Këshilltari i Merkelit: Programi ekonomik i Bashës funksionon në Gjermani
Hans Joachim Falenski në takimin e PD me qytetarët në Durrës: “Partia Demokratike në bashkëpunim me CDU Gjermane ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe vende pune”.
Këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski, vleresoi sot programin ekonomik të Partisë Demokratike, si efikas, të realizueshëm e që do të vërë në lëvizje ekonominë shqiptare.
Ky program, tha Falenski, funksionon çdo ditë në Gjermani, krijon vende pune, dhe do funksionojë edhe në Shqipëri. Deklaratat e këshilltarit të Angela Merkel, u bënë sot paradite gjatë një takimi të organizuar nga PD me qytetarë të Durrësit.
“Partia Demokratike në bashkëpunim me Partinë Kristian-Demokratike Gjermane dhe me Fondacionin Kondard Adenauer ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune. Partia Kristian-Demokratike Gjermane së bashku me Angela Merkelin e vërtetojnë çdo ditë që ky program funksionon dhe çdo ditë krijohen vende të reja pune. Prandaj ju them që ky program funksionon ndaj na besoni ne dhe i besoni Lulzim Bashës. Shkoni votoni me 25 Qershor. Ju thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë”, tha Falenski.
Falenski theksoi se Rama ka luajtur rolin sikur po luftonte drogën, por e vërteta ishte ndryshe. “Ne fillimisht ndjenim acarim, kur Basha vinte e na tregonte historitë me drogë. Thonim si vinte një kryeopozitar e fliste kështu për vendin e tij. Por, kur pamë shifrat e kuptuam problemin dhe themi se në krye të qeverisë pas 25 qershorit duhet të jetë Basha dhe qeveria Rama duhet të largohet”,-u shpreh Falenski.