Kandidatja e LSI i përgjigjet mjekut: Ne erdhëm për të të respektuar, pa menduar se do na përgojoje!
”Unë dhe miqtë e mi të rinj erdhëm tek ju si miq, pa menduar se do të na përgojoje e do të ndjeheshe i tallur!”, kundërpërgjigjet kandidatja Rea Kotani e LSI-së pas shkrimit të mjekut Tritan Kalo.
”Po ju doktor përse jeni ndjerë i tallur?
Ngaqë unë jam një vajzë e re njësoj si tre vajzat e tua që megjithëse jetojnë në Kanada bashkë me nënën e tyre, jam e bindur që e duan vendin e tyre po kaq sa e dua edhe unë që jetoj e shkollohem këtu?”, vazhdon më tej Kotani.
Kalo i sulmonte rëndë, duke i quajtur jo vetëm fëmijë por edhe ”elif-matrakër”, që do të thotë shumë i paditur por me konotacion edhe më negativ.
”Apo të na ndodhë si me këtë Parlament, kur opozitën Ligjit mbi Reformën në Arsimin e Lartë nga ana e LSI-së e bënte një vajzë, e cila ende nuk i ka kryer studimet Universitare…ME fëmijë dhe elif-matrakër të tillë do të vijoni ti bëni këto gjëra madhore???…Quo vadis Shqipëria ime!!!”, shkruante Kalo.
DEBATI I PLOTË:
REA KOTANI: ” Ne erdhëm për të të respektuar doktor Tritan Kalo!…”
Me keqardhje dhe zhgënjim lexova shkrimin tuaj Doktor Tritan Kalo, teksa vizitën tonë miqësore e me shumë edukatë në shtëpinë tuaj, ju e paskeni perceptuar e përjetuar për fat të keq si tallje!
Në kuadër të fushatës zgjedhore kemi trokitur e shkuar në qindra shtëpi; në shtëpi njerëzish të thjeshtë e me plot halle e vështirësi, në shtëpi të papunësh, por edhe në shtëpi njerëzish të shquar, të përkëdhelurish prej fatit apo edhe në shtëpi njerëzish që nuk e duan LSI-në, por gjithkund, e përsëris gjithkund na kanë pritur si vajzat e tyre; më kanë dëgjuar e më kanë pyetur, edhe më kanë kundërshtuar e kritikuar, por askund nuk ma kanë mbyllur derën. Përkundrazi, më kanë përcjellë me mirësi prindi.
Po ju doktor përse jeni ndjerë i tallur?
Ngaqë unë jam një vajzë e re njësoj si tre vajzat e tua që megjithëse jetojnë në Kanada bashkë me nënën e tyre, jam e bindur që e duan vendin e tyre po kaq sa e dua edhe unë që jetoj e shkollohem këtu?
Apo ngaqë unë jam me LSI-në jeni ndjerë ju i tallur?
Kjo është një zgjedhje krejt personale dhe unë e kam bërë me bindje dhe punoj për LSI-në me shumë përkushtim, sepse LSI më ka dhënë mua dhe brezit tim shansin për të vendosur vetë e për të përfaqësuar brezin tim!
Unë dhe miqtë e mi të rinj erdhëm tek ju si miq, pa menduar se do të na përgojoje e do të ndjeheshe i tallur! Erdhëm edhe me kënaqësinë që do të takonim një mjek të njohur, që të të mund të të jepnim edhe ndjesinë e respektit për një brez që nuk pranon, madje refuzon të qëndrojë indiferent!
Mikpritja është virtyt, është edhe fisnikëri. Është qytetari!
Por ja që nuk qenka e thënë që të jesh mjek, doktor a profesor e domosdo je edhe bartës i këtij virtyti!
Ndërsa përgojimi i mikut është poshtërsi, edhe nëse miku është një fëmijë, siç më quani ju!
Nejse, punë për ju e gjitha kjo! Por nuk e di se si do të ndjehen vajzat tuaja që ju, babai i tyre mjek, u ndjetë kaq i tallur pa asnjë të drejtë vetëm e vetëm që unë në shenjë respekti për ju dhe me dëshirën për të takuar doktorin që për të qenë i tillë duhet të ketë vlerë të parë humanizmin, erdha e trokita në derën tuaj?!
Me respekt
Rea Kotani
Kandidate për deputete e LSI në Qarkun Tiranë
TRITAN KALO: Lërini të rriten….Mbrëmë tre të rinj, dy vajza dhe një djalë trokitën në derën time…Vajza e parë mu prezantua si “Kandidatja e LSI-së për Deputete e Njësisë Administrative nr. 7”, dhe dy të tjerët si shoqëruesit e saj, të kësaj fushate portë më portë…Deri këtu asgjë e keqe, sepse një prezantim i thjeshtë dhe pa bujë shpesh mua si individ, më len shije shumë më të mirë se ato prezantimet e zhurmëshme e plot bujë nëpër tubimet elektorale…
AJO që mua më shqetsoj ishte fakti se, vajza e cila pretendonte të hyne në Parlamentin e Ardhshëm nuk e kishte kapërcyer me siguri pragun e 20 viteve…Ende një e re pothuajse fëmijë e cila duhet të formohet, të edukohet, të profesionalizohet përpara se të përdoret, si një “front-runner” në fushën e politik-bërjes…
AJO do të jetë një nga Ligjbërëset e ardhëshme të Parlamentin tonë, kur vetë nuk e ka formimin minimal si atë profesional po ashtu edhe atë kulturor, për të marë mbi vetë një barrë të tillë…PËRSE e deformoni në këtë mënyrë dhe në këtë shkallë brezin tonë të ri???….
NUK bëhet fjalë për ndonjë Revolucion dhe dihet forca e roli i Rinisë në të, as nuk bëhët fjalë për zgjedhjet në Forumet e LRI-së, POR për zgjedhjet PARLAMENTARE të atyre individëve, të cilët në katër vitet e ardhëshme do të hartojnë Ligjet për ndryshimet Kushtetuese, ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Jetësimin e Dekriminalizimit të Parlamentit, të Jetësimit të Reformës në Drejtësi, Hapjen e horizonteve për Ringritjen ekonomike të vendit, Hapjen e mundëshme të Negociatave për Pranimin në BE, etj….
Apo të na ndodhë si me këtë Parlament, kur opozitën Ligjit mbi Reformën në Arsimin e Lartë nga ana e LSI-së e bënte një vajzë, e cila ende nuk i ka kryer studimet Universitare…ME fëmijë dhe elif-matrakër të tillë do të vijoni ti bëni këto gjëra madhore???…Quo vadis Shqipëria ime!!!”