Kandidati i PS presion aktivistes 18 vjeçare, ministri i LSI-së akuza të forta
Ministri i Transporteve Sokol Dervishaj, përmes një statusi në facebook, ka akuzuar kandidatin e Partisë Socialiste në Sarandë Alket Hyseni. Dervishaj, shkruan se një kandidat i PS-së, i ka bërë presion një aktivisteje të LRI-së, duke i shkuar në zyrën elektorale të LSI-së.
Dervishaj bën të ditur se kandidati, të cilin e quan Uriah Hipi, një nga personazhet e urryera në librin e Dickens, “David Copperfield”, ka ofenduar 18-vjeçaren duke i lënë takim në zyrën e PS-së.
STATUSI I NE FACEBOOK I MINISTRIT
Të frikësuar nga humbja e thellë që do kenë në Sarandë dhe gjithë Shqipërinë, rilindja ka rënë në dëshpërim të thellë.
Jo më larg se sot kandidati rilindas për Sarandën me arrogancën e pushtetit, ka shkuar në zyrat e LSI dhe i ka bërë presion Esmeraldës aktivistes së LRI.
Uriah Hipi, përveç ofendimeve i ka lënë takim 18-vjeçares në zyrën e rilindjes!
A kuptoni miq, ku ka degjeneruar rilindja.
Por ky nuk është rasti i vetëm i presioneve ndaj LSI, ka me dhjetëra në Sarandë dhe qindra në gjithë Shqipërinë. Edhe ndaj kandidatëve të LSI dhe familjeve të tyre.
Ky rast i shëmtuar presioni por edhe raste të tjera të shantazhit dhe presionit ndaj mbështetësve të LSI Sarandë, i janë dërguar OSBE/ODIHR dhe gjithë ambasadave.
Dua t’i bëj thirrje Uriah Hip-it të tërhiqet nga presionet ndaj LSI, sa nuk është vonë, sepse LRI nuk i trembet asnjë presioni ardhur nga oligarkët.
Sulme të tilla na bëjnë më të fortë që në 25 qershor, bashkë me shqiptarët të votojmë numrin 1, sepse shqiptarët janë një popull me virtyte të larta dhe të lashta, dhe nuk mund të durojnë shfaqe të tilla të lashta.
Uriah Hip-it i them të mos e shpërdorojë emrin e mirë dhe fisnikërinë e popullit të Tepelenës. Kjo shfaqje e shëmtuar nuk është Shqipëria që duam.
Më 25 qershor të gjithë së bashku rreth numrit 1, për një shtet me dinjitet dhe 1 shans për të gjithë.