Kanceri i gjirit, çdo vit 400 raste të reja

Muaji tetor njihet si muaji i ndërgjegjësimit për luftën ndaj kancerit të gjirit. Faktikisht në vendin tonë, sipas të dhënave të ISHP-së, janë rreth 350-400 raste që shfaqen çdo vit me këtë sëmundje. Ndërkohë që shqetësues është edhe fakti se ende vdekshmëria nga kanceri i gjirit mbetet shumë e lartë. “Numri i rasteve është në rritje, 400 raste të reja në vit është relativisht e lartë, dhe karakteristikë është rritja e rasteve dhe prekja e moshave të reja”, shprehen specialistë të ISHP-së. Sipas tyre, karakteristikë për Shqipërinë është fakti që femrat paraqiten në stade shumë të avancuara dhe vdekshmëria është shumë e lartë. Ndaj muaji tetor shërben si një apel për parandalimin e kancerit të gjirit nëpërmjet vetëkontrollit dhe kryerjes së mamografisë. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune te Spitali Onkologjik në kuadër të luftës kundër kancerit të gjirit, ka deklaruar se pranverën e vitit të ardhshëm, do të pajiset me një aparaturë të dytë akseleratori linear, çka do të bëjë të mundur uljen e ndjeshme të radhës së pritjes për të gjithë pacientët, të cilët kanë nevojë për trajtim me rreze.

Investimi

Shefi i Shërbimit të Onkologjisë, Agim Sallaku ka bërë me dije se me investimet e bëra përgjatë këtyre viteve të fundit, është ulur ndjeshëm radha e pritjes së pacientëve, të cilët kanë nevojë për kryerjen e rrezeve, apo edhe ekzaminimeve të tjera të nevojshme. Sipas tij, lista e pritjes tashmë ka shkuar vetëm në një muaj, ndërkohë që në spitale publike në vende të ndryshme në botë nuk është më pak se dy muaj. “Po punojmë me kapacitet të plotë. Kemi rreth 1 muaj listë pritjeje, që në çdo vend të botës në sistemin publik, radha e pritjes është jo më pak se 2 muaj”, – ka theksuar Sallaku. Ndërsa ministri i Shëndetësisë ka bërë me dije se pranverën e ardhshme, investimet në këtë spital do të finalizohen edhe me një aparaturë tjetër akseleratori linear, në mënyrë që shërbimi bashkëkohor të ofrohet për më shumë pacientë dhe në një kohë më të shpejtë. “Praktikisht, ne kemi vënë një, po kudo mjekët kërkojnë që këto të jenë gjithmonë çift. Bashkë me pajisjen e dytë, që unë shpresoj që në pranverë ta vëmë në punë, neve na shkon i gjithë investimi 8 milionë dollarë”, – ka pohuar Beqaj. Ndërkohë, në vijim të mesazheve sensibilizuese në muajin e ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, si çdo vit në tetor, deputetët e PS-së gjatë takimit bënë thirrje për rritje të shkallës së ndërgjegjësimit të grave për kontrolle parandaluese duke përfituar nga shërbimi falas i mamografisë, pasi diagnostikimi në kohë i kancerit të gjirit, ndihmon edhe në trajtimin më efikas të sëmundjes. “Kanceri i gjirit është një plagë shumë e thellë dhe beteja ndaj kësaj sëmundjeje fitohet me anë të depistimit, ku çdo grua duhet të tregojë kujdes duke kryer në kohë kontrollet. Nismat shoqërore kundër kancerit të gjirit duhet të jenë edhe më të shumta, pasi vetëm kështu do të mund të shpërhapet sa më shumë informacion për këtë sëmundje, dhe të rritet ndërgjegjësimi për kryerjen e kontrolleve”, u shprehën deputetët.

Kontrolli

Një nga llojet më të përhapura të kancerit te gratë është kanceri i gjirit. Sipas statistikave, 1 në 8 gra është diagnostikuar me kancer gjiri në botë. Sipas mjekëve specialistë të spitalit Onkologjik, nëpërmjet kontrollit mund të shpëtohet jeta e grave të sëmura. “Është një vetëkontroll i gjirit që mund të bëhet një herë në muaj, është një kontroll te mjeku, është ekografia për moshat 20-40 vjeçe dhe mamografia për moshat mbi 40 vjeçe”, sqarojnë mjekët. Kanceri i gjirit karakterizohet nga simptoma pa dhimbje, duke bërë që shpesh të neglizhohet, ndërkohë që agravohet me kalimin e kohës. Kontrolli i vazhdueshëm bën të mundur zbulimin e sëmundjes në hapat e parë të saj, duke krijuar kështu mundësinë për kurim dhe shërim të plotë të pacientëve. Gjëndra të formuara në gjoks: çdo lloj kokrre e fortë në gjoks mund të jetë shkak për t’u shqetësuar, sepse paralajmërojnë për ndonjë tumor të mundshëm, prandaj është shumë e rëndësishme të konsultoheni me mjekun në këto raste./GSh/

SHKARKO APP