Koha për të menduar strategjikisht

 Dr. Islam Lauka*/ Reagimi i kastës politike shqiptare ndaj zgjedhjes së Donald Trumpit si President i SHBA-ve dhe disa vlerësime për këtë çështje dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi

Kaloi një javë, që kur Donald Trampi u shpall President i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjaftoi ky moment, që kasta politike shqiptare të trampofilizohej. Gjatë fushatës zgjedhore, përkundrazi, ajo u shfaq si trampofobe. Jo për vlerat që përfaqësonte Hillari Klinton, por për shkak të bindjes, e cila në fund rezultoi të jetë e gabuar, se ish Zonja e Parë, do të hynte në Shtëpinë e Bardhë, si Presidente, mbështjetja e kastës politike shqiptare iu dha pikërisht asaj.

Kjo mbështetje vazhdoi si një proces në ngritje, gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Lavjerrësi politik shqiptar kapi ekstreme të tilla trampofobie e klintonofilie, sa që është e vështirë që ato të krahasohen me ndonjë vend tjetër. Në kulmin e trajektores trampofobe, u gjend Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në mungesë të korrektësisë elementare politike iu drejtua të Plotfuqishmit për të na shpëtuar nga satanai Tramp. Ishte po ai që, sapo u dha njoftimi i fitores së Trampit, u gjend në ekstremin tjetër të trajektores, si trampofil, me urime, të cilat, në thelb, mund të përmblidhen: “Ruaje Zot Trampin, engjëllin tonë!”.

Në qoftë se trampofobizmi ishte më shumë si një proces, trampofilia erdhi si një akt radikal, i menjëhershëm, jo si pasojë e ndryshimit të qendrimeve te Trampit, por si pasojë e ndryshimit të qendrimeve të kastës sonë politike. Ajo ndryshoi për shkak të ndryshimit të statusit të Donald Trampit, nga kandidat, në President të SHBA. Qëllimi i këtij ndryshimi të kastës politike është një dhe vetëm një: nëpërmjet lajkave ndaj Presidentit të ri, të sigurohet licensa e Uashingtonit për mandatin sundues të radhës në Shqipëri.

Trampofilizimit të menjëhershëm nuk i shpëtoi as një pjesë e analistëve tanë, të cilët, në shkrimet e tyre konformiste u shprehën se fitorja e Trampit, nuk e ndryshon aspak mbështjetjen amerikane ndaj shqiptarëve dhe as aleancën e fortë shqiptaro-amerikane. Përkundrazi, sipas tyre, zgjedhja e tij e zhvillon dhe e forcon më tej këtë aleancë. Analiza politike të kësaj kategorie, të sipërfaqshme, të thjeshtëzuara, të shkëputura plotësisht nga realiteti, të pabazuara në teori shkencore, si rregull, arrijnë, afërsisht, në përfundime të tilla: “Shqipëria e ka të paguar faturën” , “Shqipëria e ka të firmosur një çek të bardhë”, apo “Ne qeverisim, bota na ndihmon”. Të zhytur në konformizmin që prodhon optimizëm bosh, se, gjoja, Shqipërinë na e bëkërkan të huajt, kjo specie analistësh, as nuk e vë ujin në zjarr, për të kërkuar ndonjë model tjetër zhvillimi, të ndryshëm nga ata që kemi provuar deri tani.

Një grup tjetër analistësh, nga pozita trampofobe, të përziera me doza të caktuara neoliberale dhe postmoderne, e konsideron fitoren e Trampit si pjesë të një apokalipsi botëror, antiliberal dhe në qendër të tij sheh Shqipërinë e Kosovën si ndër viktimat më të mëdha të tij. Të zhytur në libertarizmin e tyre, të goditur nga zhvillimet e fundit, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë, gjë që prodhon pesimizëm të thellë tek ta, libertaristët nuk dalin dot jashtë rolit të vajtorëve mbi xhenaze, natyrisht, pa arritur të japin qoftë edhe një ide, sado të thjeshtë, për t’u përballur me situatën e ndërlikuar, para së cilës, gjendemi sot. Analiza e kësaj situate, duhet të jetë kontekstuale, shumënivelëshe, shumëshkakësore dhe ndërdisiplinore, sepse ajo është pasojë e veprimit të një konfluence faktorësh.

Mbi bazën e kësaj analize, qysh në fillim të këtij viti, kam shprehur rezervat dhe dyshimet e mia ndaj platforms zgjedhore të Donald Trampit në fushën e politikës së jashtme të SHBA. Në mënyrë të veçantë, kam kritikuar qëndrimet e tij, pro Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, si dhe qasjen e tij rreth marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës, që, në perceptimin tim, do të thotë, njohje e sferës së ndikimit rus në pjesë të caktuara të Europës. Ky ndryshim i qëndrimit amerikan ndaj Rusisë, do të kërcënonte drejtpërdrejt interesat e Shqipërise, Kosovës dhe shqiptarëve, në përgjithësi. Analistët trampofilë shqiptarë i vlerësojnë si pozitive qëndrimet e Trampit ndaj Rusisë, sepse, gjoja, ato përbëjnë një përpjekje për të ulur tensionet, pa e vrarë fare mendjen se përse u acaruan ato. Sikur nuk ishte Putini që, për herë të parë në historinë e Europës, pas viti 1945, i ndryshoi me dhunë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, duke aneksuar Krimenë.

