Koncesionet, BSH pro FMN-së. Sejko: Fatura, si borxh
Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Banka e Shqipërisë ka kërkuar që koncesionet të trajtohen sipas normave ndërkombëtare, duke u regjistruar si borxh kur bartin detyrime për buxhetin.
Banka e Shqipërisë natyrisht që i mbetet mendimit se, pasqyrimi i këtyre projekteve duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe brenda standardeve ndërkombëtare.
“Ne mbetemi të hapur të shikojmë ecurinë, të shikojmë progresin e këtyre projekteve. Është një projekt i madh i parashikuar për 4 vitet e ardhshme, e normalisht do të duhet të elaborohet, detajohet në buxhetet e çdo viti”, tha guvernatori Sejko.
Por, ashtu si FMN-ja, Banka e Shqipërisë nuk është kundër koncesioneve. Guvernatori Gent Sejko tha se, nëse përzgjidhen me kujdes, ato mund të nxisin ekonominë dhe rritjen e të ardhurave.
“Aplikimi i koncesioneve, ose në rast se do të bëhej në mënyrë të studiuar, në rast se do të kishim projekte me rentabilitet të lartë, me prioritete të përcaktuara qartë, të cilat do të rezultonin të suksesshme, sigurisht që do të ndikonin në rritjen ekonomike të vendit dhe në përshpejtimin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, deklaroi më tej Sejko.