Këmbimi valutor/ Dollari amerikan rikuperon humbjet, ngjitje të shpejtë të paundit britanik

Ditën e hënë, kursi i këmbimit valutor është hapur pa surpriza, me euron që duket se ka ngecur në të njëjtin nivel prej disa javësh. Monedha e Bashkimit Europian shitet ditën e sotme për 133.2 lekë, ndërsa blihet me 133.8 lekë.

Megjithatë euro mund të pësojë luhatje këtë javë në varësi të zhvillimeve politike në Spanjë. Ato mund të shkaktojnë dëmtime në një prej ekonomive më të mëdha të Eurozonës duke ndikuar negativisht tek aksionet, por edhe në kursin e këmbimit të euros, veçanërisht kundrejt dollarit amerikan.

Sakaq, valuta e Shteteve të Bashkuara ka rikuperuar uljet e javës së fundit, duke u ngritur me 0.6 lekë. Tashmë dollari shitet për 113.3 lekë dhe blihet me 114 lekë. Kjo valutë premton kështu fitime për investitorët.

Horizonti duket i mirë edhe për paundin britanik, i cili është shtrenjtuar me 0.4 lekë kundrejt monedhës vendase. Një paund shitet për 148.4 lekë dhe blihet me 149.3 lekë. Ekspertët financiarë presin që monedha të ketë luhatshmëri dhe nuk do të jetë surprizë nëse do të shitet sërish në nivelin e  152 lekëve.

Lajme të mira vijnë edhe për investitorët në tregjet aziatike. Jeni japonez pritet të ketë rritje në javët e ardhshme, pas optimizmit të konfirmimit të kryeministrit Shinzo Abe.

Duke u rikthyer në Europë, franga zvicerane ka vijuar rënien, duke u ulur me 0.3 lekë të tjera krahasuar me ditën e premte. Monedha shitet për 114.5 lekë dhe blihet me 115.5 lekë.

Në rënie është edhe dollari kanadez, i cili ka pësuar një ulje me 0.5 lekë. Ai shitet për 89.5 lekë dhe blihet me 90.5 lekë.

Performancë pozitive nga ana tjetër tregon dollari australian, i cili ditën e sotme shitet për 88.4 lekë dhe blihet me 89.3 lekë, një rritje e lehtë me 0.2 lekë krahasuar me javën e shkuar.

SHKARKO APP