Kësti i FMN-së, Ahmetaj: Lajm i mirë për ekonominë tonë
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi shqyrtimin e shtatë të performancës ekonomike të Shqipërisë në kuadrin e programit të mekanizmit mbështetës. Përfundimi i rishikimit i mundëson vendit tonë që të tërheqë një shumë shtesë prej 36.1 milion euro, duke e çuar tërheqjen totale në rreth 263 milionë e 700 mijë euro.
Këtë gjë, ministri i Financave Arben Ahmetaj e konsideroi “si një lajm të mirë për performancën e ekonomisë shqiptare dhe inkurajim i drejtpërdrejtë për reformat”.
“Në përfundim të rishikimit të shtatë të performancës së ekonomisë shqiptare në kuadër të programit 3-vjecar me qeverinë, Bordi Ekzekutiv i FMN vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë, po përshpejtohet ndërsa parashikimi në afatmesëm është i favorshëm; qeveria shqiptare ka marrë autorësinë e programit dhe vendosmëria e treguar për implementimin e reformave ambicioze dhe të vështira strukturore dhe fiskale është e lavdërueshme; angazhimi i autoriteteve për të vijuar me konsolidimin fiskal është thelbësor për të garantuar qendrueshmërinë e borxhit dhe ulur risqet fiskale; planet e autoriteteve për t’i fokusuar përpjekjet e tyre të axhustimit fiskal në kahun e të ardhurave, është e përshtatshme; vendosmëria e qeverisë për implementimin e reformave strukturore fiskale për të reduktuar risqet fiskale është inkurajuese; autoritetet kanë bërë progres mbresëlënës në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në nivelin e qeverisë qendrore”, shkruan Ahmetaj në Facebook.
“Është fakt që ekonomia shqiptare e ka konsoliduar tashmë trendin e saj të qendrueshëm të rritjes dhe zhvillimit. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë. Ndajmë të njëjtin qendrim me FMN se është thelbësore të ruajmë ritmin e reformave në ekonomi; se do të duhet të punojmë ende për përmirësimin e klimës së biznesit, se e kemi sfidë rritjen e konkurrueshmërisë së vendit dhe mbi të gjitha, të implementojmë sa më shpejt reformën në drejtësi, për të hapur një kapitull të ri në perspektivën europiane të Shqipërisë”, shton Ahmetaj.