Bindja ime bmi rrezikshmërinë e qëndrimeve të Trampit, lidhur me Rusinë, gjatë fushatës zgjedhore, nuk ka ndryshuar. Zgjedhja e si President, vetëm sa e shton rrezikshmërinë e tyre, sepse ato mund të kthehen në politikë shtetërore. Natyrisht, deklaratat zgjedhore janë një gjë dhe politika shtetërore, diçka tjetër. Aq më tepër, në sistemin amerikan, ku ekzistojnë mekanizma efektivë të kufizimit të pushtetit të Presidentit, si Kushtetuta, Kongresi, Gjykata Supreme, pa folur për ndikimin në vendimmarrjen e politikës së jashtme të procesit organizativ dhe agjensive të specializuara qeveritare, por, sikur edhe vetëm një pjesë shumë e vogël e atyre deklaratave të kthehej në politikë shtetërore, do të mjaftonte për të arritur në përfundimin se, vërtet, jemi para një situate të re, krejtësisht të paqartë, me shumë të panjohura.

Shqiptarët nuk mund të ndalojnë SHBA të tërhiqen, qoftë edhe pjesërisht, nga politika botërore, për t’u perqëndruar më shumë në problemet e veta të brendshme. Platforma elektorale e politikës së jashtme të Trampit, shkurtimisht, mund të përmblidhet: Jo më siguri falas, jo më para në llogari të huaja!

Do të ishte krejtësisht naive të besohet se Trampi do të braktisë shqiptarët, për shkak të deklaratave jo korrekte të Kryeministrit të tyre. Mundet që ai, siç ka qenë i zënë me fushatën, por edhe për shkak të margjinalitetit të artikuluesit të tyre, as nuk i ka dëgjuar ato. E vërteta është se, jo shqiptarët, por as Ballkani, nuk janë përmendur ndonjëherë gjatë gjithë fushtatës zgjedhore të Trampit. Dhe në rast se do të ketë njëfarë tërheqjeje të Amerikës nga Europa, nuk do të jetë për inat të këtij apo atij vendi e populli, aq më pak, të këtij apo atij politikani delirant, por sepse kështu ia do interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë moment historik, ashtu siç e percepton Presidenti Tramp këtë interes.

Shqiptarët nuk mund të ndalojnë as proceset çintegruese në Europë që kanë filluar me Breksit-in dhe rrezikojnë të thellohen, vitin e ardhshëm, në rast se në zgjedhjet parlamentare ose presidenciale të një numri vendesh europiane, fitojnë forcat e ekstremit të djathtë dhe euroskeptikët. Ajo që mund të bëjnë shqiptarët, është që të ndërgjegjësohen se ndodhen para një situate komplekse. Me një Amerikë, potencialisht, në tërheqje nga politika botërore, në përgjithësi dhe nga Europa, në veçanti, me një BE të kapluar nga krizat që po vënë në pikpyetje identitetin dhe qenien e saj, ekziston rreziku i krijimit të një vakuumi sigurie në të gjithë kontinentin tonë, i cili, nuk mund të mos ketë pasoja të rënda për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Pretendenti nr 1 për të mbushur këtë vakuum është Rusia. Nuk janë pa bazë titujt e shtypit të ditëve të fundit, “Një fantazmë po sillet në Europën Qendrore dhe Juglindore…”. Bëhet fjalë për fantazmën ruse. Çeshtja është se nuk kemi të bëjmë vetëm me fantazmën, por me fuqinë reale të Rusisë, e cila e konsideron Ballkanin si zonë të interesave të veta gjeopolitike dhe gjeostrategjike.Në këtë kontekst,ajo organizon puçe shtetërore, si në Mal të Zi, nxit destabilitetin në veriun e Kosovës, mbështet hapur regjime autoritare si ai i Gruevskit në Maqedoni, farkëton “vëllazërinë sllave” në Serbi dhe dërgon flotiljen e saj ushtarakë në Mesdhe, në përbërje të se cilës janë aeroplanmbajtësja “Admirali Kuznecov”, tre nëndetëse dhe një kryqëzor bërthamor. Sistemi i deritanishëm i aleancave të sigurisë dhe organizmave të tjerë rajonalë e ka mbajtur Rusinë jashtë Ballkanit dhe i ka mbrojtur shqiptarët nga kërcënimi i saj. Është në interesin tonë që ai sistem të ruhet, por në rast se plasaritjet që ka marrë, mund të çojnë në zhvendosje tektonike dhe ndryshim të paradigmës me të cilën jemi mësuar tash një çerek shekulli, mos duhet të dorëzohemi e të zëmë kujen?

