Komisioni i Prokurimit Publik, si do të zgjidhen kryetari dhe anëtarët

– Kriteret dhe procedura e vlerësimit me pikë sipas diplomës së fituar

Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi edhe procedurën e përzgjedhjes së kandidateve për kryetar dhe anëtar të Komisionit të Prokurimit Publik. Mbështetur në Kushtetutë por edhe në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:

-Miratimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik për garantimin e profesionalizmit e të transparencës gjatë përzgjedhjes, mbështetur në kritere profesionale, për të përmbushur detyrat e përcaktuara në ligjin për prokurimin publik.

-Përzgjedhja e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik kryhet nëpërmjet zbatimit të procedurave të hapura të konkurrimit, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.

“Procedura përzgjedhëse për kandidaturat për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik zhvillohet nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe në përputhje me pikën 3, të nenit 19/2, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre një komision ad-hoc, të përbërë nga 3 anëtarë, nga të cilët një përfaqësues i Kryeministrisë, një përfaqësues i Departamentit të Administratës Publike dhe një përfaqësues i Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Në vendimin e këshillit të Ministrave janë bërë publike edhe kriteret për anëtarët e komisionit Ad-Hoc. Konkretisht, anëtari i komisionit ad-hoc zgjidhet midis personave që plotëson këto kritere:

a) Të ketë mbaruar arsimin e lartë;

b) Për anëtarin përfaqësues të Kryeministrisë dhe të Departamentit të Administratës Publike, të ketë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet në nivel të mesëm drejtues dhe/ose të ketë njohuri në fushën e prokurimeve;

c) Për anëtarin përfaqësues të Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune dhe të ketë titull/gradë shkencore;

ç) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

d) Të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 3 (tre) vitet pararendëse nga data e emërimit;

dh) Të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;

e) Të mos jetë larguar nga shërbimi civil si rrjedhojë e masave disiplinore.

Thirrja për aplikim publikohet në faqen e internetit të Kryeministrisë, në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe të paktën dy herë në 2 gazeta me tirazhin më të lartë dhe ajo përmban:

a) kriteret e përgjithshme që duhet të përmbushin kandidaturat, sipas parashikimeve të nenit 19/3, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006;

b) listën e dokumenteve që duhen paraqitur;

c) afatin e fundit dhe adresën ku duhet të paraqiten aplikimet;

ç) datën për shpalljen e rezultateve pas vlerësimit të dosjes;

d) datën për shpalljen e rezultateve për vlerësimin përfundimtar;

dh) mënyrën e njoftimit/komunikimit me aplikantët.

“Komisioni ad-hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve, bazuar në jetëshkrimin e kandidatëve dhe intervistën e tyre me gojë. Nëse numri i kandidaturave të paraqitura është i lartë, atëherë vlerësimi i tyre nga komisioni mund të zgjatet, por jo më shumë se 20 (njëzet) ditë kalendarike. Fillimisht, komisioni ad-hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e dosjeve të aplikantëve, për të parë nëse ato plotësojnë kriteret e përcaktuara nga neni 19/3, i ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, të ndryshuar. Në përfundim të procesit të vlerësimit, komisioni ad-hoc përgatit listën me emrat e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar dhe i njofton ata brenda 2 (dy) ditëve”,thuhet në vendim.

Vlerësimi i kandidatëve

Komisioni ad-hoc i përzgjedhjes vazhdon me vlerësimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 19/3, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006. Vlerësimi maksimal është 100 pikë.

Vlerësimi i kandidatëve bëhet sipas një procedure që përfshin pikët maksimale për secilën nga fazat e mëposhtme:

a) Vlerësimin e jetëshkrimit të kandidatëve, që përfshin vlerësimin e arsimimit, të përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore, deri në 70 pikë, sipas pikës 11, të këtij vendimi;

b) Intervistën e strukturuar me gojë, deri në 30 pikë.

Çdo anëtar i komisionit ad-hoc të përzgjedhjes jep vlerësimin e tij individual për secilin kandidat. Vlerësimi përfundimtar për kandidatin llogaritet si mesatare e pikëve të vendosura nga secili prej anëtarëve.

Metoda e vlerësimit

Metoda e vlerësimit të jetëshkrimit të kandidatëve do të jetë, si më poshtë vijon:

Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për anëtar të Komisionit të Prokurimit Publik, i cili do të kryhet në bazë të:

a) diplomës së shkollës së lartë:

jurist: 10 pikë;

inxhinieri, ekonomik: 8 pikë;

III. diplomë e nivelit master, doktoraturë etj: nga 2 deri në 5 pikë shtesë;

certifikata apo kualifikime të tjera: 3 deri në 10 pikë.

b) përvojës në punë, që duhet të jetë 8 (tetë) vjet: 10 pikë, si dhe:

përvojës mbi 8 (tetë) vjet: nga 2-5 pikë shtesë;

përvojës në pozicione drejtuese: nga 2-5 pikë shtesë;

III. përvojës si gjyqtar, ndërmjetësues apo arbitër: 2-5 pikë shtesë.

c) përvojës në prokurime, që duhet të jetë 3 (tre) vjet: 10 pikë, si dhe:

mbi 3 vjet: 2 pikë shtesë;

5-10 vjet: 5 pikë shtesë;

III. mbi 10 vjet: 10 pikë shtesë.

Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, që do të kryhet në bazë të:

a) diplomës së shkollës së lartë, jurist: 10 pikë, si dhe:

për diplomën e nivelit master, doktoraturë etj: deri në 3 pikë shtesë;

për certifikatën apo kualifikimet e tjera: deri në 3 pikë shtesë.

b) përvojës në punë, që duhet të jetë 8 (tetë) vjet: 10 pikë, si dhe:

mbi 8 (tetë) vjet përvojë pune: 2 pikë shtesë;

përvojë si gjyqtar, ndërmjetësues apo arbitër: 2-5 pikë shtesë.

c) përvojës 2 (dy) vjet në pozicione drejtuese: 10 pikë, si dhe:

përvojës në nivelin e lartë drejtues (TND): 2 pikë shtesë;

përvojës mbi 2 vjet: nga 2 deri në 5 pikë shtesë.

ç) përvojës në prokurime, 3 (tre) vjet: 10 pikë, si dhe:

mbi 3 vjet: 2 pikë shtesë;

5-10 vjet: 5 pikë shtesë;

mbi 10 vjet: 10 pikë shtesë.

 “Në përfundim të vlerësimit, komisioni ad-hoc i përzgjedhjes rendit kandidatët në bazë të pikëve të marra dhe ia dërgon listën Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për vendimmarrje të mëtejshme nga Këshilli i Ministrave. Me qëllim vijimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik, Këshilli i Ministrave dërgon në Kuvend listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar”, thuhet në këtë vendim i cili pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

SHKARKO APP