Kolumbiani: Do merrja 1 milion euro, ja kush janë porositësit e kokainës

 

Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon në gjyq shtetasin kolumbian Cesar Augusto Pelaez Triana, i cili ka qëndruar 20 ditë në Shqipëri, në pritje të kokainës së nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë. 36-vjeçari thotë se do të merrte një pjesë të parave të kokainës, por ajo u sekuestrua nga policia e Malit të Zi. Detajet e qëndrimit në Tiranë dhe emrat e bashkëpunëtorëve kolumbianë.

Nga Leonard Bakillari

 

Një vit pas sekuestrimit të një prej sasive më të mëdha të kokainës në Ballkan, Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon në gjykatë dosjen ndaj një shtetasi kolumbian, i cili do të merrte një pjesë të parave të lëndës narkotike që kishte si destinacion Shqipërinë. Informacioni i përcjellë për mediat përmban vetëm një pjesë të dëshmisë së shtetasit kolumbian Cesar Augusto Pelaez Triana dhe një letër porosi nga autoritetet malazeze, që tregon se kokaina e sekuestruar ishte kokainë. Sipas prokurorisë, tashmë është konfirmuar se kokaina kishte si destinacion Shqipërinë, edhe pse një vit më parë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nxitoi të deklaronte se lënda narkotike nuk kishte si destinacion vendin tonë. Megjithë detajet e pakta për këtë ngjarje, prokuroria thotë se hetimet nuk kanë përfunduar.

Tashmë ka një hetim ndërkombëtar për të zbuluar gjithë rrjetin, duke nisur nga vendi i origjinës së sasisë prej 256 kilogramësh kokainë e deri te porositësit e saj në Shqipëri. Më 9 qershor të vitit të shkuar, tri ditë pasi autoritetet malazeze sekuestruan sasinë e kokainës në një kontenier bananesh, policia arrestoi në aeroportin e Rinasit shtetasin kolumbian me banim në Spanjë, Cesar Augusto, si i dyshuar për trafikim të narkotikëve.

Sipas prokurorisë, më datë 11.06.2014, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dërguar materialet procedurale në ngarkim të shtetasit Cezar Augusto Pelaez Triana, i cili është ndaluar teksa tentonte të dilte nga territori i Shqipërisë. Kolumbiano-spanjolli ka ardhur në Shqipëri me qëllimin për të marrë një sasi parash, të cilat do merreshin në funksion të një trafikimi ndërkombëtar të lëndës narkotike e nisur nga shteti i Ekuadorit për në drejtim të shtetit shqiptar. “Kjo sasi lënde narkotike është kapur në territorin e shtetit malazez dhe konkretisht në një kontenier, i cili kishte destinacion shtetin shqiptar, e porositur nga Firma “Rr….” sh.p.k. Pas bllokimit të mjetit në të cilin janë gjetur 256 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, shtetasit E. Rr bashkë me dy shoqërues të tjerë kanë vajtur në Mal të Zi për t’u interesuar për ngarkesën e kontenierit”, – thotë prokuroria.

I pyetur lidhur me qëllimin e vizitës së tij në Shqipëri, Cesar Augusto Pelaez Triana ka treguar se ka mbërritur në territorin e shtetit shqiptar i porositur nga disa persona me qëllim për të marrë një sasi të konsiderueshme parash në funksion të një trafikimi lëndësh narkotike me destinacion shtetin shqiptar. “Kam ardhur më datë 19.05.2014, me kompaninë ‘Alitalia’, me linjën Barcelonë – Romë – Tiranë.

Nuk më priti njeri dhe kam ardhur në Tiranë me një taksi, të cilit i kam paguar 20 euro. Në internet kisha gjetur një hotel, të cilit nuk ia mbaj mend emrin dhe kam pyetur taksistin, i cili me rekomandoi një hotel tjetër në qendër të Tiranës. Aty kam qëndruar një ditë dhe më pas jam transferuar në një hotel tjetër që ishte pranë qendrës dhe kushtonte rreth 35 euro. Aty kam qëndruar për 4-5 ditë dhe më pas jam transferuar në një hotel më të lirë, që ndodhej pranë një bulevardi ku niseshin autobusë për në Greqi. Aty kam qëndruar deri më datë 09.06.2014, datë të cilën u nisa për në Rinas”, – ka deklaruar shtetasi kolumbian. Sipas tij, qëllimi i vizitës në Shqipëri ka qenë marrja e një sasie parash për një ngarkesë kokaine të nisur nga Ekuadori dhe që kishte si destinacion Shqipërinë.

“Qëllimi i vizitës sime në Shqipëri ishte që të merrja një sasi parash për një ngarkesë droge që do të vinte me një kontenier me fund të dyfishtë”, – ka rrëfyer kolumbiani. Ai ka treguar edhe emrat e personave që e kishin porositur për paratë, të cilat do të ishin 600 mijë apo 1 milion euro. “Unë isha porositur nga dy kolumbiane, njëri me emrin El Chiquetette dhe Perea që të vija në Shqipëri dhe pasi të kontaktoja me një numër telefoni, do të merrja një këst parash që varionte nga 600.000 deri 1 milion euro. Nga kjo punë unë do të fitoja 200 mijë euro”, thuhet në dëshminë e 36-vjeçarit, i cili vendosi të largohej nga Shqipëria kur pa në media se lënda narkotike ishte sekuestruar në Mal të Zi.

Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për një veprimtari që lidhet me trafikimin e lëndës narkotike, duke patur lëvizje ndërkombëtare dhe që kishte si destinacion shtetin shqiptar, lëndë kjo që është kapur në Mal të Zi, dhe që në këtë trafik dyshohen të jenë përfshirë dhe shtetas shqiptarë. “Sipas akteve të ardhura me anë të letërporosisë nga ana e autoriteteve malazeze rezultojnë të pasqyruara dhe të provuara se kjo sasi lënde narkotike është gjetur në një kontenier me fund të dyfishtë dhe kishte si destinacion shtetin shqiptar, pasi porosia e bërë për kontenierin ishte me destinacion një firmë shqiptare”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

 

Itinerari i kokainës nga Ekuadori në Mal të Zi

Si u zbulua sasia prej 256 kilogramësh kokainë në kontenierin me banane, që kishte si destinacion një kompani në hyrje të qytetit të Fierit. Tri ditë përpara se të merrte ngarkesën, anija malazeze kishte qenë në portin e Durrësit.

 

Më 6 qershor të vitit të shkuar, autoritetet malazeze njoftuan sekuestrimin e një sasie prej 256 kilogramësh kokainë në një kontenier me banane të nisur nga Ekuadori e që kishte si destinacion një kompani shqiptare. Sasia e kokainës, më e madhja e kapur ndonjëherë në Mal të Zi, ka qenë në një pjesë të shtuar në një prej tre kontenierëve me banane. Dy prej tyre janë lejuar të kalojnë nga autoritetet doganore, ndërsa kontejneri i tretë ka ngjallur dyshime te doganierët, pasi në të janë vërejtur gjurmë të reja saldimi.

Pas riskanimit që i kanë bërë, rezultoi se atij i ishte shtuar një pjesë, brenda së cilës ndodhej sasia prej 256 kilogramësh kokainë e pastër, e ndarë në 223 pako. Ngarkesa e bananeve është transportuar nga Ekuadori në Itali dhe prej aty është marrë nga anija “Jilhan”, e cila ka mbërritur në portin e Tivarit në Mal të Zi më tre qershor të vitit 2014. Më herët kjo anije kishte qenë në portin e Durrësit në Shqipëri, për t’u nisur më pas drejt Italisë, ku dhe ka marrë kontenierët me banane të porositur për llogari të kompanisë shqiptare “Rr….”.

Sipas dokumentacionit shoqërues të mallit rezulton se kontejneri brenda të cilit ndodhej dhe kokaina, do të vinte në rrugë tokësore nga Mali i Zi në Shqipëri, nëpërmjet një kamioni që ka qenë duke pritur në port gjatë kohës që malli kontrollohej nga agjentët e doganës. Nga hetimit është provuar se transportin e kontenierëve e ka bërë kompania “Interlog” me pronar një shtetas malazez të identifikuar si Edin Kosutia.

Ngarkesa e bananeve është transportuar nga anija “Jilhan”, e cila më 25 maj ka qenë në portin e Durrësit dhe po atë ditë është nisur drejt Italisë në portin “Luka Korsinio”, ku ka qëndruar tri ditë. Më 28 maj ajo ka udhëtuar drejt portit italian “Gioia Tauro”, ku ka qëndruar katër ditë. Në këtë port mendohet se ka marrë edhe ngarkesën me banane që vinte nga Ekuadori, por autoritetet malazeze nuk kanë ende informacion për mënyrën se si kontenierët me banane kanë mbërritur në portin “Gioia Tauro” në Itali. Më datë 2 qershor, anija “Jilhan” është nisur nga porti i “Gioia Tauro” dhe një ditë më pas ka kaluar në Kanalin e Otrantos në Adriatik, me destinacion portin e Tivarit në Malin e Zi. Mediat malazeze thonë se përgjatë këtij itinerari anija ka shkëputur kontaktet me kapitenerinë e portit deri në orën në 23:45 të datës 2 qershor, kur anija është shfaqur rreth 7 milje larg Ulqinit.

 

Tahiri në 2014: Kokaina s’kishte destinacion Shqipërinë

Në vit më parë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mohoi publikisht se droga e kapur në Mal të Zi kishte si destinacion Shqipërinë. Gjatë një vizite në qytetin e Korçës më 6 qershor të vitit 2014, ministri Tahiri është pyetur nga gazetarët për hetimet që po kryen policia shqiptare rreth kompanisë që kishte porositur kontenierët me banane nga Ekuadori. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Tahiri tha se lënda narkotike nuk kishte si destinacion vendin tonë. “Ngarkesa e drogës nuk kishte destinacion Shqipërinë.

Në Shqipëri ishte destinuar vetëm ngarkesa me banane”, – tha ministri. Sipas tij, policia po heton për lidhjet e mundshme të Shqipërisë me sasinë prej 250 kilogram kokainë. “Ne po hetojmë ngjarjen dhe nuk kemi të dhëna që droga ishte për vendin tonë”, deklaroi ministri i Brendshëm. Por një vit pas sekuestrimit të kokainës në Malin e Zi, Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se lënda narkotike kishte si destinacion Shqipërinë.

Në dosjen që u dërgua dje në gjykatë, ndër të tjera konfirmohet se lënda narkotike ishte destinuar për në Shqipëri. “Lënda narkotike e gjetur në një kontenier me fund të dyfishtë kishte si destinacion shtetin shqiptar, pasi porosia e bërë për kontenierin ishte me destinacion një firmë shqiptare”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Mapo

SHKARKO APP