Katastrofa shqiptare në Maqedoni

 

Nga Sokol Shameti
Çfarë po ndodh në Maqedoni është rezultat edhe i mosdijes dhe indiferencës sonë këtu në Shqipëri. Të paktë janë ata shqiptarë këtu, që kanë ndonjë ide të qartë se ku shtrihen territoret e banuara nga shqiptarët në atë shtet. Shumica kanë ndonjë ide të vagullt të ushqyer nga hartat qesharake shqiptaro- mëdha që i referohen gjendjes së popullsisë dhe territoreve në fillim të shekullit të kaluar.
Por ndërkohë ka kaluar një shekull dhe situata në atë që quhet sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë paraqet një regres të pandalshëm nga ana e shqiptarëve.
Asimilimi, shpërnguljet, “reformat” diskriminuese administrative, papunësia konstante, varfëria e imponuar dhe mërgimi si pasojë e varfërisë, i kanë tkurrur dhe vazhdojnë t’i tkurrin në mënyrë të pandalshme territoret dhe popullsinë shqiptare atje.
Në Tiranë askush nuk e thotë, por shqiptarët e Maqedonisë janë në zgrip të ekzistencës. Përfaqësuesit shqiptarë të Maqedonisë janë një grup i korruptuar që luan funksionin e kolaboracionistëve të cilët heshtin përballë kësaj gjendjeje.
Si paraqitet gjendja në territor? Ndryshe nga ç’thonë hartat me “autoktonë”, Manastiri dhe Ohri janë përfundimisht të humbur. Struga është në rënie katastrofale të popullsisë shqiptare. Midis Gostivarit dhe Dibrës, autoritetet maqedonase kanë krijuar me marifet një “pykë”, në formën e një njësie territoriale me “shumicë” maqedonase që është Mavrova, me territore të grabitura prej dy komunave shqiptare, me popullsi prej 8.000 banorësh, sa një e teta e Strugës (65.000) e me sipërfaqe sa trefishi i Dibrës.
Kërçova dhe Kumanova gjithashtu e kanë humbur shumicën shqiptare. Ato janë në prag të humbjes së identitetit shqiptar për shkak të lojërave me ndarjen e rajoneve të tëra shqiptare midis njësive territoriale fqinjë (ku shumicën e kanë maqedonasit) dhe bashkimin në këto njësi, të “bishtave” tokësorë me shumicë maqedonase. Si rrjedhojë e këtyre makinacioneve, gjuha shqipe nuk është në përdorim në administratën e këtyre komunave. Përfaqësuesit politikë shqiptarë vendas e kanë parë të gjithë këtë që ka ndodhur dhe e kanë miratuar në heshtje në këmbim të ndonjë posti për kushërinjtë e vet. Pak a shumë, njëlloj si kryetarët e tribuve indiane në Amerikë që shisnin kullotat e fisit tek kolonizatorët e bardhë në këmbim të ndonjë arke me lëng të zjarrtë (uiski).
Tetova dhe Gostivari gjithashtu janë qethur me kujdes nga territore të tëra të cilat u janë shpërndarë komunave fqinje me shumicë maqedonase, por duke pasur kujdes që raporti etnik në to, të mos ndryshojë dhe vetëm Tetova dhe Gostivari të mpaken territorialisht. Shkupi është enklavizuar duke u shndërruar në një lloj mini- Izraeli ku shqiptarët janë shtyrë dhe ngjeshur në një rrip Gaze të ngushtë, të varfëruar e të mjeruar, ndërsa kolonët maqedonas janë shtrirë në territore të reja, të gjera, moderne e plot hapësirë.
Zyrtarisht shqiptarët janë sot 25% e popullatës vendase, por e vërteta është se në censusin e vitit 2002, një pjesë e madhe e atyre që u regjistruan ishin emigrantë, ndërsa një pjesë e banorëve vendas, nuk u regjistruan kurrë. Askush nuk e di në të vërtetë sa është numri i shqiptarëve në atë vend.
Tirana zyrtare thjesht bën sehir dhe mirëpret cilindo udhëheqës politik që paraqitet si përfaqësues i shqiptarëve të Maqedonisë, pa e vrarë mendjen se këta udhëheqës janë të tillë vetëm sepse kanë marrë mbështetjen dhe miratimin e sunduesve maqedonas. Si të tillë, ata nuk kanë lidhje me aspiratat e vërteta kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe shërbejnë vetëm si një lloj karameleje që u hidhet shqiptarëve të atjeshëm për t’u krijuar atyre iluzionin e ndarjes së pushtetit. Pushtet që në të vërtetë ata nuk e kanë.
