Kërkesat nga ”Shqipëria Bëhet”, dorëheqje e Ramës dhe qeveri tranzitore
Dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe qeveri tranzitore kanë kërkuar protestuesit e “Shqipëria Bëhet” këtë të dielë para Kryeministrisë. Anëtarja e kryesisë së lëvizjes ”Shqipëria Bëhet”, Edona Haklaj tha se qytetarët shqiptarë jetojnë nën frikë dhe presion, duke theksuar se pa largimin e kryeministrit Edi Rama nuk mund të ketë liri dhe demokraci të vërtetë.
Haklaj tha se prej javësh ajo dhe të rinj të tjerë protestojnë përballë Kryeministrisë dhe takojnë çdo ditë qytetarë që, sipas saj, kanë frikë të bashkohen për shkak të pasigurisë në punë, presionit mbi familjarët në administratë, pensioneve dhe ndihmës ekonomike. Sipas Haklajt, shteti është i kapur dhe institucionet janë vënë nën kontroll nga qeveria aktuale. Ajo theksoi se protesta është forma e vetme për të reaguar dhe për të kërkuar ndryshim.
Që prej datës 8 dhjetor, Adriatik Lapaj vijon qëndresën e tij pa ndërprerje poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, duke u bërë thirrje për bashkim dhe partive të tjera opozitare, me kushtin që të protestojnë pa logo. Kjo protestë vjen pas asaj që u mbajt me 20 dhjetor, ku qindra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së Lapajt.
KOHA JONË SONDAZH

