Katakombet, jeta në Elbasanin e nëndheshëm

 

 E moshuara Marjeta Lazri, 82 vjeçe, tregon: Ja, këtu në bodrum ishte hyrja për në katakomb. Ai lidhet me katakombin e shtëpisë së Met Haqaqit dhe të mjaft familjeve të tjera

-Sipas At Nikolla Markut, poshtë kishës së Shën Mërisë ndodhet katakombi kryesor me të cilin lidhen katakombet familjare dhe të institucioneve të ndryshme të qytetit

Nga Fatos Salliu

 

Elbasani është një qytet me rrjedhë të çuditshme në histori. Ai ka diçka të tillë të ngjashme me Romën, Parisin, Odesën… Është një vend me simetri inverse. Pra, me pjesën mbi tokë, dhe kopjen e nëndheshme. Scampa ishte një ndër vendbanimet e hershme në Iliri. Shkëlqimi dhe rënia ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me kështjellën dhe vijën Egnatia.

Mrekullisht gjithçka ndodhet e dokumentuar poshtë themeleve të sotme. Aty gjen ilirët, romakët, bizantinët, gotët, estrogotët, barbarët, vandalët, bullgarët, turqit, sllavët, austriakët, serbët, italianët dhe gjermanët. Për historinë tokësore të Scampës është shkruar e thënë shumë. Koha do të vazhdojë të zbulojë të tjera thesare. Sa më thellë të zhytesh në këtë kumt, kupton sa pak dihet, ende pak. Ka shumë gjasa që “metrotë” që të dërgojnë në skajet befasuese të së panjohurës të jenë katakombet, ose ndryshe, autostradat e dikurshme të saj…

Katakombet janë zakonisht varreza të nëndheshme që përbëhen nga tunele ose galeri ku vendoseshin arkivole. Dhoma të hershme nëntokësore varrimi për të krishterët. Toka e Romës së lashtë ka origjinë vullkanike. Ajo përbëhet nga tri shtresa. Shtresa e lartë që quhet “pozzolano”, një përzierje gëlqerore me të cilën romakët përgatisnin çimenton e tyre të shkëlqyer; tjetra është një shtresë e quajtur “tufa”, e përbërë nga dheu dhe gurë; dhe shtresa më e ulët e përbërë prej guri. Para krishterimit, këto galeri përdoreshin si vende varrimi për të vdekurit. Ato janë të lidhura mes tyre në mënyrë që të mund të futesh në qytetin e krishterë të të vdekurve pa paralajmërim emocionues. Katakombet janë, pra, tërësisht ndërtime të krishtera. Si rregull një shkallë të çon nën sipërfaqe në një thellësi prej 33-49 këmbë ose edhe më shumë; nga kjo pikë ndryshojnë galeritë, të cilat janë 10-13 këmbë në lartësi, dhe rrallë më të gjëra. Galeritë anësore zgjerohen nga jashtë duke formuar pasazhe të tjera të reja. Ky nivel eksplorimi të dërgon në nivele më të ulëta ku ka një rrjetë të dytë të galerive. Ka katakombe që kanë tre ose edhe katër nëndegë si, për shembull, katakombet e Shën Sebastianit. Labirinthi i galerive është i pallogaritshëm. P.sh katakombet e Romës kanë një gjatësi sa, nëse do të ishte një vijë e drejtë, do të përshkonte tej e tej Italinë. Ishte e pamundur për të ndërtuar katakombe në Vatikan sepse toka nuk është e formimit vullkanik, por përbëhet nga depozitimet aluviale. Si pasojë nuk ka katakombe rreth varrit të Shën Pjetrit edhe pse mjaft besimtarë dëshironin të varroseshin pranë tij. Shpesh katakombet nuk kishin asnjë mbrojte e përdhoseshin nga turmat e tërbuara. Barbarët kryen masakër të vërtetë edhe në katakombet dhe varrezat e vjetra të krishtera në Romë. Një numër i katakombet vogla ndodhen larg Romës, p.sh. ato të Shën Aleksandrit në Via Nomentana dhe në Albano (emër me origjinë shqiptare). Të dyja kanë rëndësi për shkak të mbishkrime që mbartin, sidomos ai në Albano për pikturat që zotëron.

Vija Apia (nga Roma në Brindizi) dhe vazhdimi i saj drejt lindjes nga Dyrrahu deri në Lindjen e Largme, Mesapotami, (rruga Egnatia), duket se ndikoi në zhvendosjen e kulturës së ndërtimit të katakombeve edhe në qytete të tjera të perandorisë. Çuditërisht i vetmi qytet ku ato hasen dhe kanë ngjashmëri me katakombet e Romës janë ato të Scampës. Të gjitha gjurmët dhe objektet e gjetura vitet e fundit në Scampë (ose Elbasanin e sotëm) dëshmojnë për ndikim të fuqishëm të kulturës romake në Iliri.

