Kanabis-sativa në nivelin më të lartë të “eksporteve shqiptare”

 Nga Miltiadh  M. Muçi*/Ajo që ndodh në vendin tonë, me kultivimin e kanabis-sativës, prodhim bujqësor kryesor i “eksporteve shqiptare”, na rrezikon mbylljen e dyerve të Europës, për t’u bërë anëtar i saj, prandaj mu desh ta ndjek me  kujdes, intervistën e njërit “lidership” të Policisë së Shtetit, më 14 gusht 2016, në emisionin “Opinion” të NEWS-24, me objekt “program i veçantë i veprimtarisë së Policisë së Shtetit, në luftën kundër kanabis-sativës”, për të cilën janë kryer 600 operacione, me angazhimin e 4500 efektivave të policisë, duke rritur forcën e zbulimit dhe goditur grupet që e kultivojnë.

Nga intervista, si asnjëherë teleshikuesi mësoi se “kultivimi bëhet në zona të thella, toka pa pronarë dhe jo në të gjithë vendin”. Prononcimin e parë  për kultivimin e kanabis-sativës e kam bërë dy muaj më parë, në “Koha Jonë”, me titull: “Një vit nga vrasja e policit Ibrahim Basha dhe metastazat e Lazaratit”. Që nga titulli i shkrimit të sotëm, pa i përmendur përgjigjet e “lidershipit” të intervistës, vërtetë se mund të besohet që Policia e Shtetit, lufton për parandalimin dhe zbulimin e veprimtarisë së kultivimit të kanabis-sativës?

“Lidershipi” i Policisë së Shtetit, në intervistë nuk dha asnjë shifër, të informonte se në cilët rrethe nuk kultivohet deri më sot, më saktë nëse ka ndonjë rreth, zonë apo fshat ku nuk është kultivuar, kur ajo është përhapur dhe atje që vite më parë nuk ka qenë kultivuar. Sa shumë e pafuqishme është Policia e Shtetit, ndaj kultivuesve të kanabis-sativës dhe grupeve të trafikimit, kuptimplotë është mosdhënia e një shifre, sa është parandaluar, kur në “600 aksionet” çdo ditë priten e digjen mijëra rrënjë, edhe pse pa autorë të arrestuar, por vazhdohet të punohet “për identifikimin e tyre”, ndërsa më pas kapje dhe arrestime mospërfillëse. Këto operacione më kujtojnë dhe duken njësoj si ato të qeverisë “Nano”, në fundin e viteve ’90, kur Policia e Shtetit, në prani të kryeministrit dhe ndërkombëtarëve, mblodhi dhe dogji për show mediatik, në Gjirin e Vlorës, disa gomone me të cilat bëhej trafikimi i qindra dhe mijëra shqiptarëve, kur trafikantët edhe më pas shkaktuan dhjetëra e qindra viktima, si ajo e 9 janarit 2004.

Shifrat e mësuara, të vetmet, se janë kryer 600 operacione me 4500 forca të efektivave të policisë, tregojnë ç’kam theksuar në shkrimin e dy muajve më parë për metastazat e Lazaratit, se mobilizimi i të gjithë efektivave të policisë, duke “braktisur” tërësisht detyrat e ruajtjes dhe sigurisë së jetës, të shëndetit dhe pronës së shtetasve, kurrsesi nuk do të mjaftojnë.

 “Lidershipi” i Policisë së Shtetit në intervistë, i ndodhur ngushtë bëri  lajthitje, disa të pajustifikueshme, se kultivimi kryhet në “tokat pa pronar”, kur s’ka pëllëmbë të mos u përkasë personave apo shtetit si pronë, me qira apo në përdorim, që janë përgjegjës të shfrytëzimit dhe administrimit të saj. Kjo nuk është lajthitje e rastit, por e paramenduar, e përdorur dhe nga “lidership” koleg të tij, duke “justifikuar” se përgjegjësia bie ndaj të tjerëve, sikurse vazhdojnë ta justifikojnë përgjegjësinë e vjedhjeve të bankave, sepse i takon vetëm policisë private, si në rastin e Rinasit, ndërsa “autorët e ardhur, zbritën nga ajri dhe u larguan nga aeroporti nëpërmjet tokës”, me mjetin e braktisur në rrugën e “Kavajës”, të gjetur tek pallati me shigjeta.

Nga intervista e “lidershipit”, edhe më bufatorike është përgjigja, se aksidentet automobilistike janë 15% më të ulëta, se të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, krahasime të dëgjuara çdo vit, që do të thotë se “kanë zbritur ose do të zbresin në zero”, sikurse ndodh dhe  me shifrat e krimeve, vrasjet e vjedhjet “kanë zbritur në zero”, kur duke qenë dëshmitarë konstatojmë, se në çdo vit pësojnë vetëm rritje. Këto realitete të gjithë ne duhet t’i besojmë, sepse “lidershipi” i Policisë së Shtetit asnjëherë nuk gënjen, çuditërisht statisticienët e ndodhur pranë tij e gënjejnë. Kujtoj lexuesin, ashtu si në fillimin e viteve ‘90, qeveria Berisha zhvilloi “eksportin e karburantit” nëpërmjet Malit të Zi, në vitet e saj qeveria “Rama” zhvillon eksportin e kanabis-sativës nëpërmjet Italisë, ku u kapën 4 ton pak ditë më parë vetëm në një skaf.

*Jurist – ekspert Kriminalist i Pavarur

SHKARKO APP