Kjo është marrëveshja e Thaçit dhe Vujanoviçit për Demarkacionin/ Dokumenti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se ai dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviç kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët për shënjimin e kufirit mes të dyja vendeve.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi deklaroi se është takuar në mëngjes me kryeministrin Ramush Haradinaj të cilit ia ka prezantuar marrëveshjen e arritur me Malin e Zi.

Thaçi ka zbuluar para gazetarëve marrëveshjen e përbashkët për Demarkacionin, me presidentin e Mali të Zi.

Nëpërmjet një deklarate dy presidentët u kanë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve në gushtin e vitit 2015. Këtë marrëveshje e kishte nënshkruar Thaçi si zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme të Kosovës.

Ka thënë se me Filip Vujanoviçin janë pajtuar që të ratifikohet në Kosovë kjo marrëveshje dhe se me ratifikimin e kësaj do të respektohen parimet për marrëveshjen e nënshkruar më herët.

“Kjo deklaratë bën thirrje për përmbylljen e kësaj marrëveshje dhe më pas përmes grupeve punuese do të rishikohet kjo”, ka thënë presidenti.

I pyetur për kushtet e vëna nga BE për vizat, ai tha se është jetike të ratifikohet demarkacioni në Kuvend.

“Nga 95 kriteret ne kemi përmbushur 94, ka mbetur vetëm demarkacioni që do ta kryejmë në ditët e ardhshme. Probleme kanë të gjitha vendet e BE-së, por nuk do të jetë pengesë që mos të ndodh liberalizimi”, tha Thaçi.

SHKARKO APP