Kandidati i LSI-së, Gjuzi: PS e PD të mos guxojnë të vjedhin vota
Për tre vjet e gjysmë bëri realitet ëndrrat e 30 mijë familjeve durrsake, duke i bërë pronarë të banesave e bizneseve të tyre me dorëzimin e certifikatave të legalizimit. Së bashku me ekipin e tij, duke punuar fort 7 ditë të javës, ai ka përmbushur një mision që dukej i pamundur në fillimet e tij. Flamur Gjuzi, kandidati i LSI-së, i cili drejtoi zyrën e ALUIZNI-t në Durrës, u kandidua nga baza e kësaj partie për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke i besuar përfaqësimin e durrsakëve, një detyrë edhe më të rëndësishme. Ish-punonjësi i policisë Gjuzi spikati në vitin e mbrapshtë të ’97-ës kur mbrojti me jetë komisariatin e Durrësit nga djegia prej huliganëve. Ai njihet si një prej punonjësve-model të policisë-model, por edhe një prej avokatëve të shkëlqyer, deri në momentin që mori drejtimin e ALUIZNI-t.
Flamur Gjuzi, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, tregon me bindje se LSI-ja do të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit, duke thënë se avantazhi i LSI-së është ekipi fitues i përbërë nga djem e vajza durrsake, i cili drejtohet nga Lefter Koka, ministri që udhëheq me premtime të mbajtura fushatën. Gjuzi deklaron se në parlamentin e ardhshëm do të jetë zëri i të gjithë durrsakëve pa përjashtim, të cilëve ua njeh hallet, dhe zëri i të gjithë ish-kolegëve të tij të policisë, të cilëve u njeh sakrificën që bëjnë për të mbrojtur e siguruar jetën e rendin publik. Si ish-avokat u drejtohet edhe avokatëve të Durrësit ta mbështesin e ta votojnë. Gjuzi ka edhe një apel drejtuar dy forcave të tjera politike: Askush të mos tentojë të blejë vota!
Zoti Gjuzi, si drejtor i ALUIZNI-t në Durrës, në tre vjet e gjysmë keni legalizuar 30 mijë banesa në të gjithë rrethin. Propozimi për kandidimin tuaj, erdhi nga baza e LSI-së apo ishte dëshira juaj?
Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, nga viti 2013 deri në vitin 2017 ishte më e suksesshmja në rang republike. Në 8 vjet ishin legalizuar 2.400 objekte, ndërsa ne legalizuam 30 mijë objekte. Jam krenar, dhe kjo është meritë e ekipit tim, e atyre djemve dhe vajzave që punuan 7 ditë të javës pa ndërprerje. Kandidimi erdhi nga baza e LSI-së, dhe u përkrah nga miku im Lefter Koka dhe u miratua pa asnjë mëdyshje nga kryetari Ilir Meta. LSI-ja është konsoliduar dhe vjen si një forcë kryesore e rëndësishme politike në këtë fushatë zgjedhore. Në zgjedhjet e vitit 2013, LSI-ja për pak vota ka humbur mandatin e deputetit të dytë. Në ndryshim nga zgjedhjet e 2013-ës, këtë radhë LSI-ja në Durrës ka hyrë pothuajse në çdo qelizë të bazës.
Cili është synimi i LSI-së dhe i juaji në këto zgjedhje?
LSI-ja kandidon si e barabartë me forcat e tjera. Ne kemi besimin e madh që pas 25 vitesh demokraci, LSI-ja do të jetë e para forcë politike e dalë nga këto zgjedhje si rezultat i premtimeve të pambajtura nga PD e PS që kanë drejtuar qeverinë. LSI-ja prej 10 vjetësh ka rritje të elektoratit të saj. Në Durrës është e garantuar që do t’i fitojë zgjedhjet. Kjo falë shërbimit që qytetarët kanë marrë në ato institucione që janë drejtuar nga LSI-ja. Në qarkun e Durrësit, Rilindja të vetmin premtim që ka mbajtur janë legalizimet. Asnjë premtim tjetër nuk ka mbajtur.
Pse duhet t’ju votojnë ju dhe LSI-në pa përjashtim të gjithë qytetarët e Durrësit?
Ndryshe nga PD e PS, LSI-ja në listën e deputetëve të Durrësit ka kandiduar djem e vajza durrsake që ia dinë hallet këtij qyteti.
Durrsakët e dinë që ka përfunduar koha e turistëve politikë që vijnë thjesht për një muaj për të bërë premtimet e radhës, për të marrë mandatin e deputetit apo të ministrit, dhe nuk bëjnë më asgjë për durrsakët. LSI-ja kryesohet nga Lefter Koka, i cili ka qenë i vetmi zë në parlament për hallet e qytetit të Durrësit, ndryshe nga deputetët e PS-së e PD-së. Prandaj them me bindje që LSI-ja do të jetë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit në Durrës.
Cilat janë avantazhet që keni përballë kandidatëve të partive të tjera?