Po përse Elbasani imitoi Romën?

Siç bën të ditur Enciklopedia Kristiane, katakombet në Romë u ndërtuan në një territor vullkanik. Edhe nëntoka e Scampës ka një përbërje të ngjashme. Ndërsa galeritë u ndërtuan me gurë nga Zaranika dhe lumi (Genius) Shkumbini. Lulëzimi i katakombeve arriti kulmin në shekujt e parë pas Krishtit në Romë, dhe është pikërisht kjo periudha që korrespondon me erën romake të ndërtimit të kalasë dhe zhvillimin e Scampës si njësi administrative e perandorisë.

Gërmimet në Real Scampis kanë zbuluar objekte me dekoracione emocionuese të kësaj periudhe. Një kishë e vogël me altar u zbulua brenda mureve rrethuese. Kjo kishë, ndoshta më e vjetra në Iliri, mendohet se shfrytëzohej për rite gëzimi apo hidhërimi nga legjionarët të cilët ishin të vendosur në këtë vend me mision për të ruajtur vijën Egnatia. Më pas ajo u shfrytëzua edhe nga banorët e mansios (kalasë). Gërmimet në kullën lindore të kalasë, e njohur si Kulla e Zindanit, zbuluan tre rozeta që mendohet se i përkasin varreve të familjeve të pasura në Scampë dhe që kanë të njëjtën moshë si dhe rozetat e katakombeve në Romë. Më pas, në sinkron me zhvillimet në kryeqytetin e perandorisë, u ndërtuan bazilikat që shërbyen për ceremonitë e varrimit dhe si varreza për ushtarët dhe popullsinë. E tillë është bazilika në Tepe, në perëndim të qytetit rrënojat e së cilës duken edhe sot dhe që i përket shekullit të IV të erës sonë. Në vitin 518, pas një tërmeti shkatërrues, varrezat u përqendruan përreth katedrales së Shën Pjetrit që u ndërtua në atë kohë në Scampë. Mjaft rëndësi ka ekzistenca e fragmenteve të katakombeve në Real Scampis dhe në pika të ndryshme të lagjes Kala. Epiqendra e tyre është pikërisht territori në kala dhe hyrjet për në brendësi janë ruajtur deri kohët e fundit nga mjaft familje elbasanase të tilla si familjet Shuteriqi, Buda, Marku, Lazri, Popa, Xhuvani, Haqaqi, Paparista etj.

Katakombi i kishës Shën Maria

Më i rëndësishëm prej katakombeve që hasen sot në Scampë është ai në kishën Shën Maria. Sipas At Nikolla Markut, poshtë kishës ndodhet katakombi kryesor me të cilin lidhen katakombet familjare dhe të institucioneve të ndryshme të qytetit. Aq e vërtetë është ekzistenca e katakombeve në këtë vend sa, sipas arkeologëve, poshtë saj ndodhen 600 skelete eshtrash të besimtarëve që u vendosën në këtë vend me rindërtimin e kishës. Hyrja për në katakomb ndodhet pikërisht në vendin më të shenjtë, poshtë fronit ku qëndron Kryepeshkopi, pas altarit. Ndërsa përpara altarit ndodhen ende 4 vrima që shërbejnë si oxhakë ventilimi për katakombet dhe që janë funksionalë edhe për tymrat që krijohen nga djegia e temianit në kishë. Nga hulumtimet e kryera rezulton se brenda kalasë në mjaft shtëpi ndodhen katakombe të periudhës iliro-romake. Në të dy anët e kishës ka katakombe që bashkohen në një pikë në altar. Ky rrjet lidhet mes tyre dhe përfundon në pika të ndryshme si në Kullën e Zindanit aty ku sot ndodhet teatri Scampa, një në godinën e vëllezërve Hajrullaj, një tjetër në dalje në lumin Shkumbin. Por dalja kryesore besohet se është në Kodër Krastë aty ku aktualisht ndodhet një “vend i mirë”. Kësisoj, ndryshe nga katakombet në Romë, ato në Scampë në fakt kishin dy funksione. Së pari; u shfrytëzuan për varre dhe, së dyti; për t’ju fshehur barbarëve. Funksioni i dytë u kushtëzua nga sulmet e shpeshta të vandalëve që shfrytëzonin vijën Egnatia për plaçkitje dhe ekspedita luftarake. Kështu historia e Scampës ka qenë sa e përrallore, aq e përgjakshme dhe shfarosëse.

