Kampi në Manzë “u shkri” por jo hallet. Qytetarët pa strehë, mes sëmundjeve dhe varfërisë
Nuk ka kamp me çadra në Manzë. Rreth 14 familje që ishin aty prej dy javësh janë zhvendosur mbrëmjen e së hënës nga qeveria.
Nuk ka kontenierë, por çadrat e tyre janë zhvendosur përpara pallateve apo banesave të shkatërruara.
“Plakun e kam me operacion në këmbë, ka pasur thyerje këmbe.E kam sëmurë dhe nuk i bëjnë strehim. E deshëm një kontenier. por nuk na e dha njeri.”
Kësaj familje me 7 anëtare shtëpia i është shkatërruar që në tërmetin e 21 shtatorit.
Ata morën një shtëpi me qira, e cila sot është e pabanueshme. I sëmurë me tumor, i zoti i shtëpisë qëndron në shtëpi dhe pse kjo banesë është e rrezikshme.
“Nuk duam as veshëmbathje, as bukë dhe as ujë. Duam një strehim. Plakun e kam të sëmurë, me dializë. Kemi mbetur në rrugë të madhe.Nuk mjundem të lëviz se kam bagëtinë, kam tre lopë këtu. Na kanë thënë se shtëpia është e pabanueshme, mos rri brenda. Nuk kam ku shkoj.”
Ka një fëmijë të sëmurë, tjetrit i ëshë thyer këmba gjatë tërmetit, por kjo familje e përbërë nga 7 anëtarë është larguar nga kampi i çadrave në Manzë.
“Na thanë sa të kaloni andej do t’ ndihmojmë. Askush nuk ka ardhur. Vetëm hoqën çadrat. I dua shtetit vetëm një copë shtëpi, të fus kokën dhe kalamajtë të rri e qetë. Nuk e përballoj dot.”
Kjo zonjë nga Durrësi prej dy javësh ishte vendosur në çadrat e Manzës, por sot me dy fëmijët e saj është në mes të katër rrugëve.
“Isha vetëm me dy kalamajtë, shtëpia është e prishur por këta nuk duan të futen atje se kanë frikë”.
Kjo është familja e Adës, e cila solli në jetë fëmijën e saj vetëm pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ajo bashkë me foshnjen është në kontenier, por ka një kërkesë për qeverinë.
“Ne duam një shtëpi aq sa e kishim.”
/Ora News