Këshilla, si të nxihemi pa dëmtuar lëkurën

Nëse teprohet me marrjen e rrezeve UV­A, në lëkurën tuaj mund të shkaktohen fshika, skuqje, rrudhje dhe tharje, ndërsa nëse teprohet me marrjen e rrezeve UV­B shkaktohen djegie dhe pigmentim. Skuqja e lëkurës, djegia, e quajtur ndryshe Eritema, është efekti më i shpejtë dhe më i njohur i ekspozimit në diell e vihet re si rrjedhim i një ekspozimi të tepruar dhe jo progresiv. Duke qenë se shumëkush prej nesh i drejtohet plazhit vetëm fundjavave, tenton të ekspozohet sa më shumë në diell për të marrë ngjyrën e dëshiruar. Në një pjesë të rasteve nuk përdoren as kremrat, pasi mendohet se ato na pengojnë të nxihemi më shpejt. Duke vepruar kështu trupi ynë ekspozohet për shumë orë në diell, nën rrezet ultravjollcë, efekti i të cilave është shumë i dëmshëm për lëkurën. Në fashën orare 11:00-­16:00 rrezet ultravjollcë janë më të rrezikshme, pasi në këtë periudhë kohore rrezatimi diellor është më i fortë.

1) Pak gjumë

Nëse nuk flini mjaftueshëm, kjo gjë ndikon negativisht jo vetëm në performancën tuaj psiko­fizike, por nëse është një veprim që zgjatet në kohë, ai shoqërohet me plakje të lëkurës. Kështu që është mirë të flini përreth 8 orë gjatë natës, sepse në këtë mënyrë rigjenerohen qelizat e lëkurës. Një zgjidhje tjetër e mirë do të ishte përdorimi i një kremi nate që favorizon edhe më shumë rigjenerimin e lëkurës.

2) Abuzimi me kafen

Shumë persona abuzojnë me përdorimin e kafesë, por pak e dinë se kafeina e than lëkurën. Nëse nuk dëshironi një lëkurë të rrudhur dhe të thatë, mos konsumoni shumë kafe.

3) Ushqyerje jo e rregullt

Nëse dëshironi të humbni disa kile, bëjeni këtë gjë në mënyrën e duhur, pa anashkaluar vaktet, pasi në këtë mënyrë dëmtoni organizmin tuaj dhe veçanërisht lëkurën. Përfitoni nga fakti që jemi në verë dhe konsumoni perimet dhe frutat e stinës, të pasura me Vitamina C, E, A e B3, që janë ideale për të rigjeneruar lëkurën.

4) Moskonsumimi i ujit

Shumë njerëz kanë një zakon të keq, pasi pinë pak ujë. Hidratimi është i domosdoshëm si përsa i përket funksionimit të organizmit tonë, por edhe pamjes estetike. Konsumimi i një sasie të madhe uji parandalon krijimin e rrudhave dhe ruan elasticitetin e lëkurës.

5) Luhatjet e shpeshta në peshë

Nëse shpesh jemi jashtë shtëpisë për shkak të punës, është e vështirë të ruajmë një regjim konstant ushqimi. Gjithsesi, duhet mbajtur parasysh fakti se ngrënia e rregullt është mjaft e rëndësishme për aspektin fizik. Luhatjet në peshë shpesh krijojnë rrudha në fytyrë apo trup, të cilat është e vështirë të eliminohen.

6) Stresi

Evitimi i stresit, gjendjes së ankthit apo shqetësimeve të ndryshme është i rëndësishëm si për mendjen, ashtu edhe për trupin, pasi reflektohen negativisht në lëkurë. Kështu, kur keni mundësi, gjeni një mënyrë për t’u çlodhur duke bërë një xhiro, joga apo ndonjë aktivitet sportiv.

7) Abuzimi me ëmbëlsirat

Sheqernat përveçse janë të dëmshme për linjat, dëmtojnë edhe lëkurën. Përqendrimi i lartë i sheqerit ndikon negativisht mbi kolagjenin e lëkurës. Nëse nuk hiqni dorë nga gjërat e ëmbla, të paktën konsumoni frutat e stinës.

8) Aktiviteti i paktë fizik

Mënyra më e mirë për të përmirësuar qarkullimin e gjakut në organizëm dhe për t’i dhënë tonalitet dhe elasticitet lëkurës është aktiviteti sportiv. Gjatë djersitjes, trupi ka mundësi të largojë qelizat e vdekura dhe toksinat, duke stimuluar kështu rigjenerimin e lëkurës.

9) Ekzagjerimi me trukun

Shpesh femrat e teprojnë me trukimin. Sasia e tepërt e kremit pudër mbyll poret e lëkurës, duke i penguar ato të marrin frymë. Për këtë arsye ju këshillojmë që në disa raste të evitoni trukimin për t’i lënë hapësirë lëkurës të marrë frymë.

10) Shumë rreze

Ekspozimi në diell, gjatë pranverës apo verës, është një gjë e këndshme për shumë prej nesh, por duhet të keni parasysh të mbroni lëkurën nga rrezet ultravjollcë. Përdorni masat mbrojtëse dhe evitoni qëndrimin për një kohë të gjatë në diell, në të kundërt lëkura juaj do thahet.

SHKARKO APP