At Nikolla shprehet me mjaft pasion për katakombet e Elbasanit. Sipas tij, brenda tyre fshihet një pasuri e rrallë arkeologjike, dëshmi e qytetërimit të hershëm në Scampë e Iliri. Por sipas tij katakombet e Elbasanit kanë pasur edhe një mision tjetër me shumë rëndësi. Ato kanë shërbyer si vende për t’u shpëtuar pushtuesve në shekuj. Madje këtë funksion ata e kanë luajtur deri në Luftën e Dytë Botërore. “Nuk është e rastësishme që hyrja ndoshta për në katakombin kryesor në Scampë ndodhet pikërisht në vendin ku ulet Kryepeshkopi. Ky është një vend i shenjtë dhe një armik, sado barbar të jetë, nuk guxon të prishë atë vend. Nga këtu popullsia u fshihej armiqve. Ky katakomb lidhet me një labirinth të gjerë galerish që zënë fill në familje të ndryshme të lagjes Kala. Disa prej tyre përfundojnë në lumin Shkumbin, një tjetër edhe sot e kësaj dite del në Kodër Krastë. Pra në vende jashtë qytetit të mbuluara me pyje, larg syve të armiqve. Parë në këtë këndvështrim katakombet e Elbasanit shërbyen edhe si ndërtime për të siguruar mbijetesën e popullsisë. Pra ato kanë edhe karakter kombëtar dhe historik. Perëndia duhet të na falë këtë mëkat sepse, në fund të fundi, paraardhësit tanë e bënë këtë për të shpëtuar jetë njerëzish. Bënë më të mirën para Zotit ndoshta edhe për të shpëtuar një komb…”.

Sipas at Nikollës katakombet kanë qenë funksionale deri në vitet 1800. Më pas ata janë dëmtuar gjithnjë e më shumë. Por jeta e nëndheshme e Elbasanit mbetet ende e pazbuluar. “Kjo për mua është një nga perlat e antikitetit botëror. Kjo tregon se edhe populli ynë ka kontribute të paçmuara në këtë qytetërim. Deri më tani ne jemi thjesht në majën e zbulimit të historisë së qytetit tonë”. Njeriu i Zotit e sheh me optimizëm të ardhmen. “Nëse do të merret një iniciativë për t’i zbuluar duhet të pranojmë se ka një kosto të madhe financiare. Por, nëse kjo do të ndodhte, unë mendoj se Kalaja e Elbasanit do të merrte vlera monumentale. Akademia e Shkencave dhe Institutet e Monumenteve duhet që t’i kushtojnë rëndësi. Tashmë ka mjaft të dhëna që e vërtetojnë se jeta në Scampë është ndër më të pasurat në gjithë historinë”.

Katakombet, si frigoriferë natyralë

Poshtë në bodrume në mjaft shtëpi në lagjen “Kala” në Elbasan katakombet kanë ekzistuar deri vonë. Madje ato kanë shërbyer si “frigoriferë” natyrorë për ruajtjen e zahireve dhe ushqimeve. Por përgjithësisht ato janë mbyllur pasi ishin burim lagështie, parazitësh apo ngaqë mbanin ere të rëndë. Një prej katakombeve ndodhet në shtëpinë Lazri. E moshuara Marjeta Lazri 82 vjeçe tregon: Ja këtu në bodrum ishte hyrja për në katakomb. Ai lidhet me katakombin e shtëpisë së Met Haqaqit dhe të mjaft familjeve të tjera. Prej andej ky rrjet lidhet me katakombin kryesor dhe del në Krastë. Gjyshja më ka treguar se bashkë me gjyshin kanë tentuar që të futen në thellësi të katakombeve. Kanë zbritur 3-4 m me shkallë. Pastaj janë lidhur me litarë dhe nisën të depërtojnë në thellësi. Aty kanë parë një portë. Kanë tentuar ta hapin por u është fikur feneri. Nuk e shpjegonte pse i ishte fikur. Nga era, nga mungesa e oksigjenit, apo nga ndonjë arsye tjetër. Ata janë tmerruar aty pasi u ndodhën krejt papritur në errësirë disa metra në thellësi të tokës. Por për fat, kanë qenë të lidhur me litarë dhe janë orientuar deri sa janë kthyer tek hyrja. Pas këtij rasti ata nuk kanë guxuar të hyjnë asnjëherë në katakomb. Bestytnitë për krijesa të frikshme dhe gjëra të kësaj natyre janë treguar shpesh nëpër familjet që kishin katakombe.