Listat e tyre kryesohen nga persona të katapultuar në këtë qytet. LSI-ja kryesohet nga ministri Lefter Koka. Ky është avantazhi me të cilin hymë në fushatë. Të shikosh listat e PS-së, do të shkosh te numri 4 të shikosh të parin durrsak; te lista e PD-së do të shkosh te numri 5 për të parë kandidat durrsak. Prej kapitenit tonë Lefter Kokës e deri tek i 14-ti janë bij të Durrësit, dhe ky është avantazh. Qytetarët me votën e tyre duhet t’i ndëshkojnë këta turistë politikë. Në listat fituese të PD-së dhe të PS-së nuk ka asnjë kandidat nga listat e vitit 2013; ndryshe ndodh te LSI-ja, që kandidatët janë po të njëjtë. Ekipi ynë ka përfaqësues nga të gjitha komunitetet dhe të gjitha moshat. Qytetarët duhet të votojnë njerëzit e tyre, jo ata që nuk e njohin këtë qytet por vijnë si turistë.
Qytetarët durrsakë ju mbajnë mend që herët, si ish-drejtues policie në Durrës dhe në rrethe të tjera. Po ashtu edhe si avokat i suksesshëm. Cila është motoja e suksesit të Flamur Gjuzit?
Karriera ime profesionale nisi si drejtues policie dhe prej vitit 2006 kam punuar në profesionin e avokatit. Iu bëj thirrje ish-kolegëve të mi të policisë që të më votojnë, sepse unë ua njoh hallet dhe do të jem zëri i tyre në parlament për të gjitha shqetësimet që kanë. Po të njëjtën kërkesë u bëj edhe ish-kolegëve avokatë të Durrësit. Ka ardhur dita që të votojnë njërin prej tyre. Vënë jetën në rrezik dhe u mungojnë familjeve.
Zoti Gjuzi, ju dhe disa prej miqve tuaj, në vitin e mbrapshtë të ’97-ës keni mbrojtur komisariatin e Durrësit. Shumë institucione u dogjën në marsin e atij viti të mbrapshtë. Si e kujtoni atë kohë?
I vetmi komisariat në republikë që shpëtoi pa u djegur ishte komisariati i Durrësit. Ishte një situatë lufte. Isha me 14 kolegë të tjerë, një pjesë kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Ne e mbrojtëm komisariatin pa u djegur asnjë letër. Turmat kishin dalë jashtë kontrollit, donin të digjnin komisariatin pasi kishin djegur objekte të tjera të rëndësisë së veçantë. Ne kishim informacione që do të sulmohej komisariati, ndaj u pozicionuam në rrethimin e komisariatit dhe u bëmë thirrje turmave që të zmbrapseshin. Ishin turma të egërsuara, por u thamë se nuk do të lejonim që të digjej komisariati i Durrësit dhe se do ta mbronim me jetë. U thamë që do të përdornim armët dhe nuk do ta dorëzonim policinë në duart e huliganëve. I qetësuam turmat dhe më pas u larguan, duke shpëtuar kështu komisariatin. Më pas u krijuan grupet e bashkëpunimit midis policisë dhe qytetarëve. Profesionin e policisë e kam dashuruar, dhe ndjej keqardhje të madhe për ish-kolegët që janë të papaguar dhe rrezikojnë jetën e tyre në operacionet policore në çdo moment. Ata nuk paguhen asnjëherë për atë sakrificë që bëjnë. Prandaj iu them që do të jem zëri i tyre në parlament.
Zoti Gjuzi, cili është mesazhi që përcillni për durrsakët?
Unë jam në ish-njësinë e Rrashbullit si koordinator i zgjedhjeve. Fushata ka shkuar mirë dhe ne vërejmë që jemi në çdo qelizë e çdo familje durrsake. Unë jam bir i kësaj zone dhe i njoh të gjithë këtu. Vërej se kundërshtarëve tanë politikë u ka hyrë frika në palcë. Ne bëjmë takime me elektoratin për problemet që kanë dhe menjëherë sapo ikim ne, bashkia u hedh çakëll rrugëve dhe lidh telat e dritave. Vërej që në 25 vjet nuk ka pasur rrugë në këto zona rurale, tani po i bëjnë për fushatë. Unë i siguroj kundërshtarët politikë që votat nuk mund të merren as me çakëll, as me thasë mielli e as me blerje votash, sepse parlamenti shqiptar miratoi ligjin që ata që blejnë e shesin votën ndiqen penalisht. U bëj thirrje kundërshtarëve të mi politikë të mos guxojnë që të blejnë qoftë edhe një votë të vetme në Durrës! Të mos harrojnë që kanë të bëjnë me një ish-drejtues policie që i di të gjitha metodat për blerje votash. Nuk do të kenë asnjë shans për të blerë vota. Populli nuk do të votojë turistë politikë që vijnë për një muaj dhe më pas zhduken. Në këtë zonë, banorët do të votojnë djalin e tyre, bashkëfshatarin e tyre, njeriun i cili u shërbeu për 4 vite, Flamur Gjuzin dhe LSI-në. Ka ardhur koha t’i japim fund votimit të njerëzve të PD-së e PS-së, turistëve politikë, sepse pasi mashtrojnë qytetarët e Durrësit, shkojnë në një qark tjetër, saç është rasti i ish-ministrit të Shëndetësisë. Mashtroi durrsakët e të gjithë shqiptarët me shëndetësi falas dhe më pas iku në Dibër të mashtrojë dibranët. Të vetmit kandidatë për deputetë janë të LSI-së, nga i pari Lefter Koka deri tek i 14-ti. Jam i bindur që më 25 qershor, si në Durrës, edhe në të gjithë Shqipërinë, fituese do të dalë LSI-ja me ekipin e saj. /G.Sh