Koalicion me PD? Saimir Tahiri: Aleatët e PS-së nuk janë ‘partiçkat’

Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës Saimir Tahiri ka zhvilluar një takim me banorë të Kasharit. Ai ka deklaruar se gjatë 25 viteve të fundit pushteti është kthyer në një tepsi nga partitë ose partiçkat, të cilat kanë blerë votat dhe më pas me to kanë qëndruar në pushtet për të rrjepur njerëzit. Për t’i dhënë fund kësaj theksoi Tahiri, është e domosdoshme që çdo votë të shkojë për Partinë Socialiste në datën 25 qershor.

“Ne e kishim shumë më kollaj të shkonim në këto zgjedhje me koalcion. Ne kemi dalë vetëm në këto zgjedhje. Po konkurrojmë vetëm në këto zgjedhje, sepse ne besojmë që në këto zgjedhje aleatët e Partisë Socialiste nuk duhet të jenë partitë apo partiçkat. Aleatët e vetëm të Partisë Socialiste në këto zgjedhje duhet të jenë njerëzit, duhet të jeni ju. Ne duam të fitojmë bashkë me ju. Ne duam të qeverisim nesër bashkë me ju, jo me partitë. Unë besoj që do ia dalim në qoftë se secili prej jush realisht e beson që duhet t’i japim fund një kapitulli 25-vjeçar në këtë vend. Një kapitulli 25-vjeçar që njerëzit i ka mbajtur skllevër. Nuk ta bënin legalizimin kastile që nesër të të vidhnin votën. Nuk të jepnin certifikatën e pronësisë kastile që nesër të të mbanin peng edhe të të thonin, “ma jep tani votën që të të japë legalizimin për shembull apo certifikatën e pronësisë. Nuk të jepnin shërbim, nuk të shërbenin sepse donin të të rrëmbenin votën, të të mbanin skllav”, tha Tahiri.
thumbnail_Tahiri ne Kashar (2)
Kreu i PS-së të Tiranës theksoi se disa nga reformat e ndërmarra nuk ndihen çdo ditë nga qytetarët dhe si i tillë është Vetting-u. Sipas Tahirit gjatë këtyre viteve qytetarët janë endur dyerve të gjykatave pa gjetur drejtësi duke bërë që shumë njerëz të mos i drejtohen fare për problemet e tyre.

“Reforma në drejtësi ka pasur shumë rezistencë nga partitë. Ka pasur shumë rezistencë nga ata që janë mësuar të korruptohen, të korruptojnë. Reforma në drejtësi ka pasur shumë rezistencë nga që nuk e kanë dashur drejtësinë. Reforma në drejtësi ka pasur rezistencë nga ata që kanë dashur të jenë të mbrojtur dhe të pandëshkueshëm, të paprekshëm; mund të bënin gjithçka dhe nuk i prekte as ligji dhe asgjë. Po ne ia dolëm që të miratojmë reformën në drejtësi dhe Vettingun. Vettingun do ta ndjeni atëherë kur të shikoni sesi gjyqtarët e korruptuar do fillojnë të mbajnë radhë për të dalë para drejtësisë. Kur gjyqtarët e korruptuar do japin llogari para ligjit për atë që i kanë bërë popullit. Kur gjyqtarët e korruptuar të mos guxojnë më t’ju rrëmbejnë toka, t’ju rrëmbejnë pasurinë, të çojnë e të lënë jashtë burgut përdhunues, vrasës e lloj – lloj njerëzish që i bien në qafë njerëzve të ndershëm në këtë vend”, shtoi Saimir Tahiri.

SHKARKO APP