Kim Mehmeti: Shqiptaria e rrezikuar nga politikanët që vishen me “Versace”

Shqiptaria sot është e rrezikuar nga struktura politike, të cilët vishen me “Versace”, që të duken më pro perëndimor. Por të cilët e vjedhin popullin e vet dhe Kosovën e konsiderojnë si pronë të tyre. E këtë e kanë dëshmuar me situatën e fundit, duke e lënë vendin gjashtë muaj pa Qeveri”. Kështu ka pohuar publicisti Kim Mehmeti, në një forum të organizuar nga studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë, me temën “Të mendojmë shqip”. Mehmeti i cili në këtë debat pati kritika të shumta për elitën politike, tha se politikanët e tillë thellësinë e xhepit të vet e kanë barazuar me interesin dhe të mirën e Kosovës. Ai theksoi se politikanët e tillë, për ta fshehur vetveten, “destruktivitetin dhe hajnukracinë që e ndërtojnë, janë në gjendje të na trillojnë armiq edhe aty ku s’ka”. Mehmeti tha se ata që nuk na duan, nuk u pengon as islami te myslimani, as katolicizmi te katoliku, as ortodoksia te ortodoksi, por të gjithë atyre u pengon shqiptaria. Në takim, akademiku Mark Krasniqi tha se Kosova tani më gjendet në një udhëkryq, për shkak të posteve që synojnë politikanët tanë dhe luftës së tyre për pushtet. Ndërsa At Nikoll Marku, prift në Kishën e Elbasanit, tha se e vetmja Kishë e pavarur nga trysnia dhe helenizmi grek në Shqipëri ka mbetur kjo kishë.

SHKARKO APP