Koncepte strategjike për shtetin dhe politikën
Nga Vladimir Lulaj
Të gjithë shqiptarët anembanë Botës duhet ta dinë përfundimisht se partitë tona politike nuk janë ‘shteti dhe sundimtaret e tij’, por ushtria politike e përbërë nga disa reparte dhe alternativa të ndryshme kontemporane; që janë vetëkrijuar, vetorganizuar dhe të vetëstërvitura vullnetarisht me synimin për të mësuar artin e drejtimit politik. Si të tilla ato kanë koncepte, formim, ndërgjegje, gatishmëri kategorike, përkushtim të pasosur, përulje dhe besnikëri shembullore deri në sakrifikim dhe vetëmohim të pakursyer; ndaj vihen vullnetarisht në dispozicion dhe shërbim permanent të Strukturave dhe Institucioneve Strategjike të Shtetit Ligjor; për drejtuar në mënyrë transparente, racionale dhe monitoruar pushtetin e pavarur ekzekutiv qendror dhe lokal të Shtetit unik të Shqipërisë; si dhe për të mbrojtur pa kushte vetëm Interesat e Përgjithshme të Kombit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
***
Shteti ynë juridik është krijesa racionale, në trajtën e institucionit kryesor strategjik Ligjor, si dhe shërbëtori më besnik i Republikës Parlamentare të Shqipërisë, që garanton verdiktin dhe ekzistencën imediate dhe perspektive demokratike, të Sovranit Popull Shqiptar, brenda bashkësisë së popujve të Bashkimit Europian, ku duam të integrohemi me të drejta të plota; ndaj, si i tillë, pavarësisht momentit historik, ose rrethanave evolutive, alternative, dialektike dhe eventuale, që kalon shoqëria jonë civile; asnjëherë nuk u përket forcave partiake, ose nomenklaturës së kufizuar politike; që, bazë verdiktit elektoral të shprehur nga shoqëria civile shqiptare në zgjedhje të lira dhe të ndershme elektorale, ‘rekrutohet’ brenda strukturave administrative të qeverisjes së vendit.
Rrudhtazi, plot siguri, me bindje filozofike hegeliane dhe pa u gabuar aspak, mund të themi se partitë politike janë ligjërisht ‘të ndara nga Shteti’; pra nuk kanë asnjë shans ligjor për të patur struktura përbërëse brenda institucioneve strategjike funksionale të ‘shtetit juridik’; por njëkohësisht, për shkak të respektimit të verdiktit elektoral, krahas administratës civile permanente të Shtetit Ligjor, funksionon edhe nomenklatura e kufizuar e pushteteve të përkohshëm politikë; që duhet të njohin doemos shumë mirë ligjet objektive dhe evolutive, për të zbatuar artin e vështirë të drejtimit strategjik të Shtetit.
Ky koncept nënkupton edhe rolin bashkëveprues atrategjik, të monitoruar, të disiplinuar, të kontrolluar dhe të detyruar të pushteteve të përkohshëm politikë në shërbim të pushteteve të pavarur të Shtetit juridik Kombëtar; i cili, për arsye dhe interesa strategjike objektive dhe evolutive, (konkretisht: për të garantuar mirëqeverisjen dhe korrigjuar eventualitetin e keq-qeverisjes,) lejon konkurrencën luajale, racionale dhe të monitoruar të pozitës dhe opozitës partiake, të zgjedhura demokratikisht nga vullneti vendimmarrës elektoral i shoqërisë civile, ose Sovranit Popull.
Thënë shkurt, forcat politike parlamentare nuk janë ‘shteti’ por pjesa më elitare e reparteve partiake, që disponojnë botëkuptim të plotë shtetëror. Alternativat e tyre janë të përzgjedhura dhe të votëbesuara drejtpërsëdrejti nga shumica e popullit; ndaj supozohet se zgjedhin në krye liderët më patriotë; të cilët kanë lindur për t’u bërë udhëheqës të zotë dhe të determinuar për të mbetur kurdoherë të përulur ndaj interesave të Përgjithshme të Sovranit Popull; me aftësi të sprovuara intelektuale dhe vizion të kultivuar shtetformues funksional; me ndërgjegje të vetëlartësuar deri në nivelin e Imperativit Kategorik Shtetëror; si dhe me besnikëri të pamposhtur deri në vdekje; ndaj i kundrojnë forcat politike kundërshtare si partnere dhe bashkëpunëtore të domosdoshme; si pushtete politike eventuale të ndara nga‘shteti ligjor’ dhe njëkohësisht në dispozicion dhe shërbim të Sovranit Popull.
