KLSH kontollon cilësisë së tregtimit të karburanteve
ANALIZË nga Gjovalin Preçi*
Prej më shumë se tre vjetësh, veprimtarisë së KLSH i është shtuar dhe forcuar vazhdimisht auditimi i mirëfilltë i performancës së institucioneve shtetërore në kryerjen e shërbimeve ndaj taksapaguesve dhe qytetarëve me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet, krahas atyre të ligjshmërisë dhe financiar. Në këtë kuadër, këto ditë përfundoi auditimi i performancës së Inspektoratit Qendror Teknik (aktualisht Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial), duke u fokusuar në ndikimin e veprimtarisë së tij në garantimin e cilësisë së tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj në Shqipëri.
Konsumatorët shqiptarë janë të mbrojtur me ligj, jo vetëm për të marrë shërbime me cilësi, por në të njëjtën kohë dhe për të drejtën mbrojtjes së shëndetit, mjedisit dhe sigurisë së jetës, interesave ekonomikë etj. Në këtë kuadër përfshihet dhe cilësia e naftës dhe nënproduktet e saj, që ofrohen nga tregtarët me pakicë dhe njësitë e lëndëve djegëse, garantimi i së cilës duhet të bëhet nëpërmjet strukturës së posaçme që është IQT, me kompetencë vetëm për sa i përket shërbimeve që ju ofrohen konsumatorëve. Kështu, nga mënyra se si funksionon dhe menaxhohet ky institucion varet në një shkallë të ndjeshme niveli i mirëqenies së qytetarëve si rezultat i cilësisë së furnizimit me karburante: nëpërmjet çmimit, konsumit për njësi dhe periodicitetit të kryerjes së shërbimeve teknike, si dhe nga ana shëndetësore në sëmundshmërinë nga shkarkimet ndotëse në ajër. Kjo pasi, përdorimi i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në transport për automjete dhe lëndëve të djegshme për përdorim termik dhe industrial vazhdojnë të gjejnë zgjerim në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Përllogaritjet e përafërta monetare nga qarqet e larta qeveritare, tregojnë se taksapaguesit dhe konsumatorët shqiptarë vidhen nga 25 lekë për litër deri në disa raste edhe 35 lekë për litër, pa përjashtuar këtu ndikimin në shëndetin tonë, si rezultat i karburanteve me tregues jashtë standardit, ndotës për ambientin.
Nafta, gazi dhe nënproduktet e saj që konsumohen në vendin tonë për qëllime transporti dhe për përdorim industrial vjen kryesisht nga importi, por që nevojat plotësohen dhe nga prodhimi dhe përpunimi i saj brenda vendit. Mungesa e kapaciteteve përpunuese në vend, bën që një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të naftës bruto të eksportohet. Nga analiza e të dhënave për periudhën 2011- qershor 2015 konstatohet se dominues në vendin tonë ka qenë importi i karburanteve, çka do të thotë se tregu i karburanteve është ndikuar nga nafta e përpunuar në vend, konsumi i së cilës vjen në rritje kohët e fundit, duke bërë që të jetë në nivele gati konkurruese me naftën e importit. Ekzistenca e dy rafinerive të ARMO-s me një teknologji të vjetruar, si dhe rreth 15 impianteve të përpunimit të naftës, i cili është një aktivitet që nuk raportohet e as nuk regjistrohet , e kërcënojnë seriozisht cilësinë dhe standardet e karburanteve që hidhen në tregun shqiptar. Gjithashtu, rritja e konsumit dhe e transportit, përbëjnë midis të tjerëve, faktorët kyç në degradimin e mjedisit dhe çekuilibrimin e ekosistemeve të një vendi, duke i shkaktuar probleme popullatës si rezultat i ekspozimit ndaj ndotjes. Për vitin 2014, problematike në qendrat urbane, si Tirana, mbetet numri i ditëve që tejkalon standardin ditor të BE-së së përmbajtjes së grimcave prej 50 µg/m³ nga 35 ditë të lejuara në 102 ditë. Mjafton të përmendim se Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 80% e vdekjeve të parakohshme nga infarkti dhe sëmundjet e zemrës, 14% e vdekjeve nga sëmundjet kronike pulmonare dhe 6% e vdekjeve nga kanceri i mushkërive lidhet me ndotjen e ajrit urban.
Veç këtyre, sipas të dhënave të mes-gushtit 2015, Shqipëria renditet në vendin e shtatë në Evropë për sa i përket çmimit të karburantit, shumë më e lartë se vendet e rajonit, ose 0.49 euro më shumë se në Maqedoni, 0.23 euro më shumë se në Mal të Zi, 0.13 euro më shumë se në Greqi etj.
