Kodheli në Kukës: PS ka ditur të menaxhojë goditjet politike
26-vjetori i krijimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është festuar edhe në Qarkun e Kukësit. Shumë qyetarë dhe anëtarë të kësaj force politike kanë festuar këtë ditë së bashku me kryesuesen e listës se Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 qershorit në këtë qark Mimi Kodheli dhe kandidatin për deputet Safet Gjici.
Gjatë fjalës së saj, Kodheli përshëndeti edhe socialistët e Bajram Currit dhe Hasit, që njësoj si ta janë duke festuar 26-vjetorin e PS-së.
Ministrja Kodheli në vijim të fjalës së saj u shpreh se, “ky muaj përveç kësaj feste ka një rëndësi të veçante, sepse është një muaj i ngarkuar me shumë punë, me emocione, me tensione politike, por mbi të gjitha me goditje poltike që PS-ja ka ditur t’i menaxhojë, pavarësisht të gjithë pengesave.”
Po ashtu ministrja Kodheli renditi disa arsye se përse PS-ja ka ditur ta drejtojë këtë vend. “Ne jemi ndryshe nga të tjerët, sepse ata që nuk bien dakort me poltikat tona edhe çohen të demostrojnë, ne nuk i vrasim në mes të bulevardit, ashtu si ata kanë bërë me ne. Ne kemi ditur ta drejtojmë këtë vend dhe kemi sjellë frymën e tolerancës dhe të bashkëpunimit.” –tha Kodheli.
Kodheli u shpreh gjithashtu se gëzimi për këtë datëlindje është i madh, sepse edhe të rinjtë janë në kërkim të së ardhmes dhe se PS-ja është në drejtim të së ardhmes më së mirë.