Kërcënimet e Koresë
Nga Andon Dede
(Nju York)
Për shqetësimet që i ka krijuar botës mbarë e sidomos SHBA-së, Japonisë, Koresë së Jugut, Kinës e Rusisë, Koreja e Veriut, përmes kërcënimieve me armë bërthamore apo dhe provave të vazhdueshme të raketave, si për tëacaruar nervat e tyre, lideri suprem i atij vendi, të ngjall sa të qeshura aq edhe zemërim e urrejtje. Nuk ka ngelur politikan e analist i problemeve ndërkombëtare pa folur e shkruar për këtë. Duke qënë kështu, çdo koment do të qe i tepërt. I vetëdijshëm për sa më sipër, po përpiqem ta shoh problemin në një këndvështrim tjetër.
Sa herë që e shoh në ekranet e televizionit të ashtuquajturin “udhëheqës suprem”, mëduket se parcaktimin më të saktë për të e kemi në gjuhën shqipe me fjalën spurdhjak. Nisur nga mendimi se lexuesi edhe mund të mos e dijë këtë fjalë, jo aq shpesh e përdorur, po e sqaroj që në fillim kuptiminesaj. Me këtë term quhen harabelat, trumcakët apo dhe çdo zog i vogël, në përgjithësi. Por unë, si shumë të tjerë, mund të mos e kisha në fondin tim aktiv këtë fjalë, nëse nuk do tëkujtoja fëmijërinë, kur kjo fjalëpërdorej në kuptimin e mbartur, figurativ të saj, si një fëmijë i vogël, pa vlerë e pa përvojë, kalama, mistrec. Kështu na thoshin më të vjetrit kur ne bënim ndonjë gjë prej kalamani apo mistreci, si për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, pa pasur të drejtë, madje edhe duke i shqetësuar ata. “Ik mor spurdhjak!”, “U bë dhe ai spurdhjaku të flasë kështu?!”,“Do na mësojë ai spurdhjak…”dëgjonim ta na thuhej prej tyre e të tjera shprehje si këto.
Për ta bërë sa më tëpërligjur krahasimin, më duhet t’i lë pak shteg fantazisë. Po qe se do të vinte një jashtë-tokësor e do të njihej me përplasjen për të cilën po flasim, pra, me shqetësimet që i ka shkaktuar botës mbarë ky diktatoruc, pyetja e parë e jashtë-tokësorit do ta qe: “Kush është ky dhe, sidomos, ç’përfaqson?”. Kur të dëgjonte përgjigjen se ai është“lideri suprem” i një vendi relativisht të vogël e të papërfillshëm në arenën ndërkombëtare, populli i të cilit, në shumicën e vet, ka vuajtur e vazhdon të vuajë deri edhe për bukën e gojës, jashtë-tokësori do të befasohej e nuk do t’iu besonte pohimeve të tjetrit. “Të qe fjala për SHBA-në, Kinën, Rusinë, Gjermaninë apo dhe çdo shtet tjetër me potenciale të spikatura ekonomike e ushtarake, edhe mund ta pranoja, por për sa dëgjova, sikur s’ma mbushni dot mendjen…”.
Nuk besoj se dikush mund ta vërë nëdyshimmesazhin realist që mbart episodi i mësipërm, edhe pse i stisur prej meje.Me këtë unë absolutisht nuk mohoj potencialin ushtarak që zotëron shteti koreano-verior, siç është vënë në dukje nga shumë analistë e politikologë. Kjo është e kuptueshme, kur kemi parasysh të vërtetën e hidhur se Koresë së Veriut, si gjithë diktaturavet të tjera, shumicën e buxhetit ia gëlltit armatimi, për më tepër kur bëhet fjalë për atë bërthamor.Por, sidoqoftë, sado i madh qoftë ai, as që ka të krahasuar me ato të superfuqive. Po atëhere si duhet kuptuar ky shqetësim i madh që ka ngjallur me kërcënimet e tij diktatoruci koreanoverior?
Për ta përligjur këtë shqetësim, sipas optikës time, pa e banalizuar problemin, më duhet të kaloj në një krahasim tjetër. Parafytyroni një fëmijë të vogël, pra njëspurdhjak, që ka arritur të gjejë një armë dhe me të në dorë, del në rrugë e kërcënon kalimtarët. Duke qënë fëmijë, rreziku ështëedhe mëi madh, nga që mund ta shkrepë armën e rrezikëshme, pa e vrarë shumë mendjen për pasojat. E vetmja zgjidhje për të shmangur rrezikun e mundshëm është nxjerrja jashtë loje e kalamanit: ose duke ia hequr me marifet armën nga duart, ose duke e bllokuar atë me çdo rrugë tjetër, për të mos kaluar nëmasa ekstreme, nëse rreziku bëhet konkret, pra, për ta asgjësuar vetë atë, para se ai të vrasë të tjerët. ( Në parantezë, i kujtoj lexuesit, se jo vetëm këtu në Amerikë, por dhe gjetkë, kjo zgjidhje ekstreme, shpesh e vonuar, ka qënë e vetmja).