Luiza Lazri 84 vjeçe tregon se gjatë shekullit të kaluar katakombet janë shfrytëzuar si frigoriferë natyralë. “I kemi përdorur për të konservuar dhe ruajtur ushqimet në gjendje të freskët. I vendosnim që në verë dhe i shfrytëzonim në dimër. I ruanin shumë mirë. Por ma pas dolën frigoriferët dhe e humbën këtë qëllim”. Më tej ajo tregon: “Në kohën e Enverit, kunata ime u interesua dhe u lidh me ata që merren me gërmime arkeologjike. Por ata i thanë se nuk ka fonde për t’i zbuluar. Unë mendoj se është gjë shumë e mirë për Elbasanin dhe turistët, pasi aty ka gjëra antike. Se çfarë është fshehur atje brenda, mbetet enigmë”.

Scampis

E dhëna e parë për Elbasanin e sotëm jepet nga Ptolemeu rreth viteve 150 të erës sonë. Në një nga fragmentet e shkrimeve të tij haset shprehja: Në tokën e Eordëve, Scampis… Në shekullin e III dhe të IV ekzistencën e kësaj qendre të lashtë e japin dy burime. Në itinerarin e Antoninit qyteti përmendet dy herë si Scampis në Tabelën e Peutingerit. Ndërsa në itinerarin e Bordosë qendra citohet si “Mansio Hiscampis”

Dëshmia shkencore për ekzistencës e qytetit në periudhën antike është guri i varrit të legjionarit romak Mark Sabidi. Ky është i vetmi monument epigrafik nga ku mund t’i referohesh jetës në Scampë megjithëse studiues të tjerë shkojnë akoma më herët në shekujt IV dhe III para erës sonë duke e lidhur këtë vendbanim me tregtarët hebrenj të cilët ndërtuan aty bujtina ndërsa udhëtonin drejt perëndimit për arsye tregtie. Madje burime arkeologjike supozojnë faktin se ishte pikërisht udha që përshkonin ata mbi të cilën u ndërtua më pas vija Egnatia. Në fund të shekullit IV emri i qytetit lidhet me legjionin Pseudocomitatenses Scampenses. Në vitin 458 përmendet nga Artemi, peshkopi i Scampës që citohet bashkë me peshkopët e Epirit të Ri. Në vitin 479 Malhu përshkruan kalimin e barbarëve gotë me në krye Teodorikun për në Epirin e Ri dhe lidhur me Scampën citon se “banorët e kishin braktisur me kohë qytetin”.

E dhëna e fundit i përket shekullit VI kur Bizanti ndodhej nën sundimin e perandorit Justinian. Në Sinecdemos Hieroclit, Scampa figuron mes qyteteve të zhvilluara të Epirit. Në listën e Prokopit të Çezaresë Sceminites (Scampa) përshkruhet si një qytet i mbrojtur nga një linjë muresh. Në vitin 519 në dy dorëshkrime përmendet peshkopi Trojus për pritjen e ngrohtë që i rezervuan klerikët e këtij qyteti të deleguarit të Papës, Hormisdas, në katedralen e Shën Pjetrit.

Guri i varrit të legjionarit Mark Sabidi

Mbishkrimi në gurin e varrit të legjionarit i përket shekullit të dytë të erës sonë pikërisht viteve 160. Monumenti epigrafi i deshifruar përmban këtë tekst: Një ushtar romak banues në Scampë, që ka kryer shërbimin ushtarak në Moesi (Bullgari), Siri, Palestinë, që luftoi për 3 vjet kundër Judejve në Jeruzalem që ka kaluar nëpër Daki (Rumani) dhe pas 40 vjetësh shërbim ushtarak është kthyer në Scampë. Pas vdekjes banorët (scampenes) i kanë ngritur këtë gurë varri me emrin e plotë Marc Sabidius Emilia Maximus.

 Via Egnatia

Përmendet për herë të parë në vitin 120 para erës sonë nga Polibi. Më vonë për të shkruajti Straboni i cili informoi se Vija Egnatia kishte dy pikënisje; një nga Durrësi dhe dega tjetër nga Apolonia. I njëjti autor thekson se një pjesë e kësaj vije quhet Rruga e Kandavisë emër që mbanin malet e Polisit të sotëm në Librazhd. Mori këtë emër për nder të perandorit Egantius. Rruga Egnatia është vazhdim i vijës Apia e cila fillonte në Romë, kalonte në Beneventum dhe më pas në Brindizi. Në fillim rruga ka pasur destinacion ushtarak. Në atë kohë Roma kërkonte të nënshtronte Maqedoninë deri sa ajo u kthye në provincë të saj. Më pas rruga Egnatia u bë arteria më e rëndësishme e kohës që lidhte gadishullin Apenin me Evropën, Ballkanin e Jugut, Azinë e Vogël deri në Lindjen e afërme e Mesapotami.

