Kompanitë celulare, kod etike për konkurencë të ndershme

Katër kompanitë e telefonisë celulare që operojnë në tregun tonë angazhohen për zbatimin e një kodi etike që synon përmirësimin e konkurencës së ndershme midis vetë operatorëve dhe ofrimin e një shërbimi më të mirë ndaj konsumatorëve.

Kodi i Etikës u nënshkrua të hënën në prani të ministres së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.

Ministrja Ekonomi theksoi se nënshkrimi i kodit mes 4 operatorëve synon konkurrencën e ndershme mes tyre për produktet që ofrojnë në treg, si dhe mbron konsumatorin përkundrejt këtyre shërbimeve dhe produkteve.

Kodi u hartua nga Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit në MZHETTS, në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, me qëllimin për të përmirësuar tregun në mbrojtje të konsumatorëve.

Kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Pirro Xhixho u shpreh se Kodi i shërben konsumatorit, duke i ofruar atij mundësinë të njohë të gjitha produktet në kohën e duhur dhe mënyrën e duhur, duke lehtësuar zgjedhjen e tij. “Ne jemi në një treg konkurrues dhe tregu konkurrues kërkon transparencë të plotë, kërkon që konsumatori të jetë i mbrojtur nga proceset abuzive të cilat mund të ndodhin, për efekt të dikujt ose të veprimeve të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme në treg”, tha ai.

Përmbajtja e kodit:

Kodi i Sjelljes përbën dokumentin që shpreh një marrëveshje të negociuar dhe të miratuar nga sipërmarrësit/operatorët e komunikimeve elektronike, që nëpërmjet saj, marrin përsipër të zbatojnë parashikimet apo rregullat e përcaktuara në të, për fushën e komunikimeve elektronike.

SHKARKO APP