Nga auditimi ka rezultuar se nga karburantet, në masë të konsiderueshme është nafta jashtë standardit të cilësisë, e cila që nga viti 2013 ka prirje të përkeqësohet, pasi është rritur përqindja e mostrave me cilësi jashtë standardit gradualisht nga 10.4 % në 12 % në vitin 2015, në një kohë që në vendet e BE-së në vitin 2013, analizat jashtë standardit kanë qenë në vlera nga 0.03 % në 0.65 %. Bazuar në numrin e mjeteve që konsumojnë naftë prej 71 %, konstatohet se mbi 2/3 e konsumatorëve të gazoilit në Shqipëri marrin naftë me tregues cilësie të konsiderueshme jashtë standardit, duke sjellë si pasojë, krahas të tjerave që 29 % e automjeteve të mos e kalojnë testin e ndotjes në kontrollin teknik të tyre.
Meqenëse rezultatet e analizave të mostrave të para zhdoganimit të karburantit (pra të importit) janë të gjitha brenda treguesve, por cilësia e tij në stacionet e furnizimit është jashtë standardit kryesisht për pikën e flakërimit dhe përmbajtjen e squfurit, tregon se nafta që ju furnizohet konsumatorëve përzihet me naftë bruto dhe hollues në tregun e brendshëm, duke ndikuar ndjeshëm jetesën e qytetarëve shqiptar. Përzierja është një praktikë ku produktet me çmim më të ulët përzihen me karburantet më të shtrenjta me ndikime të shumta negative ndaj automjeteve, ambientit dhe shëndetit publik. Përzierja e karburantit ndodh për shkak se jemi një vend i pasur me naftë bruto dhe nënprodukte të saj, të cilat përzihen me naftë dhe shiten me një çmim më të lartë, si dhe çmimet e produkteve të tilla kanë dallime në barrën fiskale, për pasojë këto probleme shkaktojnë reduktim të të ardhurave buxhetore dhe shumë dëme për konsumatorët dhe mjedisin.
Nga auditimi ka rezultuar se Inspektorati Qendror Teknik ka funksionuar në bazë të një kuadri rregullator të pa harmonizuar dhe bashkërenduar për një periudhë prej më shumëse dy vjetësh. Mjafton të themi se, ndërsa Rregullorja e brendshme nuk ka ndryshuar që nga viti 2010, që nga muaji prill 2013 deri në maj 2015, IQT nuk ka pasur bazë ligjore funksionimi. Veç kësaj, ligji bazë për kontrollin e cilësisë së karburanteve ka pësuar rregullime të shpeshta, duke sjellë nevojën e një ligji integral për kontrollin e cilësisë së karburanteve gjatë prodhimit, përpunimit, transportimit, depozitimit dhe tregtimit të tyre, në funksion të garantimit të standardeve të cilësisë. Për më tepër që nuk janë zbatuar kërkesat e ligjit të posaçëm për inspektimin, duke ulur ndjeshëm performancën e këtij institucioni për mbrojtjen e konsumatorëve.
Lëvizjet e shpeshta të drejtuesve të këtij institucioni (brenda 5 viteve janë ndryshuar 6 herë) dhe bashkë me të e specialistëve dhe personelit (në vitin 2013 është ndryshuar rreth 64% e të gjithë punonjësve), mungesa e përcaktimit dhe zbatimit të kritereve në rekrutimet e reja (nuk i janë nënshtruar procedurave të nëpunësve të shërbimit civil), krijimi i një raporti të pajustifikuar midis profesioneve që nuk kanë lidhje me objektin e veprimtarisë (ka vetëm 47 inxhinierë të profileve të ndryshme në një kohë që duhet të ketë së paku 67 të tillë), një shpërndarje joracionale e subjekteve për inspektim (inspektorët e zonë së Tiranës kanë dyfishin e atyre të Gjirokastrës), shto këtu dhe penalizimin nga vendimet e gjykatave për largime nga puna pa shkaqe të arsyeshme (nga buxheti janë paguar 21,621,329 lekë për këtë qëllim), si dhe mungesën e trajnimeve dhe testimeve periodike të inspektorëve e kanë zbehur mjaft ndikimin e veprimtarisë së IQT në përmirësimin e nivelit të jetesës së qytetarëve shqiptar.
