Kërkesat për dokumente në arkiv – Nga 1 shtatori procedurë e përshpejtuar me tarifa 4.000-10.000 lekë
Të gjithë qytetarët që janë të interesuar për dokumente nga Arkivi Qendror Shtetëror, nga një shtatori do të kenë mundësi që t’i marrin në një kohë më të shkurtër.
Kështu, ky institucion po përmirëson shërbimin ndaj qytetarëve duke mundësuar kthimin e përgjigjes për 15 ditë, nga 23 ditë që ishte më parë.
Madje çdo qytetar mund të aplikojë pranë një zyre postare për të kërkuar informacionin që i nevojitet dhe po aty do të marrë përgjigjen pas 15 ditësh.
Një tjetër risi që do të aplikojë ky institucion do të jenë edhe aplikimet e përshpejtuara, që do të kenë si afat kthimin e përgjigjeve nga një ditë në pesë ditë në varësi të aplikimit.
“Prej datës 1 shtator 2017 futet dhe aplikimi me procedurë të përshpejtuar që mund të bëhet pranë Arkivit Qendror Shtetëror, ose arkivave shtetërorë vendorë ku ruhet dokumentacioni. Procedura e përshpejtuar bëhet me tarifë të diferencuar nga procedura standarde dhe përgjigjia jepet:
5 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesa pronësore; 3 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesa biografike joshkollore; dhe brenda 1 ditë pune për kërkesat biografike shkollore” , u shpreh Elsa Saka, Koordinatore e të drejtës për Informim pranë AQSH.
Për dokumentet biografikë të kërkuar, tarifat që aplikohen normalisht janë 500 lekë, ndërkohë që për një aplikim të tillë por të përshpejtuar tarifa do të jetë 4 mijë lekë. Për kërkesat që kërkojnë informacion në lidhje me pronat tarifat normale janë 1500 lekë ndërsa për aplikimet e përshpejtuara tarifat do të jenë 10 mijë lekë./SCAN