“Klima”, mundësi biznesi – BB: Vendet si Shqipëria mund të prodhojnë miliarda dollarë
Korporata Ndërkombëtare Financiare, IFC, pjesë e Bankës Botërore ka publikuar së fundmi një raport mbi klimën dhe vendet në zhvillim, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Raporti vendos fokusin pikërisht te shansi i madh që kanë ekonomitë e këtyre vendeve që të përfitojnë nga marrëveshja historike e Parisit mbi klimën.
Raporti identifikon shtatë sektorë të industrisë që mund të sjellin një ndryshim thelbësor në nxitjen e investimeve private: energjia e rinovueshme, energjia diellore jashtë rrjetit dhe depozitimi i energjisë, agrobiznesi, ndërtesat e gjelbra, transporti urban, uji dhe menaxhimi i mbetjeve urbane.
Tashmë më shumë se 1 trilion dollarë investime janë përqendruar në projekte të lidhura me klimën në këto fusha. Por triliona të tjerë mund të gjenerohen nëse krijohen kushtet e duhura të punës në tregjet në zhvillim, thuhet në raport.
“Sektori privat mban peshën kryesore në luftën kundër ndryshimeve klimatike,” –deklaroi Philippe Le Houérou, drejtuers ekzekutiv i IFC-së.
“Sektori privat ka mundësitë për inovacion, financim dhe mjetet për ta realizuar këtë. Ne mund të ndihmojmë në çlirimin e më shumë investimeve në sektorin privat, por kjo gjithashtu kërkon reforma qeveritare, si dhe krijimin e modeleve inovative të biznesit”, shtoi ai.
Investimet në fushën e energjisë së rinovueshme mund të kapin shumën totale prej 11 trilionë dollarë deri në 2040. Investimet në furnizimin me ujë dhe kanalizime mund të tejkalojnë shumën totale prej 13 trilionë dollarë deri në vitin 2030. Shqipëria është një ndër vendet firmëtare të paktit historik të Parisit.
Gjatë vitit të fundit një sërë raportesh ndërkombëtare vënë theksin te impakti që klima ka në ekonominë e vendit, duke ngritur jo pak herë edhe alarmin. Lufta ndaj ndryshimeve klimatike jo vetëm që do të zhbëjë këto efekte negative, por sipas bankës botërore, do të krijojë edhe mundësi të pafundme për biznes.