***
Qysh prej marrëveshjes antikombëtare të 9 marsit 1997, klasa e sotme politike ‘destruktive dhe feodaleske’, me moshë 25 vjeçare e Shqipërisë, gjithmonë i ka fituar të gjitha betejat vendimtare ‘të brendshme’ me Republikën e butë dhe minore 17 vjeçare të Shqipërisë; sepse Sovrani Popull asnjëherë nuk ka ditur të vendosë kontrollin dhe diktaturën e demokracisë së vet ligjore mbi alternativat partiake, që kanë kandiduar përpara shoqërisë civile, ose vullnetit të saj zgjedhor, për të menaxhuar sa më mirë pushtetin ekzekutiv qëndror dhe lokal, ose pushtetin e përkohshëm politik; që në vetvete ndahet në pozitë dhe opozitë, me detyra të alternuara vetëm në Shërbim të Sovranit Popull.
Në këtë kuadër skuadra partiake e pozitës drejton politikisht qeverisjen ekzekutive të Republikës së Shqipërisë në përputhje me strategjinë e mbrojtjes së interesave të përgjithshme pragmatiste, immediate, permanente dhe perspektive; duke mbajtur gjithmonë parasysh edhe veçorikat evolutive të interesave të komuniteteve, grupeve dhe individëve të shoqërisë civile; kurse opozita, ose ‘qeveria hije’, kontrollon efikasitetin e qeverisjes; vëren, heton dhe hulumton rezultatet e qeverisjes në raport me detyrimet permanente ndaj interesave të përgjithshme dhe zbatimin ose jo të premtimeve konkrete elektorale.
Pra opozita jo vetëm konstaton të gjitha mangësitë subjektive të qeverisjes së drejtuar nga pozita, duke i relatuar ato përpara shoqërisë civile të interesuar të Sovranit Popull, jo vetëm ofron ndihmesën e vet konstruktive, duke qartësuar se ku qëndron gabimi qeverisës i konstatuar; por edhe ofron alternativën dhe mënyrën konkrete se si mund të korrigjohet ky gabim i monitoruar. Ndaj, si konkluzion shterues, mund të themi se pozita dhe opozita janë të destinuara të bashkëpunojnë njëra me tjetrën nëpërmjet diversitetit konkurrues në shërbim të interesave të përbashkëta shtetërore, duke kryer secila detyra të posaçme strategjike.
Pozita politike e rekrutuar nga Shteti dhe në shërbim të Tij gjithmonë vepron në drejtimin kryesor shtetëror të qeverisjes imediate të vendit dhe jep llogari përpara përfaqësuesve të Sovranit Popull; të cilët, pa dallim, janë të gjithë deputetët që ka zgjedhur drejtpërsëdrejti shoqëria civile shqiptare në zgjedhjet e lira dhe të ndershme elektorale një herë në katër vjet. Kurse opozita, që përbën ‘skalionin e rekrutuar politik rezervë’ në shërbim të Shtetit, vepron për të ‘hetuar, mëtuar, paralajmëruar dhe korrigjuar’ gabimet e bëra nga qeverisja e pozitës. Misioni i saj si ‘qeveri hije’ është jo vetëm t’i mëtojë Sovranin Popull faktin se po keq-qeveriset, por edhe të ofrojë pa rezerva alternativën e vet konstruktive. Kuptohet se qëndrime të tilla do të mbahen në konsideratë nga memoria ‘selektive’ e zgjedhësve seriozë.
***
Referuar nenit 2/2 të Kushtetutës, ku përcaktohet: “2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.”; si dhe duke mbajtur qartazi parasysh nenin 70/1 të Kushtetutës , ku sanksionohet dispozita: “1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.”; vetëkuptohet se Parlamenti, ose në rastin konkret Kuvendi Popullor i Shqipërisë, nuk ka karakter të përgjithshëm politik dhe as për mision të merret drejtpërsëdrejti me qeverisjen ekzekutive të Shtetit; ndaj si i tillë, d.m.th si pushtet i pavarur shtetëror legjislativ, në vetvete është kurdoherë unik në pikëpamje strategjike; sepse qoftë filozofikisht, juridikisht, materialisht dhe procedurialisht asnjëherë nuk përmban pozitë dhe opozitë politike, por gjithmonë ka juridiksion dhe përgjegjësi direkte jo vetëm si pushteti kryesor i Shtetit tonë unik dhe juridik; por në radhë të parë si Pushteti Përfaqësues që ushtron Sovranitetin e Popullit edhe mbi pushtetet e pavarur shtetërorë ekzekutivë dhe gjyqësorë.
