Këshilli i Investimeve: Ligjet duhet të njihen para se të hyjnë në fuqi

Në bazë të parashikimeve të Ligjit Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, procesi i njoftimit paraprak të projektligjeve, projekt dokumenteve strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë public, është i detyrueshëm.

Por tashmë kanë kaluar dy vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe institucionet publike në vend nuk i konsultojnë paraprakisht dhe nuk i bëjnë publike aktet e reja ligjore para se të hyjnë në fuqi.

Këshilli i Investimeve e ka ngritur këtë shqetësim nisur nga problematikat që janë krijuar në biznese nga nisma e qeverisë kundër informalitetit dhe  ndryshimi i ligjit të procedurave tatimore në shërbim të këtij qëllimi.

“Organet ekzekutive që propozojnë iniciativat ligjore duhet të përmbushin detyrimet lidhur me dhënien e informacionit në lidhje me procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik në të gjitha fazat, duke filluar nga publikimi i projektaktit, marrja e komenteve dhe rekomandimeve për përmirësimin e tij, organizimi i debateve publike e deri te miratimi i aktit përfundimtar” thuhet në propozimin që Këshilli i investimeve i ka bërë qeverisë pasi është njohur më parë me shqetësimet e biznesit.

Shpesh ndryshimet ligjore njoftohen vetëm pasi projekt-ligjet miratohen nga Këshilli i Ministrave dhe kur këto projekt-ligje përcillen për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Një rast konkret i moskonsultimit me publikun si edhe me grupet e nteresit përfshirë edhe shoqatat e biznesit, ishte miratimi i Ligjit Nr. 99/2015 datë 23.09.2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në RSh” të ndryshuar” (“Ligji Nr. 99/2015 datë 23.09.2015”).

Miratimi i këtij ligji i cili ashpërsoi sanksionet ndaj biznesit për shkelje në fushën tatimore, u shoqërua me debate lidhur me mungesën e transparencës së nevojshme dhe shkaktoi reagime nga komuniteti i gjerë i biznesit, vë në dukje Këshilli i Investimeve.

Duke konsideruar gjithashtu mungesën e theksuar të njohurive në fushën tatimore dhe atë financiare të tatimpaguesve, vecanërisht sa i përket biznesit të vogël, ndryshimet e shpeshta ligjore jo vetëm që nuk përmirësojnë situatën, por mund të bëjnë efektin e kundërt pavarësisht qëllimit të tyre pozitiv.

Nga ana tjetër ndryshimet e nxituara, të pakonsultura dhe joharmonike prodhojnë edhe konfuzion dhe norma juridike kontradiktore. Gjithashtu është shumë e nevojshme që legjislacioni sekondar-udhëzimet në fushën tatimore të jenë të detajuara me shembuj dhe raste konkrete për të gjitha normat dhe procedurat e parashikuara nga Ligji dhe jo vetëm të referojnë fjalë , thuhet ë Rekomandimet e këshillit të investimeve.

SHKARKO APP