Kalaja e Elbasanit

Sipas dokumentave të kohës kështjella u ndërtua në periudhën e perandorit romak Dioklecian në vitet 284-305 të erës sonë. E njohur si castrum statum ajo ishte qendër e rëndësishme e një legjioni romak i cili kishte për detyrë të ruante vijën Egnatia. Kështjella ka përmasat 308 x 348 m. Një hendek 3 m i thellë qëndronte vazhdimisht i mbushur me ujin e Zaranikës dhe shërbente si pengesa e parë për të depërtuar brenda në kala. Kalaja ka 4 hyrje dhe 26 kulla vrojtimi. Njihen tre periudha ndërtimi: E vonë romake, e hershme bizantine dhe osmane. Muret e periudhës romake ndodhen në të gjithë kështjellën, ngrihen mbi themele dhe kapin lartësinë deri në 5 m. Trashësia e murit 3 m. Lartësia e mureve ka qenë 9 m. Jeta në Scampë ndërpritet në 378 pas dyndjes së barbarëve visigotë dhe më vonë të ostrogotëve në shekullin V. Në vitet 527-565 kështjella u rindërtua nga Perandori Justiniani I. Në vitin 519 Elbasani kthehet në qendër të madhe peshkopale ushtarake me katedrale, kisha e bazilika. Jeta urbane lulëzon në shekujt VII-VIII ku Elbasani bënte pjesë në temën e Durrësit, Epidamnin. Shpesh peshkopët e zhvendosnin qendrën e tyre në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit i cili ishte në rivalitet me Akademinë e Voskopojës. Në shekullin VII qyteti dhe kështjella pëson goditjen e fortë të radhës nga dyndjet e avarosllavëve. Në shekullin IX pushtohet e grabitet sërish nga fiset bullgare. Në mesjetë kalon në ndikimin e feudalëve të mëdhenj të kohës si Topiajt, Muzakajt dhe Arianitët. Pas pushtimit turk kalaja rindërtohet nga Sulltan Mehmeti i II në vitin 1466.

Basorelievet ose rozetat ilire

Tre basorelieve të mrekullueshme ilire janë zbuluara në kullën lindore e quajtur “Kulla e Zindanit” në Kala. Rozetat me figurat e një burri dhe një gruaje mbajnë dy emra ilirë Brigus (figura e burrit) dhe Tata (figura e gruas). Ato mendohet se i përkasin shekullit të parë të erës sonë. Sipas arkeologëve dy figurat tregojnë një nivel të lartë zhvillimi qytetar nisur nga shkalla e punimit të tyre. Rozetat mendohet se i përkasin varrezës në katakombe të një familje të pasur në Scampë.

Amfiteatri Antik

Arkeologët shkojnë më tej në parashikime duke supozuar se brenda në kala ka edhe një amfiteatër të vjetër për të cilin duhen bërë testime dhe gërmime. Në kohën e Romës në kështjellën e Kalasë qëndronin 1500 legjionarë romakë të specializuar për të ruajtur vijën Egnatia. Pas popullimit të lagjes, veç ndeshjeve të natyrës së gladiatorëve, në amfiteatër jepeshin edhe shfaqje dhe zhvilloheshin ceremoni të kohës. Zbulimi i amfiteatrit do të ndryshojë tërësisht konceptimin e lagjes “Kala” në Elbasan.

Për t’u përshëndetur janë disa iniciativa private të gjetjes dhe ruajtjes së vlerave të castrumit të Elbasanit. Këtyre projekteve i shtohen investimet për mozaikun dhe bazilikën në qendër të qytetit. Qëllimi është ngritja e një parku historik në të cilin do të pasqyrohet gjithë historia e lindjes dhe zhvillimit të jetës në Scampë, një prej fortesave dhe qyteteve më të zhvilluara të vijës Egnatia. Katakombet e Scampës janë një pasuri me vlera të jashtëzakonshme që i kalon përmasat kombëtare. Sot, në Romë e Paris ato janë realitet i prekshëm. Për rastin shqiptar ndoshta do të duhen ende shumë mote…

Mapo

SHKARKO APP