Kardinali Ernest Simoni Troshani në mesin e shqiptarëve në Hamburg gjatë vizitës pastorale vëllazërore
Radio Vatikani në edicionin shqip, njofton se në prag të fillimit të Javës së Madhe, Hirësia e Tij, kardinali Ernest Simoni Troshani, u kthye në Firence pas një vizite pastorale vëllazërore që zhvilloi në Hamburg të Gjermanisë. Gjatë katër ditëve, Hirësia e Tij pati takime të shumta me drejtues të Kishës Katolike kryedioqezane të Hamburgut

Në prag të fillimit të Javës së Madhe, Hirësia e Tij, kardinali Ernest Simoni Troshani, u kthye në Firence pas një vizite pastorale vëllazërore që zhvilloi në Hamburg të Gjermanisë. Gjatë katër ditëve, Hirësia e Tij pati takime të shumta me drejtues të Kishës Katolike kryedioqezane të Hamburgut, u takua me komunitetin shqiptar, udhëhequr nga misionari dom Izak Dodes dhe këshilli i misionit shqiptar në Hamburg, si dhe me autoritete vendore, diplomatike, shoqërore dhe politike.

Ajo që do të mbetet më së shumti në kujtesë është pritja e përzemërt e organizuar nga qindra besimtarë shqiptarë dhe gjermanë në Hamburg. Në tri Meshë të Shenjta kremtuar në famullinë e Shpirtit Shenjtë, në Hamburg, një në gjuhën gjermane dhe dy në gjuhën shqipe, kardinali Ernest Simoni përcolli Fjalën e Zotit si thirrje për paqe, dashurie dhe bekimi. “Mos e harroni gjuhën, kulturën, traditat dhe vendlindjen tuaj”, porositi kardinali Ernest Simoni komunitetin shqiptar në Hamburg.
Vizita e kardinal Simonit në Gjermani u realizua me ftesë të Arqipeshkvit të Hamburgut, Dr. Stefan Heße, dhe të Bashkësisë Katolike Shqiptare të Hamburgut. Me këtë rast, Kisha gjermane dhe Misioni Katolik Shqiptar i ndanë kardinalit dy Mirënjohje Nderi, në shenjë vlerësimi për dëshminë e tij të gjallë të besimit të palëkundur dhe të besnikërisë ndaj Kishës, edhe gjatë viteve të gjata të vuajtjeve dhe përndjekjes. Jeta e tij mbetet një dëshmi e fuqishme e Fjalës: “Nuk ka frikë në dashuri”, siç theksohet ndër të tjera në Mirënjohjet që iu ndanë në Hamburg kardinalit Ernest Simoni Troshani.
KOHA JONË SONDAZH

