Kokaina 180 milionë euro. Hetimet një ping-pong
Ndonëse është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vendin tonë, hetimet për kokainën me vlerë 180 milionë euro kanë mbetur në vend numëro.
Kanë kaluar dy muaj nga kapja e 613 kg kokainë në portin e Durrësit, për drogën që erdhi me kontejnerin me banane nga Kolumbia, në qeli vijojnë të mbetën vetëm shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe menaxheri Donaldo Lushaj.
Nga ana tjetër, në kërkim ndërkombëtar është shpallur pronari i kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj.
Veprimet hetimore kanë parë vetëm një ”ping pong” institucional. Fillimisht nga policia e Durrësit hetimi i kaloi ”Task-Forcës”, për operacionin forca e ligjit, një strukturë kjo e ngritur në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo nuk mjaftoi, pasi dosja nga prokuroria e Krimeve të Rënda kaloi në Prokurorinë e Durrësit. Sipas burimeve konfidenciale, deri tani janë zbuluar lidhje të disa eksponentëve të narkotrafikut, por po punohet për dokumentimin e përfshirjes së tyre.
Në hetimin e sasisë rekord të kokainës që u kap në Durrës janë përfshirë edhe agjenci të huaja si dhe DEA amerikane pasi ka dyshime se në këtë sipërmarrje janë përfshirë grupe kriminale që operojnë brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.