Shqiptarët janë kësisoj të PAPËRFAQËSUAR politikisht. Ata kanë vetëm një kastë kolaboracionistësh të vegjël, të cilët thonë se përfaqësojnë shqiptarët dhe që ruajnë avantazhet e tyre financiare falë lëmoshave nga qeveria maqedonase që i paguan ata dhe grupin e njerëzve rreth tyre në formën e qehajait lokal që mban të nënshtruar skllevërit e provincës së prapambetur.
Edhe pse janë kontributorë me të paktën 25% të taksave në buxhetin e Maqedonisë, shqiptarët, për shkak të tradhtisë së “përfaqësuesve” të tyre politikë, përfitojnë shumë më pak investime në përqindje. Buxheti i arsimit në komunat me shumicë shqiptare këto vite, ka rënë me 80%, duke i ekspozuar banorët vendas ose me injorancën, ose me përqafimin masiv të së vetmes dritare për ndonjë formë dijeje që mbetet: fesë. Kjo e fundit, në variantin e islamizmit, mbështetet dhe inkurajohet masivisht nga qeveria vendase që synon t’i kthejë shqiptarët nga identiteti i tyre kombëtar, drejt një identiteti të ri, islamik, oriental dhe aziatik, i cili është shfaqur në këto anë shumë kohë pas mbërritjes së sllavëve, prandaj kështu nuk është i rrezikshëm për interesat maqedonase.
Marrëveshja e Ohrit me të cilën lajnë gojën autoritetet e Tiranës sa herë që takohen me homologët maqedonas është një dokument diskriminues, i cili edhe ashtu nuk po zbatohet. Ai synon thjesht rregullimin e marrëdhënies së përdorimit të gjuhës shqipe nga administrata nëpër komuna, në varësi të përqindjeve të popullsisë. Ai lë shtigje të hapura për lojërat me ndarje territoriale, me ndarje buxheti dhe me taktika të tjera diskriminuese, dëbuese dhe asimiluese të shqiptarëve. Duke qenë i tillë, ky dokument mund të quhet përfundimisht i dështuar.
Është koha që në këto kushte disfate dhe rrënimi katastrofik të interesave të shqiptarëve në Maqedoni, Tirana zyrtare të marrë rolin e mbrojtësit të këtyre interesave, sidomos në prag të ndryshimeve të mëdha politike në Maqedoni. Ekspertët shqiptarë duhet të nisin urgjentisht negociatat me opozitën maqedonase të Zoran Zaevit. Në këmbim të mbështetjes masive shqiptare me votë në zgjedhjet eventuale, ato duhet t’i propozojnë atij një dokument të ri të rregullimit të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni, ku ndoshta modeli federalist dy- etnik i Belgjikës mund të merret për shembull.
Me anë të këtij dokumenti të garanohet jo thjesht përdorimi sipërfaqësor i gjuhës dhe simboleve në komuna të ndryshme, por edhe të drejta të tjera të domosdoshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit shqiptar në rajone historikisht me shumicë shqiptare në Maqedoni, vetëmenaxhimi i taksave dhe i territorit, një ndarje e re territoriale e komunave dhe çlirim i mundësive për zhvillim ekonomik dhe punësim në territoret shqiptare të Maqedonisë.
Ndërkohë që kasta partiake shqiptare në Maqedoni ka dështuar, është e paaftë dhe e ka braktisur popullin e saj, mbetet detyrimi kushtetues i qeverisë së Republikës së Shqipërisë që ta ndërmarrë këtë rol përbashkues, duke qenë gjithë kohës e qartë se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punët e një vendi të huaj. Bëhet fjalë për një mision shpëtimi për një komunitet të gjerë njerëzish që ndajnë një gjuhë dhe kombësi me ne, dhe që sot janë në rrezik.

SHKARKO APP