Këta janë zyrtarisht punonjësit më të paguar në Shqipëri
INSTAT publikoi listën e aktiviteteve ekonomike me pagat më të larta mesatare për vitin që lmë pas, dhe pavarësisht uljes së pagave në disa prej tyre, mbeten këto vendet e punës për t’u lakmuar. Sipas Institutit të Statistikave punonjësit më të paguar në Shqipëri janë ata të organizatave ndërkombëtare. Paga mesatare bruto e tyre mbetet mbi 1 milionëshin në muaj, me vlerën e 124,814 lekëve të reja. Megjithëse ka patur ulje me rreth 3,351 lekë, prapë mbetet sektori më i paguar.
Të dytët më të paguar rezultojnë të jenë punonjësit e bankave dhe kompanive të sigurimit. Aktivitetet financiare dhe ato të sigurimit i paguajnë punonjësit mjaft mirë, me vlerën mesatare prej 97,962 lekësh. Ndryshe nga i pari, ky sektor në 2016-ën ka njohur ngritje të pagës mesatare me rreth 2,435 lekë.
Kategoria e tretë e profesioneve më të paguara në Shqipëri përfshin sektorin e informacionit dhe komunikacionit, me pagë mesatare prej 70,083 lekësh. Edhe ky sektor ka njohur rënie prej rreth 1,491 lekësh.
Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike rezultojnë të jenë të katërtat më të paguara në Shqipëri, me rreth 69,115 lekë pagesë bruto në muaj. Sipas INSTAT, ky sektor ka patur edhe rritjen më të madhe, me rreth 7,206 lekë. Sidoqoftë, duhet sqaruar se kjo rritje nuk ka të bëjë shumë me vlerësimin për profesionistët e lirë, sesa me rritjen e pagave referencë që u miratua në janar të 2016-ës, për t’u anuluar në shtator nga Gjykata Kushtetuese.
Punonjësit e shërbimeve të energjisë elektrike, gaz e avull janë të pestët më të paguar, me një pagë mesatare prej rreth 68,355 lekësh në muaj.
Administratat publike dhe institucionet e mbrojtjes janë në gjashtat për nga pagesa mesatare mujore. Me një rënie prej 1,2%, punonjësit e këtij sektori marrin një pagesë mesatare prej 58,548 lekësh në muaj.
Arsimi renditet i shtati me 57,140 lekë, një ngritje prej 4,4%. Shëndetësia dhe të tjera veprimtari sociale qëndrojnë në vlerën e 48,410 lekëve.
Pagat më të ulëta në këtë listë i marrin profesionistët që ofrojnë shërbime në shtëpi, që përveçse paguhen më pak- paga mesatare bruto prej 29,221 lekësh- kanë patur një rënie të dukshme nga vlera 29,221 lek e një viti më parë.
Burimi: “Monitor”