Vetëdijësimi për situatën e ndërlikuar në të cilën ndodhemi, duhet të na shtyjë drejt kërkimit të modeleve të tjera të zhvillimit, në përshtatje me rrethanat e reja, në një botë të trazuar, si kjo e sotmja. Shqiptarët njihen si “komb i vonuar”, në kuptimin që nuk e kanë kapur në kohë dinamikën e historisë dhe nuk u kanë paraprirë zhvillimeve që kanë prekur drejtpërdrejt interesat e tyre. Thënë më shkoqur, ne na ka munguar mendimi strategjik.

Të mendosh strategjikisht, sot, do të thotë që të mendosh në perspektivë afatgjatë, ku do të jetë Shqipëria në vitin 2050, apo 2100? Po Kosova? Po kombi shqiptar? Të mendosh strategjikisht, do të thotë se çdo situatë, sado e vështirë të jetë, e ka një zgjidhje. Nëse mbyllet një derë, hapet një tjetër. Duhet të vetëdijësohemi për rolin dhe misionin tonë në hisen e botës që na takon dhe të ecim përpara. Shqiptarët në Ballkan sot janë një faktor me peshë. Ata nuk janë si në vitin 1878, 1912, apo 1990. Çfarëdo zhvillimi që të ndodhë në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë atë të kthimit në rivalitetin gjeopolitik midis Fuqive të Mëdha, për të cilin, po flitet,shpesh e më shpesh, shqiptarët do të jenë të kërkuar si një ndër elementët thelbësorë të ekuilibrit të fuqisë rajonale, si dhe për mbajtjen jashtë Ballkanit, të Rusisë.

Ballkani është një nyje nevralgjike që lidh Lindjen e Afërt, Afrikën Veriore me Europën. Tërheqja potenciale e SHBA nga ky rajon, në rast se platforma elektorale e Donald Trampit kthehet në program qeveritar, jam i bindur se do të jetë e përkohshmë. Nuk janë ideologjitë, as interesat e çastit, por interesat e ndërsjellë afatgjatë, ato që i bashkojnë shqiptarët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç i bashkojnë me fuqitë e tjera, si Gjermaninë, Italinë, Turqinë etj. Të mendosh strategjikisht do të thotë të mendosh në mënyrë kritike, jo të shkosh gjithmonë pas berihasë. Duket se shqiptarët janë marrë shumë me ideologji e projekte ndërkombëtare, fillimisht me internacionalizmin proletar – komunizmin, tani me neoliberalizmin dhe globalizmin. Ka ardhur koha që edhe ne t’i kthehemi vetes sonë, jo për modë, se kështu po bëjnë edhe të tjerët, por sepse ky është interesi ynë strategjik, jetik për shqiptarët. Ideologjia jonë duhet të jetë ajo e interesave shtetërore dhe kombëtare. Në qoftë se nisemi nga kjo ideologji, gjykoj se skenari më i mirë në situatat e turbullta që po kalojmë, do të ishte ai që bazohet tek vizioni i rilindasve tanë, jo atyre të sajuar nga Edi Rama, por atyre të vërtetë, si Abdyl Frashëri dhe i baballarëve të kombit, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe Isë Boletini, për bashkim kombëtar. Jo se ky skenar është i lehtë dhe as se do t’i zgjidhte menjëherë të gjitha problemet. Ai është ndër më të vështirët dhe realizimi i tij do të hasë në kundërshtimin e shumë faktorëve, rajonalë e jashtërajonalë. Por, në masë të madhe, ai varet nga ne, nga puna jonë, nga ajo se sa jemi ne të përgjegjshëm dhe të vendosur. Është e drejta dhe detyra jonë që ta aktualizojmë atë, ta afatizojmë, ta përshtatim me kohën që jetojmë, t’i japim dinamikë dhe perspektivë historike, pra ta bëjmë të realizueshëm.

Realizimi i tij do të zgjidhte një problem të madh – nga të gjymtuar, kombin tonë do ta kthente në një organizëm normal, i cili do të përfitonte aftësinë që ka çdo organizëm i shëndoshë për t’u ballafaqur me të gjitha sfidat që i dalin përpara. Sot për sot, fatkeqësisht, kombi ynë ballafaqohet me to si sakat.

Ky është skenari që propozoj unë- përmbylljen e projektit të Rilindjes Kombëtare, në përshtatje me kushtet e reja që ofron situata e sotme. Të tjerët mund të ofrojnë skenarë të ndryshëm nga ky, por me të njejtin qëllim – t’i paraprijmë situatës, “në rast se”. Uroj që ajo të mos vijë, por “në rast se” vjen e kjo nuk është thjesht hipotetike dhe ne gjendemi të papërgatitur, atëherë ka rrezik që etiketimi “komb i vonuar’, të zëvendësohet me epitafin “komb i dështuar”.

______________________

* Ministër-Këshilltar në diplomaci, doktor i shkencave politike; sekretar i Parë dhe i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Moskë (1991-‘96), drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë Rajonale dhe drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë (2005-‘09), ambasador i Shqipërisë në Kosovë (2009-‘14), dekan i Trupit Diplomatik në Prishtinë (2013-‘14), president i Qendres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (2003-‘16), drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike (2005-‘16), pedagog i diplomacisë e marrëdhënieve ndërkombëtare në UBT e “FAMA” në Prishtinë.

SHKARKO APP