Kalaja e Rozafës, tërheqëse për vizitorët edhe në mbrëmje. Rama poston videon magjike
Kalaja e Rozafës e stiluar me ndriçim të veçantë këtë fundvit, po mirëpret vizitorët jo vetëm gjatë ditës, por edhe në orët e mbrëmjes. Ndriçimi i cili ravijëzon konturet e një prej dëshmive më tërheqëse të historisë shqiptare, e ka shndërruar kalanë e Rozafës në një pikë takimi për vizitorë vendas dhe të huaj, që dëshirojnë të shijojnë mbrëmjet mes historisë, si edhe panoramën mbresëlënëse të qytetit të Shkodrës nga lart.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet e kalasë së Rozafës, ku dukshëm elementi i ndriçimit e ka shndërruar atë në një vepër artistike dhe kulturore të qytetit të Shkodrës. Deri në muajin gusht ajo është vizituar nga 124 856 turistë vendas e të huaj.
Kalaja e Rozafës është një prej fortifikimeve më të rëndësishme që gjenden në vendin tonë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ajo ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Hyrja kryesore për në kala ndodhet në verilindje.
KOHA JONË SONDAZH

