Karburantet, IQT gjobit 61 pika për mashtrim në shitje
Inspektorati Qendror Teknik ka publikuar së fundmi listën e subjekteve, ndaj të cilave prej tij janë marrë masa me gjobë për mosrespektim të detyrimeve dhe kërkesave ligjore sa i takon treguesve të cilësisë dhe sigurisë në tregtimin e lëndëve hidrokarbure. Konkretisht, bëhet fjalë për 61 të tilla në total, të cilat janë konstatuar me shitje të këtyre të fundit jashtë standardeve të cilësisë apo mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor, gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit të kaluar. Në mënyrë respektive, gjatë muajit nëntor 2014, Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit ka vendosur masën e gjobës për 43 subjekte tregtimi. Ku gjatë kontrollit në këtë muaj, në 31 prej këtyre subjekteve janë konstatuar mungesa ose mangësi të dokumentacionit tekniko-ligjor, ndërsa për 12 raste thuhet se ka patur probleme me standardin e pikës së flakërimit apo të përqindjes së squfurit. Kurse gjatë muajit dhjetor 2014, pas kontrolleve të ushtruara po nga inspektorët e kësaj drejtorie, janë vendosur 18 gjoba, ku në mënyrë të detajuar gjatë kontrollit në këtë muaj në 11 raste u konstatua mungesë e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe në 7 raste, probleme me treguesit e pikës së flakërimit, si edhe përqindjen e squfurit. Më tej, Inspektoriati Qendror Teknik garanton opinionin publik se është i vendosur të ushtrojë detyrën e tij për monitorimin e të gjitha subjekteve sa i takon respektimin e ligjit dhe do të ndëshkojë çdo rast abuziv. “Në kuadër të transparencës me publikun, IQT publikon prej muajsh rezultatet e kontrolleve dhe listën e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masë ndëshkimore”, deklarojnë drejtuesit e këtij institucioni. Nga ana tjetër, sa u përket vlerave konkrete të gjobave të vendosura prej inspektorëve të IQT-së, referohet se ato kanë qenë respektive në masën më ekstreme nga 2 milionë lekë për pikat e karburantit që mashtrojnë konsumatorët me treguesit e cilësisë, deri në 100 mijë lekë për ato pika që rezultojnë me mungesë dokumentacioni. Ndërkaq, në listën e publikuar nga IQT-ja vërehet se pikat e karburantit që tregtojnë naftë jashtë standardeve janë të stacionuara jo vetëm në periferi, por edhe brenda qyteteve, përfshirë vijën e verdhë të kryeqytetit.