Nuk ka nevojë të jesh ushtarak, politikan apo analist që të pranosh se për SHBA-në, nuk ka gjë më të lehtë se sa të largojë çdo shqetësim thjesht duke e asgjësuar atë që po kërcënon, siç e pohoi fare qartë, pa dorashka, vetë presidenti Tramp. Por, po kaq e qartë dhe e thjeshtë për ta kuptuar është dhe përgjigja se përse SHBA nuk e ndërmarin një veprim të tillë. Mjafton t’i kujtoj lexuesit se me sa lehtësi u përmbysën diktatorë të tillë si Sadami e Gedafi për të mos pasur as dyshimin më të vogël për gjithë së më sipër. Por, siç është thënë edhe para përmbysjeve të tyre, problemi ka qënë e mbetet jo lufta por pas-lufta, temë kjo që del jashtë kufijve të këtij shkrimi.
Po qe se do ta vazhdojmë krahasimin e mësipërm, me spurdhjakun e armatosur, që pa asnjë arsye kërcënon të tjerët e pafajshëm, edhe Koreja e Veriut, përmes “liderit të vetëshpallur suprem”, kërcënon e shqetëson botën, pa qënëi kërcënuar nga asnjë shtet tjetër, e aq më pak nga ata që kërkon të sulmojë. Kemi të bëjmë thjesht me çmëndurinëe një psikopati që erdhi në fuqi me mënyrën më të paligjshme, kur kemi parasysh se ai shtet nuk është as mbretëri që ta ketë sadopak të përligjur trashëgiminë e fronit. As që bëhet fjalë për të ashtuquajturin sistem komunist, siç pretendon ai.
Me që dolëm tek ky shteg, dua të bëj disa përsiatje të tjera, që janë dhe arsyet kryesore të këtyre radhëve. Ne shqiptarëve teatri i sotëm politik koreano-verior na kujton edhe diçka tjetër, dikataturën që lamë pas. Për hir të së vërtetës, “Enveri ynë” nuk arrinte në të tilla marrëzi groteske si Kim-at koreanë por, në shumë dukuri të tjera përngjasonte ma ta. Brezit tim i kujtohet i famshmi sllogan i tij: “Nëse armiqtë, përfshi dhe superfuqitë, na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi ata në grykë të topit…”. Bunkerizimi i gjithë vendit qe një marrëzi tjetër e tij, alla-Kim, paçka se të gjithë ishim absolutisht të bindur se ne nuk kërcënoheshim nga asnjëagresion, aq më pak nga ndonjë sulm bërthamor.
Për të mos u zgjatur, dua të shtoj dhe diçka. Tekshoh “liderin suprem”, lakejtë civilë e ushtarakë që e ndjekin dhe sidomos turmat që duartrokasin e bërtasin, më dalin para syve, si të gjalla të tilla skena që i përjetuam në heshtje për afro gjysmë shekulli. Me kohë ne e kuptuam të vërtetën, u zhgënjyem keqas por s’kishim se ç’të bënim.Në shpëlarjen e truve tona, si popull, ndihmonte dhe mungesa e informacionit, sidomos ne qëishim të izoluar deri në ekstrem. Dhe pyes veten:”Po sot, në këtë kohë që e ke vështirë në mos edhe të pamundur ta mbash një popull nën sundim me metoda të tilla, kur mjetet e kumunikimit dhe informimit masiv nuk ka burrë nëne që t’i ndalojë, si ka mundësi qëai popull të durojë një diktatoruc të atillë qesharak?! Unë e di se ai, si çdo diktator tjetër, zotëron një aparat të tmerrshëm shtypëspër t’ua mbyllur gojën turmave. Por prapë pyes veten: a thua se nuk ka në atë vend intelektualë apo dhe të rinj të shkolluar që mund ta ndërgjegjësonin, pak e nga pak, masën e gjerë, për të ngritur krye kundër diktaturës, siç ndodhi këtej nga anët tona?! Kam mendimin se shumë shpejt do të ndodhë dhe atje përmbysja e madhe dhe ato turma që i kemi parë duke duartrokitur e brohoritur për “liderin suprem”, do ta bëjnë këtë për të kundërtën: për lirinë e demokracinë e munguar. Është vetëm çështje kohe!
Nju York, 31 tetor 2017