Koalicion paszgjedhor me LSI? Basha: Nuk e mohoj, por prioritet për mua ka …

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet i vendosur për të realizuar planin e tij ekonomik për të përmirësuar situatën në vend dhe për të rritur punësimin. Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili, Basha shprehu bindjen se në zgjedhjet e 25 qershorit, PD do të marrë 72 mandate.

I pyetur nëse do të bëjë një marrëveshje apo koalicion paszgjedhor me LSI, nëse nuk i merr 71 mandatet e nevojshme për formimin e qeverisë, Basha tha në studion e “News24”, se rëndësi ka për të zbatimi i planit ekonomik. Ai tha se se interesi i qytetarit është para interesave politike.

Në një intervistë në “News24” mbrëmjen e djeshme në emisionin “Të paekspozuarit”, Rama u shpreh se PS dhe LSI nuk kanë asnjë shans të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve, ndërkohë që la të hapur mundësinë e koalicionit mes PD dhe LSI.

Në përgjigje të kësaj, Basha tha se:

“Unë nuk po merrem me komentet që bëjnë dy njerëz të dëshpëruar, pa bilanc, pa plan, dhe të obsesuar vetëm me pushtetin e tyre. Unë dua që kjo të marrë fund. Kjo është dëshira që kur jam futur në politike, si politikan aktiv. Ndaj jam shumë i vendosur, pasi e shoh se jemi shumë afër që kam dëshiruar. Kemi shansin t’i japim fund kalkulimeve politike në të mirë të politikanëve”.

Ju thoni që PD do jetë forcë e parë. Nëse nuk merrni 71 mandate, me kë do bashkëqeverisni më 25 qershor?
Kjo është larg paradigmave dhe koncepteve politike dhe mediatike të ditëve të sotme. Deri sot flasim me kë do bësh koalicion, si do t’i ndash portofolat, kush do të bëhet filan ministër. Çfarë do të thotë republika e re? Në radhë të parë do të thotë të vëmë interesin e njerëzve të parin. Dhe kjo për mua kalon nga ulja e TVSh-së, nga 20 në 15%; nga taksa e sheshtë 9 %; nga taksa për biznesin e vogël bashkë me tarifat lokale jo më shumë se 1.5 % e xhiros vjetore, dhe pulla fiskale që do të ndalojë futjen e inspektorëve tatimorë. Pra synojmë tërheqjen e inspektorëve nga rrugët. Synojmë të mos ketë shpenzime për fasada e palma, por për shkolla e kopshte. Shkolla me drekë deri në orën 4. Rikonstruksion i 1300 objekteve, shtim të stafin pedagogjik. Parashikojmë rritje të pensioneve. Këtu do shkojnë paratë e shqiptarëve.

Pra kush është dakord me këtë plan do të bashkëqeverisë?
Ne me këtë plan do të qeverisim Shqipërinë. PD dhe aleatët tanë do të qeverisin me këtë plan.

Nëse do të ju duhen votat e LSI çfarë do të bëni?
Ne do të qeverisim me këtë plan Shqipërinë, dhe me ekzekutimin e këtij plani nuk ka asnjë kompromis. Nuk do të ketë asnjë kompromis. Ne nuk do të bëjmë kompromise në kurriz të asaj që shqiptarët presin dhe meritojnë. I vetmi plan që e garanton këtë, dhe në fakt i vetmi plan në fushatë, është programi ynë ekonomik. Unë besoj se qytetarët shqiptarë që janë njohur me planin, dhe ata të tjerët që do të njihen shumë shpejt me të, do ta mbështetin dhe do të më japin mua dhe PD shansin të qeverisim për ekonominë, punësimin, biznesin dhe të gjitha.

E mohoni në mënyrë kategorike një marrëveshje apo një koalicion pas zgjedhor me LSI?
Unë kërkoj dhe kam bindjen se shqiptarët do të votojnë PD, koalicionin tonë opozitar për të zbatuar këtë plan ekonomik, i vetmi plan në fushatë. Nuk është nuk e mohoj. Unë pres që PD të qeverisë vendin pas 25 qershorit dhe të zbatojë planin ekonomik.

Por ka disa skenarë?
Ky është skenari i rrëzimit të republikës së vjetër me votë, me një goditje. Nëse ky skenar nuk ndodh, unë prapë se prapë ju them se republika e vjetër ka marrë fund. Natyrisht na pret një betejë tjetër deri në rrëzimin total të saj, por unë kam besimin se shqiptarët do ta rrëzojnë menjëherë dhe do të përqafojnë këtë përqasje europiane, këtë plan që funksionon në Europë dhe SHBA, taksa të ulëta që shpenzohen për ekonominë, për të rinjtë.

 

SHKARKO APP