Koçiu: Protestuesit nuk përfaqësojnë qytetarët, veprimet e tyre janë të papranueshme

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me protestën e opozitës në Tiranë, duke e cilësuar atë si një akt të dhunshëm dhe të papërgjegjshëm politikisht.

Në reagimin e saj, Koçiu shkruan se ngjarjet e përsëritura me tym, flakë dhe përplasje janë, sipas saj, një skenar i vjetër i një politike në krizë, ku dhuna zëvendëson debatin dhe maskat fshehin mungesën e alternativës. Ajo thekson se një kauzë e drejtë, sipas saj, nuk ka nevojë për molotovë apo për akte vandalizmi, por për mbështetje qytetare dhe votë.

“Po e shohim përsëri. E njëjta shfaqje e shëmtuar, e njëjta skenografi e vjetër me tym e me flakë, që vjen nga bodrumet e një politike në agoni. Një tjetër “revolucion” me pagesë, ku molotovi zëvendëson fjalën dhe maska fsheh turpin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Le ta themi troç, pa asnjë dorashkë: Një kauzë e drejtë nuk ka nevojë për maska dhe as për molotovë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kush ka të drejtë, ka mbështetjen e popullit, jo bandën e huliganëve me pagesë. Kush ka ide, ka votën. Por kur kutia e votës të është kthyer në në makthin tënd më të madh që prej dy dekadash, atëherë e vetmja rrugë është dhuna si streha e fundit e paaftësisë.

Të thërrasësh shqiptarët të bëhen mish për top për marrëzinë tënde personale, ndërkohë që ata ta kanë dhënë përgjigjen me votë rresht për 20 vite, është kulmi i pafytyrësisë politike.

Ata thonë se kjo është një protestë qytetare? Cili qytetar i këtij vendi do të shihte qytetin e tij të digjej? Të djegësh institucionet nuk është politikë, është vandalizëm. Të godasësh Policinë e Shtetit nuk është trimëri, është krim.

Kjo nuk është një protestë kundër qeverisë. Kjo është një protestë kundër Shqipërisë që punon, kundër stabilitetit, kundër sigurisë së çdo familjeje dhe kundër imazhit të një vendi që sot respektohet në çdo tryezë ndërkombëtare.

Ky nuk është opozitarizëm, ky është sabotim kombëtar nga ata që Shqipërinë e duan vetëm nëse mund ta kenë si pronë private, përndryshe duan ta shohin në flakë.

Dhe nesër, kur të dilni për të përgënjeshtruar turpin tuaj të sotëm e për t’ua shitur shqiptarëve dhunën si “ndjenjë lirie”, mendohuni mirë. Mendohuni dy herë, sepse Shqipëria nuk është më as ajo e 97-ës dhe as ajo e rrëmujës suaj mendore”, shkruan Albana Koçiu.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?