Koha për reformën në drejtësi është tani

Nga Sadedin Çeliku/Nëse do të merrnim përsipër të krahasojmë drejtësinë e kohës së diktaturës me atë të sotmen, nëse do të biem dakord të bëjmë bilancin e ndershëm të hetimeve, por dhe ndëshkimeve, ka gjasa se drejtësia e dikurshme edhe pse me një kod civil  e penal komunist të jetë më i saktë dhe thuajse e pakorruptuar. Do të ishte utopike të mendohesh që një kriminel e vrasës të dilte nga burgu gjoja për mungesë provash apo një vjedhës të shpëtonte edhe për 200 lekë të reja. Sot krejt tjetër, hynë e dalin nga burgu kundrejt parave paçka se çfarë vepër penale kanë kryer. Nga praktika e derisotme rezulton se edhe amnistitë janë bërë me prapavijë, zgjedhjet ku kemi qenë dëshmitarë që në këmbim të vjedhjes votave janë liruar nga burgjet edhe kriminelë.

Në një vend si i yni, por dhe në një vend të madh, nëse nuk funksionon sistemi i drejtësisë nuk mund të ketë shtet, qeveri dhe as reforma që promovojnë zhvillim. Nuk mund të realizohet shteti i së drejtës dhe as demokracia dhe asgjë tjetër me një sistem drejtësie jo funksional dhe të degjeneruar. Të gjitha faturat që populli ka peshqesh sot i ka nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, e ka nga piramida politike.

Në emër të drejtësisë dhe reformave gjithashtu, u mbushën gjykatat me kursantë gjashtëmujor, të cilët tashmë janë shndërruar në  profesorë-doktorë, milionerë, me shtëpi moderne,vila, me fëmijë të shkolluar në shkolla dhe universitete jopublike brenda dhe jashtë vendit dhe me asete marramendëse.

Të gjithë kanë një fytyrë dhe të gjithë janë shëmbëlltyrë e njëri-tjetrit dhe e padrejtësisë. Edhe më i ndershmi në këtë sistem ka mjaft përgjegjësi. Mungesa e ndëshkimit të krimit dhe kriminelëve, i narko-trafikantëve dhe i njerëzve që njehsohen me to, të korruptuarve dhe hajdutëve të pronës publike etj., kanë sjellë pasoja të mëdha dhe gati të pariparueshme.

Mbivendosja e pronave, vendimet e drejtësisë me padrejtësi, mungesa e hetimeve për çështje të drejta e themelore si Gërdeci, 21 Janari, vdekjet e shumta të minierës së Bulqizës, vjedhja e pasurive dhe fondeve publike, apo ato që lidhen me dëme ekonomike siç janë përmbytjet permanente të Lezhës dhe Shkodrës ndërkohë që harxhoheshin fonde çdo vit, konensionimi i sektorëve strategjik, na bëjnë pesimist se Shqipëria nuk mund të bëhet me këtë lloj drejtësie.

Kësisoj lypset urgjent të reformohet sistemi dhe të kthehet nga standardet ballkanike në atë europiane. Në tre vende ballkanike si në  Rumani, Bosnje-Herzegovinë dhe Kroaci kryeministrat janë në burg. Kjo do të thotë që tek ne,të gjithë, duke filluar nga koka e deri tek këmbët duhet të largohen nga drejtësia ose duhen gjetur forma ndëshkimi për të prurë drejtësinë  e munguar në vend. Janë qindra-mijëra denoncime nga titullarë të niveleve të ndryshme por dhe nga kontrolli i lartë i shtetit që nuk hetohen dhe as dënohen sepse s’do prokuroria. Ky organ është ortak me gjykatat dhe gjyqtarët dhe këto të fundit ortak me prokurorinë.

Tentativat e institucionit të presidencës dhe i opozitës për bllokimin e reformës dhe reformimit të drejtësisë është mjaft e kritikueshme po të kemi parasysh se të gjitha të këqijat këtij vendi i kanë  ardhur pikërisht nga korrupsioni i drejtësisë e cila ka çuar Shqipërinë në rrugë pa krye. Është e pakuptueshme dhe e padrejtë që organi i akuzës të merret me vjedhës celulari dhe vepra ordinere dhe jo me ata që kanë grabitur pasurinë e popullit. Indiferenca e institucionit të prokurorisë duket se bëhet e qëllimshme ose janë shfaqe paaftësie.

Nga ana tjetër kemi parasysh thirrjet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar dhe kritikat permanente të aleatit tonë strategjik SHBA për reformimin e këtij sistemi dhe ndëshkimin dhe dënimin e atyre që prishën imazhin e vendit.

Ideja e OSBE-së se përmes kësaj reforme kërcënohet sistemi dhe cenohet integriteti i drejtësisë nuk është argument. Po flasim për një drejtësi që nuk ka integritet dhe për një drejtësi ku me veprimet dhe mosveprimet e saj ka sjellë pasoja jo vetëm për ndëshkimin e krimit por në të gjithë veprimtarinë ekonomike,politike e sociale të vendit. Në fund të fundit kësaj drejtësie i ka   humbur të gjitha kredencialet. Në se do të bëhesh një referendum për këtë qëllim të jeni të sigurt se njerëzit që punojnë në atë sistem do merrnin dënimin pse jo dhe mallkimin e popullit. Nëse sot emërimet dhe shkarkimet janë në dorën e një njeriu, ç’të keqe ka që të marrin përgjegjësi 140 njerëz pra parlamenti.

Shqipëria nuk duhet të mbahet peng sepse nuk e ka askush këtë të drejtë madje as presidenca. Përvoja ka treguar se nuk mund të vendoset drejtësi me padrejtësi dhe as njëri thumbit dhe tjetri patkoit. Kësisoj këshilli i lartë i drejtësisë deri më sot nuk i ka ushtruar kompetencat që ju jep ligji dhe as e ka ndëshkuar korrupsionin brenda sistemit që ai drejton,madje presidenca,këshilli i lartë i drejtësisë është po aq përgjegjës për gjendjen që kemi sot.

Vonesa e reformës së drejtësisë, ndihma dhe ndërhyrja e diplomatëve dhe institucioneve të drejtësisë për krijimin e byrosë hetimit kombëtar dhe prokurorisë speciale është me vend dhe ndofta e vonuar. Shteti gati po ç’bëhet dhe kësisoj ndërhyrja e tyre lidhet ngushtë e pafundësisht me identitetin tonë kombëtar që me aq mund na e lanë të parët tanë. Është koha të reflektohet sepse çdo humbje kohe ka kosto për të tashmen e të ardhmen. Koha për reformën në drejtësi është tani.

SHKARKO APP