Koncesionet në 2018 – 6 kontrata në transport, 1 shëndetësi dhe 1 arsim

Qeveria ka deklaruar se do të shtrijë më tej politikën e partneritetit publik-privat. E në fakt në buxhetin e vitit 2018 janë parashikuar 8 kontrata të reja, nga të cilat 1 në sektorin e arsimit, 1 në sektorin e shëndetësisë dhe 6 në sektorin e transporteve. Në total, për vitin 2018 parashikohet të lidhen kontrata PPP në vlerë rreth 156,7 miliard lekë, raporton portal ekonomik SCAN. Këto kontrata do të jenë të shtrira në vite, çka bën që vlera e tyre të jetë e lartë.

Referuar tabelës shoqëruese të projektbuxhetit 2018, gjatë vitit 2018 në sektorin e arsimit është parashikuar kontrata për ndërtimin e shkollave në arsimin parauniversitar në Bashkinë e Tiranës me vlerë 6,440,000,000 lekë.

Në sektorin e shëndetësisë, është parashikuar lidhja e kontratës për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Spitalit Rajonal të Fierit, me vlerë 9,598,120,000 lekë.

Në sektorin e transporteve është parashikuar lidhja e kontratave për Ndërtimin dhe Operimin e Aksit Tiranë-Thumanë-Vorë me vlerë 34,307,000,000 lekë, për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë 8,652,000,000 lekë, për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës Kashar-Rrogozhinë me vlerë 41,580,000,000 lekë, për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës Milot-Balldren me vlerë 14,280,000,000 lekë, për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës Orikum-Himarë me vlerë 17,808,000,000 lekë dhe Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit me vlerë 24,052,000,000 lekë.

Lista e Kontratave Koncesionare/PPP aktive ekzistuese është rreth 504,8 miliard lekë.

Në total, lista e kontratave ekzistuese dhe e kontratave të parashikuara për vitin 2018 arrin vlerën rreth 661,6 miliardë lekë.

SCAN

SHKARKO APP