Kodi i ri Penal, ministri Lamallari me shoqatat e mediave: Garantojmë punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes
Një tryezë konsultative u zhvillua në Ministrinë e Drejtësisë për draftin e Kodit të ri Penal. Krahas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ishin të pranishëm kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, dekani i Fakultetit të Histori Filologjisë, Mark Marku, kreu i grupit të punës për Kodin Penal, Arben Rakipi, përfaqësues të shoqatave të mediave, organizatave të shoqërisë civile, gazetarë dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës. Në fjalën e mbajtur në këtë tryezë, ministri Lamallari tha se drafti aktual më shumë është komentuar sesa është njohur. Ai vuri theksin te integriteti i procesit dhe nevoja për të garantuar punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.
”Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për neovjën për të garantuar punën e gazetarëve, në mënyrë që ata ta ushtrojnë plotësisht lirinë e tyre të shprehjes duke mbajtur përgjegjës zyrtarët. Sigurisht kjo e shkruar mirë në raport me të dhënat, me faktet dhe duke shmangur mundësinë për abuzim, për elementë të qëllimshëm keqdashës dhe të pabazuar në deklaratat e tyre. Unë besoj fort se më shumë sesa është njohur, ky draft Kodi Penal është komentuar.
Komentet e ndryshme që janë bërë mbi të janë të natyrave të ndryshme, të qëllimeve të ndryshme që mbështesin këto komente. Rruga e duhur është një proces sa më gjithëpërfshirës dhe transparent, ku gjithësecili është duke ushtruar detyrën e tij dhe përgjegjësinë qytetarë për të forcuar më tej demokracinë e vendit të tij. Ne mund të japim përvojat tona dhe ekspertizën tonë”, tha ministri Lamallari.
Ndër të tjera ministri theksoi se synimi final është që të kemi një produkt që të reflektojë nevojat e shoqërisë, t’i rezistojë kohës dhe të ketë referenca standardet më të mira ndërkombëtare. Tryezat konsultative për draftin e Kodit të ri Penal do të vijojnë edhe me aktorë e grupe të tjera interesi sipas një kalendari të dakordësuar më herët.
”Në fund të kemi një produkt që është shumatorja e të gjithë mendimeve të shprehura mbi bazë të përvojave dhe dijes që kemi akumuluar, duke bërë edhe referencat me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Për Ministrinë e Drejtësisë integriteti i procesit është i panegociueshëm. Ne duhet të kemi një proces sa më të hapur, të shëndetshëm, konstruktiv dhe që nxit debatin. Ajo që del më pas nga ky produkt është niveli i emancipimit të shoqërisë shqiptare dhe vizionit të përbashkët për të pasur një demokraci më të fortë, një shtet dinjitoz pjesë e familjes evropiane”.
KOHA JONË SONDAZH

