Kokëdhima flet për 26-vjetorin e PS: U katandisëm më keq se PD e Berishës
Kreu i Lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka uruar sot socialistët për 26-vjetorin e PS-së. Bashkë me urimin ai vë në dukje problemet kryesore që ka sot PS-ja me demokracinë e Berendëshme.
Kokëdhima komenton dhe rikthimin e Nanos duke e cilësuar: “Lidershipi i PS-së nuk mund t’ju a marrë shqisat për të parë e dalluar qartë se çfarë ndodh në të vërtetë me ju dhe me punët e Shqipërisë edhe duke përdorur ish-liderin e partisë ose “Robert Çamçakizin” siç e quante kryetari i sotëm”.
Postimi i Koço Kokëdhimës: Në vend të urimit për 26-vjetorin e PS-së
Të dashur vëllezër dhe motra militantë të bazës të Partisë Socialiste të Shqipërisë!
Sot u përulem me respekt atyre mijëra e mijëra anëtarëve të thjeshtë, ish-anëtarëve dhe ish-mbështetësve të Partisë Socialiste, që janë atdhetarë, qytetarë të devotshëm dhe familjarë shembullorë, që janë krenarë dhe të lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore, politike, filozofike, ideologjike dhe njerëzore të së majtës historike shqiptare.Sot është dita e këtyre njerëzve që mbështetën pa kushte çdo betejë politike e elektorale të së majtës, është dita e atyre që unë i kam quajtur “socialistë të racës”.
Sot, anëtarët dhe simpatizantët e PS-së, ndjehen të harruar dhe të nëpërkëmbur. PS-së që ëndërruan 26 vite më parë nuk i ka mbetur më as nam as nishan! Ajo është shndërruar në partinë e oligarkëve të korrupsionit. Në këtë parti nuk ka më zgjedhje e përfaqësim. Kjo është partia e kryetarit! Ju nuk mund të zgjidheni dhe nuk mund të zgjidhni asnjë përfaqësues, as në parti dhe as në parlament. Kandidatët për deputetë, kryetar bashkie, këshilltar dhe për gjithçka tjetër në Shqipëri i emëron kryetari, janë shërbëtorët dhe servilët e pushtetit të kryetarit. Në parti tani nuk ka më vend për ata që mendojnë ndryshe nga kryetari. Madje po e sfiduat mendimin e kryetarit ai do u hedhë në shpinë tërë shtetin, policët, hetuesit, gjykatësit, shefat, drejtorët, do u pushojnë nga puna, do u prishin shtëpinë, do u refuzojnë legalizimin dhe hipotekën, do u vënë gjoba, do u kthejnë edhe Zotin kundër, do u nxijnë jetën! Juve nuk u llogarit dhe nuk u respekton njeri, ju shfrytëzojnë për vota e për pushtet dhe ju përbuzin. Partia është autokratike, nuk ka demokraci të brendshme dhe as institucione, rregulla e kulturë funksionale.
Kështu e katandisi lidershipi këtë parti. Ju prisnit që ai ta ndante Shqipërinë njëherë e përgjithmonë nga trashëgimia berishiste, dhe ai si për inat të socialistëve të thjeshtë që u persekutuan, u dënuan, u përgjakën e u vranë, jo vetëm që ja kaloi Saliut në shumë nga bëmat e tij më të rënda në pushtet, por së fundi e ndau në tavolinë me PD-në qeverisjen e sotme dhe të nesërme të së majtës shqiptare.
Lidershipi i PS-së nuk mund t’ju a marrë shqisat për të parë e dalluar qartë se çfarë ndodh në të vërtetë me ju dhe me punët e Shqipërisë edhe duke përdorur ish-liderin e partisë ose “Robert Çamçakizin” siç e quante kryetari i sotëm. Për të ruajtur vlerat e të majtës dhe për të ndihmuar popullin tonë të çlirohet nga kjo elitë politike e diskredituar dhe e dështuar, ne krijuam partinë ZGJIDHJA. Zgjidhja ju fton t’i bojkotoni zgjedhjet e 25 qershorit! Këto zgjedhje vetëm do i zgjatin jetën sundimit të kryetarëve dhe kastës sunduese të tranzicionit. Kam besim se ju do të dini të vini në vend nderin tuaj dhe para përgjegjësisë shkatërruesit e PS-së dhe thërmonjësit e ëndrrës për një Shqipëri dinjitoze dhe të jetueshme.
I juaji
Koço Kokëdhima