Kili në finale e Kupës së Amerikës, pret fituesin e çiftit Argjentinë-Paraguai

Kili shkon për herë të parë që nga viti i largët 1987 në një finale të Kupës së Amerikës. Në Estadio Nacional të kryeqytetit Santiago skuadra e Jorge Sampaolit iu fal Eduardo Vargas, që realizoi një dy golësh në fitoren 2-1 ndaj Perusë.

Peruja mbeti me 10 lojtarë për 70 minuta. Sfida gjysmëfinale mes këtyre dy kombëtareve nisi shumë e tensionuar dhe pa u mbushur ende 20 minuta lojë, Zambrano u ndëshkua me karton të kuq nga kryesori për një ndërhyrje të rëndë ndaj Aranguiz.

Eduardo Vargas shënoi në minutën e 42-të.   Nën presionin e Paulo Guerreros, me fillimin e pjesës së dytë futbollisti i Interit Gary Medel në tentativë për të larguar topin e dërgoi atë në rrjetën e tij duke vendosur sërish baraspeshën në këtë takim. Por festa nuk zgjati shumë te Peruja sepse pas vetëm 4 minutash Eduardo Vargas me një goditje të bukur nga distanca mposhti për herë të dytë gardianin e Perusë, Gallese duke i dhënë edhe njëherë tjetër avantazhin vendit organizator të eventit. Ky ishte goli i 22-të për Vargas me fanellën e Kilit.  

Pas 4 finaleve të humbura “La Roja” këtë herë synojë të arrijë një sukses historik kur të përballet me fituesin e çiftit gjysmëfinal, Argjentinë-Paraguai, ndeshje që do të luhet mbrëmjen e së shtunës.

SHKARKO APP