Koha për të blerë euro?! BSH paralajmëron se leku do zhvlerësohet, forcimi ishte i përkohshëm
Një euro sot këmbehet në tregun vendas me rreth 132.5 lekë, duke qenë afër nivelit më të ulët të 9 viteve të fundit. Euro është e nënçmuar në tregun e brendshëm, edhe pse në bursat ndërkombëtare ajo ka arritur në 1.187USD në nivelin më të lartë që nga janari 2015.
Në dhjetor të vitit 2016, kur euro zbriti në nivele të ulëta historike të 10 viteve të fundit në bursat ndërkombëtare, në 1.05 USD, edhe në tregun shqiptar ajo u zhvlerësua në 134.5 lekë. Gjatë këtij viti edhe pse euro u forcua ndjeshëm në bursat ndërkombëtare për të arritur gati 1.19 USD, në Shqipëri ai vijoi të nënçmohej, duke zbritur në 27 qershor poshtë 132 lekëve, niveli më i ulët që nga gushti 2009. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, krahas faktorëve të tjerë, si përmirësimi i eksporteve, investimeve të huaja dhe të ardhurave nga turistët, kjo lidhet dhe me sasinë e lartë të euros që qarkullon nga ekonomia e kriminalizuar dhe përdorimi i eurove gjatë fushatës.
Por, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se ky vlerësim i lekut është i përkohshëm dhe si pritet të zhvlerësohet. “Efekti negativ i kursit të këmbimit pritet të shuhet gradualisht. Banka e Shqipërisë vlerëson se intensiteti aktual i mbiçmimit të kursit të këmbimit – i derivuar në masën më të madhe nga përmirësimi i shpejtë i bilancit të shkëmbimeve tregtare e të shërbimeve dhe nga flukset e larta të investimeve të huaja direkte – do të vijë drejt zbehjes. Në këto rrethana, efekti frenues që ky mbiçmim përcjell në inflacion pritet të vijë progresivisht drejt reduktimit në horizontin afatmesëm”, pohoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë në daljen e tij të fundit para mediave.
A është kjo koha më e mirë për të blerë euro? Sipas Bankës së Shqipërisë, monedha e përbashkët nuk ka të ngjarë të jetë më kaq e lirë në tregun vendas. Për më tepër, që edhe euro pritet të jetë e fortë në bursat ndërkombëtare ndaj dollarit, pas sinjaleve pozitive dhe ekonomisë amerikane dhe vonesës së rimëkëmbjes së asaj amerikane.
Megjithatë historia e 15 viteve të fundit ka treguar se sjellja e euros në tregun vendas ka qenë e paparashikueshme dhe e pavarur nga kursi euro/dollar (përveç ruajtjes së raportit të kryqëzuar mes euros dhe dollarit në Shqipëri).
Për shembull, kërcimi më i madh i euros është konstatuar në periudhën 2009-2011, kur nga 123 lekë në 2009, monedha përbashkët arriti në 140 lekë në 2011-n, ndonëse në bursat ndërkombëtare euro u nënçmua vazhdimisht në atë periudhë (shihgrafikun). Më shumë se faktorët e jashtëm, ndikimin kryesor, sipas edhe vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë të asaj kohe, e dha transferimi i fitimeve nga kompanitë celulare, Vodafone dhe AMC (sot Telecom Albania). Në vitin 2008, këto dy kompani arritën fitime rekord prej rreth 190 milionë eurosh së bashku, një pjesë e të cilave u transferuan te mëmat në vitin e mëparshëm. Për një treg që në atë kohë vlerësohej se kishte këmbime valutore 2-5 milionë euro në ditë, këto ishin shuma të konsiderueshme, që e “shkundën” tregun. Dy kompanitë kanë vijuar me fitime të larta deri në 2012, më pas ato kanë rënë ndjeshëm.
Pas forcimit të 2009-2010, tregu i këmbimeve valutore për disa vite arriti një lloj ekuilibri ku euro tregtohej mesatarisht me 140 lekë. Ai qëndroi rreth niveleve të tilla të larta edhe në 2015-n, kur në bursa euro zbriti në 1.11 USD, nga 1.33 vitin e mëparshëm. Atë vit, kursi i kryqëzuar (ruajtja e raportit Euro/USD në bursa) u mbajt përmes mbiçmimit të dollarit, me monedhën e gjelbër që arriti në 133 lekë.
Monedha vendase filloi të forcohej me shpejtësi në gjysmën e dytë të vitit 2016, duke e mbyllur vitin në kuotën e 135 lekëve, niveli më i ulët ky që nga 2009-a, teksa e kishte nisur në kuotën e 139.3 lekëve.
Ky nënçmim ka vijuar dhe në gjysmën e parë të 2017-s, duke zbritur aktualisht poshtë nivelit të 133 lekëve, si rrjedhojë e ofertës së lartë për euro në tregun vendas. A do të vijojë të ketë sërish një sasi të lartë të eurove që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare edhe në një të ardhme afat-mesme, apo leku do të dorëzohet? Kjo mbetet për t’u parë./monitor/