Kompleksiteti i trurit arrin deri në… 11 dimensione!

Truri është shumë më kompleks nga se mendohej, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Computational Neuroscience”, i realizuar falë projektit “Blue Brain” i krijuar në vitin 2015 me iniciativë të Universitetit Politeknik të Lozanës dhe të gjigantit amerikan të teknologjisë IBM.

Kompleksiteti i trurit arrin në atë pikë sa që çdo herë që mëson diçka të re, qelizat e tij riorganizohen dhe lidhen me njëra tjetrën duke filluar nga struktura shumë të thjeshta me dy dimansione, ose tre dimensione si kubi dhe duke arritur në struktura shumë më të komplikuara me pesë, gjashtë madje edhe 11 dimensione.

“Strukturat sipas të cilave organizohet truri janë si kështjella prej rëre multidimensionale, që materializohen vazhdimisht për t;u shpërbërë menjëherë më pas”, thotë koordinatori i këtij studimi, Henry Markram, drejtor i projektit “Blue Brain” dhe studiues në Politeknikun e Lozanës.

Shkencëtarët kanë arritur të individualizojnë këtë aspekt deri tani të panjohur dhe pak fantashkencor të organizimit të trurit duke aplikuar në mënyrë të re matematikën e studimit të neuroshkencave.

Në veçanti, organizimi i neuroneve është studiuar duke përdorur algjebrën topologjike, që është ajo degë e matematikës që përdoret për të studiuar vetitët dhe strukturën e formave në hapësirë.

Kjo është hera e parë që një metodë e tillë përdoret në neuroshkencë dhe aplikohet në studimin e qarqeve cerebrale duke mundësuar që të zbulohet se këto qarqe mund të paraqiten në figura gjeometrike me shumë dimensione./ATA/

SHKARKO APP