Historia 25 -vjeçare e Shtetit ende të pa konsoliduar Demokratik të Shqipërisë mëton prova dhe fakte masive, që tregojnë destruktivitetin e pandëshkuar të pushteteve të përkohshëm politikë; të cilët jo vetëm shkelin cakun ku fillon kufiri strategjik i Interesave të Shtetit Ligjor, por nga padija, injoranca politike dhe profanllëku; madje disa herë krejt me dashje dhe me paramendim antishtetëror, ngrenë ose mbivendosin strukturat e pushtetit të përkohshëm politik mbi pushtetet, e pavarur dhe permanentë të Shtetit Ligjor.
Kombi funksionon normalisht vetëm duke i kundruar forcat politike si subjekte elektorale të ndara nga Shteti Juridik; të cilat njohin mirë artin politik të drejtimit ligjor të Shtetit dhe plotësojnë kushtet, ose normat juridike për të konkurruar dhe fituar, nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme elektorale, votëbesimin e shoqërisë civile shqiptare lidhur me të drejtën për të drejtuar përkohësisht, maksimumi për 4 vite rresht, pushtetin e përkohshëm politik.
Pra, si konkluzion, qartasi dhe në mënyrë krejt shteruese mund të themi se pushteti i përkohshëm politik duhet konceptuar dhe trajtuar formalisht brenda hapësirave të procedurës shtetërore si pushtet i deleguar, që ‘buron’ vetëm nga votëbesimi zgjedhor i shoqërisë civile; ndaj, si pushtet i tillë, ndonëse nuk bën pjesë te tre pushtetet e pavarur shtetërorë permanentë të Shtetit, shpërfaqet krejt unik nga
pikëpamja juridike; ndaj ka rol të rëndësishëm strategjik, menaxhues dhe llogaridhënës përpara shoqërisë civile; e cila, pas votëbesimit, e kontrollon pushtetin e deleguar elektoral, të shndërruar përkohësisht në pushtet politik me sigla partie, duke mos lejuar që deputetët të bëhen militantë të pushtetit të përkohshëm politik joshtetëror; por të mbeten përfaqësues të Sovranit Popull, kontrollues dhe ndëshkues të veprimtarisë destruktive të forcave politike parlamentare…
***
Kushtetuta është ligji themelor dhe ‘kështjella strategjike’, që mbron Shtetin tonë Juridik nga sulmet destruktive të pushteteve të përkohshëm politikë joshtetërorë; të cilët, pa mbajtur parasysh faktin se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është pasuria më e madhe juridike e Popullit tonë; gjatë 17 moteve, nga 28 nëntori i vitit1998 deri në vitin 2015, (konkretisht në vitin 2007, më 21 prill 2008 dhe vitin 2012,) tre herë kanë “çarë muret e shenjta” të Kushtetutës, por nuk janë ndëshkuar asnjëherë.
Meqë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ditur faktin se Shqipëria nuk ka asnjë deputet të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga Populli, kanë kërkuar dekriminalizimin e forcave politike dhe ushtruar presion për ndryshimin racional të Kushtetutës; Kuvendi ‘lolo’ dhe aspak Popullor i Shqipërisë, ku ‘flenë’ 140 deputetë partiakë, ka ngritur komisionin e posaçëm parlamentar; që aktivizoi
një komision ekspertësh të nivelit të lartë dhe më datën 24 shtator 2015 paraqiti materialin shpjegues për ndryshimet kushtetuese; i cili, në brendinë e vet, na duket goxha më i mirë se 58 nenet e hartuara për ndryshimet e pritshme kushtetuese; sepse teorikisht këto dispozita ‘ndëshkojnë dhe përmirësojnë’ vetëm strukturat e sistemit të korruptuar të pushtetit shtetëror gjyqësor, por nuk marrin strategjikisht në mbrojtje Shtetin tonë Ligjor; sepse prurjet e gjetura s’janë në gjendje të ringrenë një Kushtetutë solide dhe të aftë për të “çliruar” Kuvendin Popullor nga “zgjedha” e pushteteve të përkohshëm politikë joshtetërorë; të cilët prapë mund të mbeten të paprekshëm, komandues, të pakufizuar, të pa monitoruar, destruktivë, robërues dhe ‘sundimtarë’ të Shtetit të “pushtuar” Ligjor…