Andi Lamko; Kliti Topalli – INA

SHKARKO APP