Kodheli në Fierzë: Më sulmojnë sepse ndërtova urën në Viçidol të Tropojës
Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të PS në qarkun e Kukësit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Mimi Kodheli e shoqëruar nga kandidatja për deputete në këtë qark, Valbona Doçi zhvilluan një takim elektoral në Dushaj, Fierzë.
Në bashkëbisedimin që zhvilloi me banorët e kësaj zone, Kodheli i falenderoi për mikpritjen dhe premtoi se do të vijojë mbështetjen në ndihmë të infrastrukturës rurale, jo vetëm për Tropojën por për të gjithë vendin.
Kodheli shprehu habinë, për sulmet politike ndaj saj, për shkak të ndërtimit të një pjesë të rrugës që të çon të Teqeja e Shkëlzenit, urës së Viçidolit dhe veprave të tjera.
Ndërkohë që ajo shpjegoi se nuk është hera e parë që Forcat e Armatosura i vijnë në ndihme kësaj zone dhe të gjitha zonave në nevojë, pasi nga FA-të u ndërtua edhe një tjetër urë në Bjeshkët e Tropojës 1 vit e gjysmë më parë, kohë në të cilën, ajo nuk e dinte se do të kandidonte në këtë zonë.
Kodheli tregoi se është pranë të gjithë banorëve të qarkut të Kukësit, pasi kjo zonë ka me të vërtetë nevojë për ndryshim.
“Nuk më është dashur të vij deri këtu për të kërkuar votën e për t’u bërë deputet, por besoj që ky vend ka nevojë për një tjetër ngjyrim. Ka qenë shumë ‘monokolor’ kjo zona këtu. Ne sot kemi treguar se ia sjellim ca para Bajram Currit për ta bërë qendrën, pavarësisht si voton, ia sjellim ca para Kukësit për ta bërë qendrën edhe qyteteve tjera dhe nuk kemi parë ndasi”, -theksoi Kodheli.
Në vijim të fjalës së saj, Kodheli kërkoi mbështetjen e banorëve, dhe që të mos e shesin votën për pak para, ashtu siç ka ndodhur më parë.
“Unë nuk besoj se ka një burrë apo grua të këtij vendi që e mat me 50 mijë lekë të vjetra të ardhmen e fëmijës së vet. Ju ftoj me dorë në zemër, me besa-besë ta votoni forcën politike që unë dhe Valbona përfaqësojmë”- tha Kodheli.
Kodheli kërkoi nga të pranishmit se, duhet t’ia japim dhe një shans PS-së që të qeverisë e vetme, edhe ta vërë në provë edhe ta shohë a është e zonja PS-ja, ta çojë Shqipërinë drejt Europës.