Julian Deda për Erjon Veliajn: Mirë se vini në mbretërinë e fiqve…!
Aktori i njohur Julian Deda, dhe gjithashtu pjesë e strukturave të Partisë Demokratike, teksa kandidati i majtë për kryetar bashkie i Tiranës, Erjon Veliaj po shkon drejt një fitoreje të sigurtë, me anë të një postimi në profilin e tij Facebook, e sulmon ashpër këtë të fundit. Deda thotë se Veliaj nuk mund të merrte asnjë votë nga ana e tij dhe se ai personalisht nuk ka asnjë meritë në këtë fitore, përkundrazi, aktori pretendon se fitoi prej hijes së Edi Ramës, madje atë që pritet t'i marrë çelësat e bashkisë kreut të partisë së tij dhe të opozitës, Lulzim Basha, e krahason me "një shitës fiqsh".
Ja çfarë shkruan Julian Deda, në profilin e tij Facebook, për Erjon Veliajn:
Ky njeri do mbahet mend si njeriu që ktheu gënjeshtrën dhe mashtrimin në institucion. Sipas modelit të Erit, diplomat që keni marrë me munde, merrini, grisini dhe hidhini në hale, sepse nuk ju nevojiten. Nuk është e rëndësishme shkolla apo diploma, rëndësi ka servilizmi. Eri na mësoi se të kesh një shtylle kurrizore nuk është me një vlerë, por të bëhesh urë është modeli dhe shembulli që të jep vota. Eri na mësoi se si nevoja për vota të bën të deformosh jetën, historinë personale, madje ta vjedhësh atë nga dikush tjetër dhe ta servirësh si tendën. Eri është i vetmi kandidat në historinë e Bashkisë së Tiranës, që nuk ka asnjë votë personale dhe votat që atij po i numërohen sot janë thjesht vota të Edi Ramës. Ky është edhe shkaku që ai u vetë-identifikua si xhonRama. Pra, Eri i fiqve, do jetë i pari kryetar bashkie i zgjedhur, por që nuk e do askush, kur them askush, kam parasysh as të tijët.
Nuk i vë faj askujt që e votoi, por t'ju sqaroi e kam për detyrë. E votuat, sepse ai ju mashtroi dhe ju e besuat, sepse ai u viktimizua dhe ju e mëshiruat me votë. Po pse vetëm kaq duhet për t’u bërë i pari i qytetit..?? Më vjen keq që do bëheni pishman ju që i dhatë votën, përfshi këtu edhe aleatin e vet medemek strategjik, i cili me një sms të thjeshtë 24 orë para votimit urdhëron votuesit ta votojnë edhe pse më 1 muaj fushatë nuk ja përmendi një herë emrin. Shumë shpejt do të pendohen, për të mos thënë se që tani po i ikën truri nga braktisja dhe lënia në baltë nga partia “mëmë”, si pasojë e secilies aleati strategjik nuk mori asnjë Bashki, por ç’e do, tani është tepër vonë.
Eri nuk mund të jetë dhe nuk është kryebashkiaku im, sepse ai nuk më përfaqëson, sepse ai nuk është modeli më i mirë për t’u ndjekur.