Kjo hartë tregon origjinën e vërtetë të ushqimeve

Ne jemi çfarë hamë. Por, ende nuk e kemi idenë se çfarë i fusim trupit tonë. Për shembull, skandali i 2013-s me mishin e përpunuar në Europë shkaktoi një shok të madh dhe shkaktoi humbjen e besimit te konsumatorët.

Gjithashtu tregoi se sa i ndërlikuar është bërë zinxhiri i furnizimit të ushqimit. Por, sipas studimeve më të fundit që gjurmojnë origjinën e ushqimeve, kjo gjë nuk është një zhvillim i tanishëm.

Në fakt, ne kemi këmbyer kulturat ushqimore që në kohë të hershme, rreth 70% e kulturave që janë baza e shumë dietave kombëtare (domate në Itali, patatet në Irlandë apo specat djegës në Tajlandë) vijnë nga një rajon tjetër.

Kërkuesit i paraqitën përfundimet e tyre në një hartë interaktive që tregon saktësisht origjinën se nga vijnë ushqimet që ne konsumojmë dhe disa prej tyre vërtet do t’ju habisin.

S’ka asgjë si ëmbëlsira me mollë amerikane, apo jo? Mbase jo, sepse origjina e mollëve është nga Azia dhe Europa. E ndërsa mbështetësit e tenisit anglez kanë konsumuar luleshtrydhe me krem që në shekullin e 19-të, origjina e kësaj frute është nga Amerika e Veriut dhe e Jugut. Sistemi ynë i ushqimeve është tërësisht global, shkruan Forumi Ekonomik Global në një analizë.

Europa Juglindore

Është rajoni kryesor për varietet e mollëve, ullirit, dardhëve, rrepave dhe panxharit të sheqerit.

Të dhënat janë analizuar për vendet si Shqipëria, Armenia, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Turqia.

Ushqimet që ky rajon ka marrë nga zonat e tjera, kryesisht nga Azia Perëndimore dhe Lindore, janë ushqimet që kanë në bazën e tyre karbohidratet dhe proteinat. Këtu përfshihet rrushi, të cilin i gjithë rajoni i Europës Jugore e kultivon dhe është i famshëm për prodhimin e verës prej varieteteve të ndryshme të tij.

Të tjera ushqime që ky rajon ka marrë nga Lindja janë gruri, që është burim karbohidratesh dhe bishtajoret që janë burim proteinash.

Europa Juglindore, ku bën pjesë dhe Shqipëria, ka marrë nga rajoni i Amerikës së Veriut bimën e lulediellit, ndërsa nga Mesdheu ka marrë bimët si gruri dhe thekra.

Ndërsa për sa u përket produkteve përfundimtare, Europa Juglindore është rajoni kryesor për majdanozin, spinaqin, rrënjët e çikores, lulelakrën, mollët, artiçokun, karotat, lajthitë, fiqtë, dardhët, ullinjtë, duke qenë kështu rajoni me gamën më të gjerë të produkteve që konsumohen nga rajonet e tjera.

Dieta e këtij rajoni përmban shumë jeshillëqe, të cilat janë të pasura me vitamina dhe këshillohet nga dietologët më të famshëm.

Mesdheu Jugor dhe Lindor

Rajoni kryesor për varietet e elbit, bizeleve, thjerrëzave si dhe hurmave arabike, rrushit, ullirit, dardhave dhe grurit.

Të dhënat janë analizuar për vendet si Libia, Maroku, Egjipti, Qipro, Libani, Tunizia dhe Turqia.

Azia Perëndimore

Rajoni kryesor për varietetet si elbi, hurmat arabike, thjerrëzat, bathës, susamit, qepëve, thekrës dhe grurit.

Të dhënat e analizuara për Afganistanin, Iranin, Irakun, Izraelin, Kuvajtin, Pakistanin, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Azia Lindore

Rajoni kryesor për varietetet e mollëve, qitros, rrushit, limonit dhe limës, portokallit dhe mandarinave, orizit, sojës dhe çajit.

Të dhënat e analizuara për Kinën, Korenë e Jugut, Japoninë, Mongolinë dhe Tajvanin.

Azia Juglindore

Rajoni kryesor i varieteteve të bananeve, arrës së kokosit, qitros, orizit, kallamit të sheqerit, çajit dhe patates së ëmbël.

Të dhënat janë analizuar për vendet si Kamboxhia, Indonezia, Tajlanda, Filipinet, Vietnami dhe Malajzia.

Amerika e Veriut

Rajoni kryesor për varietet e rrushit dhe të lulediellit.

Të dhëna të analizuara për Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Amerika Qendrore dhe Meksika

Rajoni kryesor për varietetet e fasuleve, farës së kakaos, vaji i farës së pambukut, patates së ëmbël dhe zhardhokëve.

Të dhënat e analizuara për Belize, Kosta Rika, El Salvador, Guatemala, Honduras, Meksikë, Nikaragua dhe Panama.

Amerika Jugore Tropikale

Rajoni kryesor për varietetet e farës së kakaos, vajit të palmës, ananasit, zhardhokëve dhe çajit.

Të dhënat e analizuara për Bolivinë, Brazilin, Kolumbinë, Ekuadorin, Paraguain, Perunë dhe Venezuelën.

SHKARKO APP