Gjithashtu, është konstatuar mungesa e bashkërendimit të veprimtarisë së IQT me institucionet e tjera si Dogana, Tatime, Drejtoria e Markave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Njësitë vendore, Inspektorati Shtetëror etj., duke sjellë si pasojë zbehjen e fuqisë vepruese të shtetit në mënyrë të gjithanshme mbi subjektet abuzuese me standardet e cilësisë në fushën e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Mungesa e operativitetit në veprimtarinë inspektuese, si rezultat i vonesave të shumta që nga momenti i evidentimit të treguesve dhe/ose mungesës së dokumentacionit teknik deri në vendim-marrjen përkatëse për masë administrative me gjobë ose jo, ka sjellë për pasojë që jo vetëm të hidhen në treg sasi karburanti me cilësi jashtë standardit, por në të njëjtën kohë të mos kenë efekt parandalues të rasteve të tilla. Duke krijuar struktura të panevojshme si ajo e grupit teknik, si dhe nga subjektivizmi i inspektorëve, mjaft raste të mangësive cilësore dhe dokumentare nuk janë shqyrtuar nga komisioni përkatës në IQT, të cilat në fund të fundit reflektohen në pasojat financiare, mjedisore dhe shëndetësore të shqiptarëve nga karburantet me cilësi të keqe. Duhet të theksojmë se në të gjitha vendet e BE-së, në se rezulton karburant me tregues jashtë standardit tërhiqet nga tregu dhe bashke me të dhe ndikimi negativ tek konsumatorët dhe ambienti.
Duke mos pasur rregulla të qarta dhe kushte të mirëpërcaktuara ose nga zbatimi mangët i tyre, Shqipëria rezulton të ketë një numër të konsiderueshëm të stacioneve të shitjes së karburanteve, mjaft më të lartë se shumica e vendeve me territor, popullsi dhe numër automjetesh të ngjashme, për më tepër me një tendencë në rritje të tyre në vitet e fundit. Kështu, nëse ne kemi afërsisht 1078 stacione të furnizimit me karburant, Maqedonia ka 280 të tilla, Sllovenia 546, Sllovakia 857, Estonia 440, Hungaria 1914 etj., si dhe numri i stacioneve të furnizimit me karburant në zonën e Evropës është zvogëluar me rreth 13,000 në vitin 2013 kundrejt një viti më parë.
IQT gjatë periudhës 2011- qershor 2015 ka vendosur gjobitjen e mesatarisht 48.3 % të subjekteve që rezultojnë me karburant jashtë standardeve të cilësisë dhe/ose me mangësi në dokumentacionin teknik, pra më shumë se gjysma e subjekteve “firojnë” nga ndëshkimet me gjobë, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e subjekteve t’i shpëtojnë shkeljes së standardeve të cilësisë në dëm të qytetarëve. Por akoma më keq rezulton niveli i arkëtimit të gjobave nga IQT, pasi për periudhën e auditimit nuk arrin as 1 % në vit (saktësisht 0.84 %) gjë që tregon se, krahas problematikës së organeve gjyqësore dhe përmbarimore, IQT nuk ka rritur të ndëshkojë subjektet me shkelje ligjore, dhe për pasojë tregu i karburanteve nuk ka njohur asnjë lloj goditjeje penalizuese as me gjoba, jo më të largohet nga tregu ose të tërhiqet sasia e karburantit me tregues jashtë standardit.
Pa u ndalur hollësisht në problematikën të kësaj veprimtarie, KLSH ka konluduar se mbrojtja e konsumatorit shqiptar në drejtim të furnizimit me naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre me cilësi brenda standardeve nga ana e IQT-së është e mangët, për shkak të kuadrit rregullator të pa bashkërenduar dhe harmonizuar; të burimeve njerëzore të pa trajnuara, të pa testuara, të pakualifikuara dhe të keqmenaxhuara; zbatimit me mangësi të procedurave të inspektimit; mungesës së materialeve e modernizimit të pajisjeve laboratorike dhe kryerjes së një numri të kufizuar të treguesve të analizave; problemeve në investime e menaxhim financiar, si dhe reduktimit të subjekteve të ndëshkuara e mos vjeljes së gjobave.
Mbi këtë bazë, Kryetari i KLSH-së, zoti Bujar Leskaj ka marrë Vendimin nr. 164, datë 24.12.2015, duke i rekomanduar Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial marrjen dhe zbatimin e 28 masave për përmirësimin e menaxhimit, administrimit dhe funksionimit të këtij institucioni shtetëror në dobi të taksapaguesve shqiptar, si dhe ka njohur me rezultatet e këtij auditimi Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.
*Autori është Kryeauditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit