Kinezët forcojnë pozitat në Ballkan, blejnë pjesën më të madhe të portit të Pireut

Gjigandi kinez COSCO përfundoi zyrtarisht blerjen e pjesës më të madhe të portit të Pireut, duke deklaruar se do ta kthejë atë në portin më të madh të kontenierëve të tranzitit në Europë.

Në total kompania do të investojë 293.8 milionë euro, që janë pjesë e projekteve 5-7 vjeçare të Kinës për të shtrirë ndikimin e saj në Europë, por edhe në Ballkan.

Cosco parashikon që ta kthejë portin e Pireut në portin më të madh në Europë për kontejnerët tranzië, atë të kroçierave, si dhe për riparimin e pajisjeve nënujore.

Synimi i Kinës është që të ngushtojë distancat mes saj dhe Europës Juglindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Në vitet e fundit Kina po tregon një interes në rritje për të investuar në projekte energjetike dhe infrastrukturore në Ballkan. Ajo po synon të lidhë Europën me Azinë përmes Rrugës së re të Mëndafshit.

Në Shqipëri nuk ka ende një projekt konkret, përveç diskutimeve për “Rrugën e Arbërit” edhe pse vendi ynë është pjesë e inicitivës “16+1” (që përfshin 16 vende të Europës Juglindore plus Kinën).

Në simpoziumin e mbajtur në ambasadën kineze në Tiranë për atë që njihet si projekti “Belt and Road” u nënvizua se si Kina ashtu edhe Shqipëria janë në faza të rëndësishme zhvillimi, megjithatë dy vendet kanë nevojë të përmirësojnë bashkëpunimin, të mësojnë prej njëri-tjetrit, si dhe të plotësojnë avantazhet.

Në fakt kinezët kanë shprehur vazhdimisht interes për të qenë pjesë e investimeve në infrastrukturë, përfshi këtu edhe ato në hekudhën shqiptare,  por propozimet janë lënë në hije.

Ndryshe po ndodh me shtete si Greqia, Maqedonia e Serbia që janë pjesë direkte e planeve kineze të investimeve në rajon.

Megjithatë, vendet e tjera të Ballkanit përfshi këtu edhe Shqipërinë synojnë të tërheqin ndonjë pjesëzë.

Vendi ynë konsiderohet më shumë i oientuar ndaj marrëdhënieve me Bashkimin Europian, por veçanërisht në katër muajt e parë të vitit 2016 u vu re një forcim i marrëdhënieve mes dy vendeve. Në mars të këtij viti, Kina u rendit si partneri i dytë tregtar në vend, duke zënë 7.7% të tregtisë së jashtme.

SHKARKO APP