Kanita e ”X Factor”, një zonjushë tek ”Kënga Magjike” (VIDEO)
Pavarësisht se mund të mos e keni ndjekur X Factor Albania, fenomenin-Kanita, një 11-vjeçare që këndonte “Listen” nga Beyonce a thua se kishte vite në skenë, duhet ta keni dëgjuar patjetër. Për t’ju freskuar memorien, në vijim gjeni videon prezantuese të Kanitës nga Shkupi, e cila arriti të shkonte shumë pranë finales së sezonit të dytë të X Factor, duke u cilësuar si një ndër zbulimet e atij viti.
Pas disa projektesh muzikore, Kanita rikthehet sërish në “Kënga Magjike 2018”, pas pjesëmarrjes me Leonora Poloskën në vitin 2014 me këngën “Digjem”.
Ditën e djeshme, ajo këndoi në skenën e “E diela shqiptare” këngën “S’jemi ne”, të kompozuar nga producenti Boban Apostolov me tekst të Lindon Berishës. E rritur tashmë, një zonjushë e bukur, e kuruar në detaje dhe me një zë për t’u patur zili, Kanita arriti të zotëronte edhe njëherë skenën. /Anabel/